Lajme
Trajkoviq: Osmani të mos merr vendim për zgjedhje të reja në veri
Demokracia
19:22 | 14 Nëntor 2022

Share:

Nëse zgjedhjet e parakohshme thirren në kushtet aktuale kam frikë se serbët do t’i bojkotonin dhe kjo nuk do të ndihmonte në zgjidhjen e situatës, vlerëson Kryetarja e Lëvizjes Evropiane të serbëve të Kosovës, Rada Trajkoviq.

Trajkoviq i bën thirrje Presidentes Vjosa Osmani të ndikojë te Kryeministri Albin Kurti që “të tërheqë ose të shtyjë” vendimin rreth targave, “ashtu siç është këshilluar dhe pritur nga autoritet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës”.

“Institucionet e Kosovës duhet të ndalojnë së dhëni më shumë arsye për eskalim dhe konflikt, dhe duhet të tregojnë ‘vullnet të mirë’ ndaj serbëve në veri”, tha ajo.

Politikanja serbe nga Kosova vlerëson se “vetëm mëpastaj do të jeni në pozitë për të vlerësuar nëse është e sigurt të thirren zgjedhjet të reja nën ato rrethana”.

Në rast se procedohet me zgjedhje të parakohshme siç edhe është e paraparë, Trajkoviq nuk e vlerëson për zhvillim pozitiv. “Përkundrazi, kjo do të përshkallëzonte krizën”.

“Zgjidhja më e mirë do të ishte caktimi i një administrate të përkohshme për katër komunat në veri deri në stabilizim të situatës së sigurisë dhe kur të rivendoset funksionizimi i institucioneve”.

“Vetëm atëherë zgjedhjet do të mund të mbaheshin në një ambient disi normal dhe të rregullt, ku do të zbeheshin rreziqet ndaj sigurisë”, përfundon Rada Trajkoviq në një përgjigje për gazetën online Reporteri.net.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në një takim me përfaqësuesit e partive politike në Kosovë tha se sipas të gjitha gjasave zgjedhjet e parakohshme në katër komunat veriore të Kosovës, do të mbahen më 18 dhjetor.

Në këtë takim me Presidenten Osmani nuk morrën pjesë Lista Serbe dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

Nga përfaqësuesit e partive politike serbe, në takim ishte edhe Nenad Rashiç nga Partia Progresiste Demokratike si dhe Aleksandar Jabllanoviç.

Nenad Rashiç u shpreh se thirrja e zgjedhjeve të parakohshme “ka mundësi të përdoret për të ngritur tensione dhe konflikte, dhe madje të eskalojë edhe deri në veprime të padashura dhune”.

Mes tjerash ai gjithashtu tregoi se i ka kërkuar presidentes Osmani të shtyjë vendimin për zgjedhje të reja për një kohë të caktuar, si dhe ka kërkuar që qeveria kosovare të shtyjë vendimin për targat, përkatësisht gjobat që pritet të nisen më 21 nëntor, siç raportoi Radio Evropa e Lirë në gjuhën serbe.

Çfarë ka thënë Osmani?

Presidentja Osmani ka paralajmëruar se 18 dhjetori i këtij viti mund të jetë data e fundit për mbajtjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme në katër komunat veriore, pas dorëheqjes së kryetarëve si rrjedhojë e vendimit të Listës Serbe për daljen nga institucionet e vendit, raporton gazeta online Reporteir.net.

Kjo datë, tregoi presidentja, është edhe afati i fundit kushtetues për organizimin e këtyre zgjedhjeve të jashtëzakonshme.

Këto deklarime Osmani i dha pas takimit për konsulta me krerët e partive politike në Kosovë.

“Siç e dini pas dorëheqjes së katër komunave në veri të vendi eshte obligim kushtetues dhe ligjor i presidentes së vendit të bëjë shpalljen e zgjedhjeve. Rrjedhimisht edhe takimi i sotëm ku janë ftuar të gjitha partitë politike, u ftuan sot të diskutojmë çështjen e datës”.

“Sa i përket afatave ligjore, ligji parasheh që nga momenti i dorëheqjes duhet të shpallen zgjedhjet brenda 10 ditësh, që do të thotë se nesër është afati i fundit dhe poashtu që ato duhet të mbahen brenda 30 deri në 45 ditësh nga momenti i dorëheqjes. Data e fundit kur do të mund të mbaheshin është 18 dhjetor”, tha Osmani në konferencë për media.

“Do t’i drejtojë një kerkesë partnerëve ndërkombëtarë për monitorim për pjesëmarrje sa me të madhe në këtë proces, dhe duhet të bëhen të gjitha përgatitjet e nevojshme së bashku me të gjitha institucionet tona të sigurisë, që të gjitha të shkojnë pa tensione dhe gjithçka të jetë qetë”.

Presidentja gjithashtu tha edhe se data 18 dhjetor është diskutuar, por po presin konfirmimin edhe nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, që gjithçka të jetë në rregull me këtë datë.

“Nga të gjitha partitë që ishin prezente, kërkova mendim rreth datës 18 dhjetor, siç e përmenda është data e fundit qe lejohet, pasi do t’i lejonte hapësirë më të madhe manovrimi KQZ-së që të bëhen të gjitha përgatitjet e nevojshme”.

“Sipas të gjitha gjasave do të shkojmë me datë 18, sapo t’i marrim konfirmimet e duhura nga KQZ që gjithçka është në rregull me këtë datë”, tha Osmani.

Të ngjashme