Sport
Tovërlani: Drita e Ballkani duhet të shqetësohen, forma e tyre lë shumë për të dëshiruar
Demokracia
20:58 | 09 Shkurt 2021

Share:

Dy skuadra pretendente për ta fituar Kupën e Kosovës, Drita e Ballkani, janë larguar nga kjo garë qysh sot duke u eliminua në 1/8 e finales, eliminim ky që nuk është pritur aspak mirë nga adhuruesit  këtyre dy skuadrave, shkruan Demokracia.com.

Drita u mund nga Prishtina në kryeqytet me rezultat 1:0, ndërsa Ballkani u eliminua nga Llapi në stadiumin “Zahir Pajaziti” pas ekzekutimit të penalltive.

Njëri nga trajnerët më të suksesshëm në futbollin kosovar, Afrim Tovërlani në një bisedë për Demokracia.com, ka komentuar këto dy ndeshje, derisa e pranon se ka pritur shumë më shumë nga të dyja ekipet e lartpërmendura.

“Kuptohet eliminimi dhe rruga e shkurtër për Europë siç është Kupa dhemb, dhe mund të lërë pasoja pasi janë ndeshjet e para dhe fillimi i edicionit pranveror.  Kam pritur më shumë nga Ballkani i cili realisht ka potencial dhe të gjitha kushtet nga pronari i klubit, por filluan me dështim”, ka thënë fillimisht Tovërlani duke e komentuar edhe ndeshjen në kryeqytet ndërmjet Prishtinës e Dritës.

“Prishtina fitoi me meritë dhe me befason forma e Dritës si ekip kampion dhe potenciali që ka”, vlerësoi tekniku prishtinas.

Gjithsesi, ky eliminim i hershëm sipas Tovërlanit mund të ketë pasoja edhe në garat kampionate, derisa forma e tyre tash për tash nuk është në nivelin e pritshëm.

“Të dyja skuadrat duhet të shqetësohen për fillimin e kampionatit paso mënjanimi nga Kupa dhe forma e dy ekipeve të eliminuara lë shumë për të dëshiruar”, përfundoi Tovërlani.

Të kujtojmë se edhe në garat kampionale Drita e Ballkani cilësohen si kandidatët kryesorë në luftë për titull, kështu që tash ato gjithë forcën që kanë duhet ta përqendrojnë atje, me shpresë se nuk do ta nisin sikur në garat e Kupës. /Demokracia.com.

Të ngjashme