Lajme
Tragjedia në Tiranë, dëshmia e Dan Hutrës: Do dorëzohesha pasi të kryeja vrasjen e 4-të
Demokracia
18:14 | 02 Mars 2023

Share:

Dan Hutra, 40-vjeçari që kreu vrasjen e tre grave dhe plagosjen e tre të tjerave gjatë ditës së djeshme, kishte planifikuar ekzekutimin e një personi të katërt në zonën e Sharrës.

Personi me inicialet Rr.S ka qenë objektivi tjetër i vrasësit, pasi ky i fundit pretendonte se ky shtetas i ka shitur armën e vrasësit të babait të tij 23 vite më parë.

Dan Hutra ka rrëfyer përpara oficerve të policisë të gjithë kronologjinë e ngjarjeve të kryera si dhe shkaqet për secilën prej tyre.

Tv Klan ka siguruar dëshminë e plotë të 40-vjeçarit, Dan Hutra. Për plagosjen me thikë të 40-vjeçares Marjana Gurakuqi, ai ka rrëfyer se e ka kryer për shkak të një borxhi parash.

“Unë shkova të Marjana Gurakuqi, të cilën e kam pasur të dashur vite më parë. Unë atë e kam dashur dhe besuar shumë. Pasi kam ikur në Gjermani, ku punova dhe bëra 80 mijë Euro, ia dhashë asaj në mirëbesim të m’i ruante. Kur erdha nga Gjermania ajo më tha se ishte martuar. Pastaj i kërkova disa herë që të m’i kthente paratë por ajo nuk e bëri duke më nxjerr justifikime. Për këtë arsye shkova që ta vras, e kam goditur disa herë me thikë dhe kam ikur sepse po ta qëlloja me armë zjarri do më prisheshin planet”.

Pas plagosjes ai rrëfen se i është drejtuar shtëpisë së ish-bashkëjetueses së tij, Elena Hysës me të cilën kishte dhe një fëmijë vetëm disa javësh.

“Jam nisur për në banesën e Elenës. Doja ta vrisja sepse unë i kërkova disa herë që të bënte ADN e fëmijës, edhe nga burgu i kisha çuar mesazhe, por ata nuk pranuan dhe më thanë se fëmija ishte imi”.

Breshëria e plumbave të lëshuara në banesën e familjes Hysa i mori jetën 30-vjeçares Mevlute Hysa, motrës së ish-bashkëjetueses dhe kunatës së saj Hasime Dafku.

Megjithatë saga e vrasjeve të Dan Hutrës nuk u ndal këtu, ai rrëfeu para grupit të hetimit dhe vrasjen e 31-vjeçares Etleva Kurti. Kjo e fundit sipas autorit u vra për shkak të konflikteve që ai kishte patur në burg me të vëllain, Vladimir Kurtin.

“Unë ika më pas për në banesën e Vladimir Kurtit, me të pata konflikte dhe e kisha paralajmëruar se do i bëja diçka duke qenë se ai kishte tentuar të më vriste. Në banesë pyeta se kush ishte dhe çfarë e kishte Vladimirin, kur më tha se e kishte vëlla e qëllova atë”.

40 vjeçari tregoi gjithashtu se teksa ishte në arrati ka ndaluar në një market në zonën e Kombinatit ku ka parë foton e tij në televizor, dhe ka dyshuar se një fëmijë që e ka hasur aty mund ta ketë njohur.

Arrestimi i tij u krye pas 6 orësh kërkime, dhe për lokalizimin e tij policia hapi GPS e makinës tip Benz që lëvizi autori, të cilën ai e kishte marrë me qira në Kamëz./tvklan

Të ngjashme