Lajme
Trajkoviq mbahet nga policia serbe, i përkeqësohet gjendja shëndetësore, publikon fotot e policëve
Demokracia
22:51 | 15 Dhjetor 2022

Share:

Këshilltarja e Ministrit për Kthim dhe Komunitete, Rada Trajkoviq është ndaluar në kufirin kosovaro-serb, gjersa ka dashur të kalojë në Serbi nga Kosova. Ajo po mbahet për disa orë nga policia serbe, teksa raporton se i është përkeqësuar gjendja shëndetësore.

Ajo ka publikuar edhe fotografitë e policëve që po e mbajnë.

Ka thënë se detyrohet ta bëjë këtë gjë, sepse shëndeti i saj seriozisht është në rrezik.

“Fatkeqësisht, për shkak të kërcënimeve shëndetësore dhe për shkak të mungesës së terapisë, jam e detyruar të tregojë publikisht se cilët janë punonjësit e policisë që do të mbajnë përgjegjësi nëse gjendja ime përkeqësohet. Parandalimi i hyrjes së një shtetasi të Serbisë në vendin e tij është shkelje e Kushtetutës”, ka shkruar Trajkoviqi në Twitter.

“Punonjësit e policisë janë profesionistë, por ndjekin urdhrat “nga lart”. Jemi të izoluar në të ftohtë dhe nuk kam me vete terapinë e nevojshme me insulinë”, ka shkruar ajo.

Ajo ka rikujtuar nenin 39 të Kushtetutës së Serbisë që thotë se “secili ka të drejtë të lëvizë dhe të banojë lirshëm në Republikën e Serbisë.

Trajkoviq ka thënë gjithashtu se rasti i saj sonte, tashmë është një çështje për një padi në gjykatën ndërkombëtare për të drejtat e njeriut.

Trajkoviq ka dhënë deklarata të forta kohëve të fundit kundër presidentit serb, Aleksandar Vuçiq. Njëjtë ka bërë edhe Vuçiq kur ajo u emërua këshilltare në Qeverinë e Kosovës.

Gjatë ditës së sotshme, Trajkoviq e ka takuar ambasadorin amerikan në Kosovës, Jeff Hovenier të cilin e ka njoftuar për ndalimet që ia bënë policia serbe kur do ta vizitojë Serbinë.

 

 

Të ngjashme