Barcelona nuk shkoi më shumë se barazimi 2-2 në transfertë ndaj Granadës së Myrto Uzunit.
Në fakt, katalanasit edhe mund ta kishin humbur ndeshjen duke qenë se ishin në disavantazhin e dy golave.
Megjithatë, në fund tentuan maksimumin për të dalë me pikë të plota dhe në minutat shtesë, Joao Felix e realizoi golin e tretë, por që u anulua për një pozicion jashtë loje të Ferran Torres.
Mbi këtë episod, protestoi edhe trajneri Xavi Hernandez i cili theksoi se Ferran Torres nuk kishte lidhje me golin pasi topi kaloi shumë larg tij, edhe pse sulmuesi tentoi të godiste me kokë, shkruan SS.
“Më vjen keq për golin e anuluar në fund sepse tani do të ishim duke folur për një përmbysje të madhe. Arbitri i katërt në fillim më tha se goli u anulua sepse Ferran Torres prek topin, më pas u duk qartë se ai nuk e devijoi. Kujt i ndërhyn Ferran Torres? Topi ishte shumë larg tij, e di që Ferran bën përpjekje për të kapur topin, por kjo nuk ndikon tek askush.Topi po shkonte te Felix dhe askush nuk u ndikua nga Ferran Torres. Në fund e meritonim të fitonim, por përfunduam duke marrë një pikë që për ne është e pamjaftueshme”, u shpreh Xavi.
Barcelona pas këtij barazimi humbet terren ndaj Real Madrid teksa katalanasit janë aktualisht në vendin e tretë, tre pikë larg Los Blancos që kryesojnë LaLiga-n.