Lajme
Tragjedia në Kavajë, dëshmitarët thonë se “ambulanca erdhi 40 minuta me vonesë”
Demokracia
19:55 | 09 Korrik 2023

Share:

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në plazhin e Vilë-Bashtovës në Kavajë. Babai Elvis Halilaj, 50 vjeç dhe 2 djemtë e tij të mitur, të moshave 13 dhe 15 vjeç janë mbytur në det teksa kanë qenë duke notuar.

Një qytetar që ndodhej aty i ka thënë ABC News-it se pushuesit që ishin aty reaguan menjëherë dhe u hodhën në det për të nxjerrë trupat në breg. Ata tentuan të jepnin masazh për të rikthyer jetën, por pa sukses.

“Një moment që një person me kajake po bërtiste dhe po tentonte të dilte. Disa nga ne pamë që nuk shkonte gjë dhe u futëm. Ai u afrua ne u futëm, pamë që kishte 3 persona të shtrir. I kapëm i nxorrën në breg dhe kush mundi i bënë mesazh”, – ka thënë ai.

Sipas një tjetër dëshmitari, ambulanca arriti me vonesë 40 minuta, ndërsa ai kishte qëndruar dy javë në plazh dhe nuk kishte parë roje plazhi, mjekë, apo forca të rendit.

“E kam parë nga larg që u mblodhën njerëzit. Ambulanca erdhi me vonesë, erdhi pas 40 minutash nga Rrogozhina. Kam dy javë në plazh, unë nuk kam parë as roje ose vëzhgues, as mjekë, as forca të rendit. Asnjë gjë nuk ka që të jepet ndihma e shpejtë”, – ka thënë ai.

TV Klan raportoi gjatë ditës se sipas informacioneve paraprake, dallgët dhe era e fortë kanë ndikuar në ngjarjen e rëndë me 3 viktima.

Klan ka mësuar se të tre po laheshin në një distancë të largët. Ka qenë babai, i cili fillimisht ka parë që fëmijët e tij po kërkonin ndihmë. Kur ju është afruar, nuk ka mundur që të ju vijë në ndihmë për shkak të dallgëve të forta dhe për pasojë ka pësuar të njëjtin fat.

Të ngjashme