Profesori Ilir Tolaj, iu ka shkruar ambasadave të huaja në Prishtinë, për t’iu kërkuar rishikimin e objektivave të organizatës ‘ORCA’ të Rron Gjinovcit.
Këshilli i Etikës në Universitetin e Prishtinës ka marrë vendim që të pushojë procedura e filluar pas denoncimit të Organizatës për rritjen e cilësisë në arsim “Orca” kundër profesorit Ilir Tolaj, në nëntor të vitit 2022 për plagjiaturë në punimin e doktoratës.
Ky vendim është marrë të hënën që shkoi në bazë të një raporti të komisionit të ekspertëve të UP-së dhe është konstatuar se denoncimi i kësaj organizate është i pathemeltë.
Pikërisht për këtë çështje Tolaj ju ka shkruar misioneve diplomatike në vend, nga të cilat ka kërkuar që të rishikohen objektivat e organizatës së Rron Gjinovcit.
Në vendimin që ka siguruar Sinjali, thuhet se ky vendim është marrë në bazë të të gjitha rrethanave te rastit dhe tërësinë së tyre faktike dhe ligjore.
Sipas ekspertëve që kanë bërë analizën, është ardhur në përfundim se pjesët e kontestuara nga ORCA, “NUK janë pjesët kryesore të asnjë punimi shkencor, duke e përfshirë edhe atë të disertacionit të doktoratës”.
Kjo sepse, në bazë të nenit 10 të Kodit Etik të UP-së, shfrytëzimi i materialeve të tilla, në rrethanat ekzistuese, duke mos pasur për qëllim dezifnormimin dhe duke mos ia atribuuar vetes ato materiale, nuk mund të konsiderohet shkelje e përcaktuar.
“Ndërsa vlerësimi i një punimi, të punuar në Kosovë para 2 dekadave, me kritere të sotme të vendeve më të avansuara në shkencë e teknologji, është i pamundur e madje edhe i kundërligjshëm” – thuhet në vendim.
Anëtarët e këtij komisioni kanë konstatuar se disertacioni i doktoratës me titull “Sepsisi meningokoksik në Kosovë – përvojat tona në përdorimin e terapisë adjuvante” i mbrojtur në vitin 2004 është studim origjinal.
“Ky material nuk është shfrytëzuar asnjëherë më parë nga askush, rezultatet e nxjerra nga studimi janë origjinale, ndërsa diskutimi e përfundimi i këtij punimi janë origjinale të bazuara në rezultatet origjinale të studimit” – thuhet tutje në vendim.
Këshilli i Etikës ka arritur në këtë përfundim se punimi i profesor Tolajt i respekton standardet shkencore për një punim doktorate dhe se denoncimi duhet të refuzohet si i pathemeltë.
Pikërisht për këtë çështje Tolaj iu ka shkruar ambasadave të huaja në vend.
“Po ju kontaktoj në lidhje me disa çështje kritike që lidhen me ORCA, një organizatë joqeveritare që përfiton nga mbështetja juaj financiare drejtpërdrejt ose e lehtësuar përmes fondacioneve që veprojnë në Kosovë”, thuhet në letrën e Tolajt drejtuar ambasadës amerikanë dhe të tjerave ambasada e organizata të huaja që veprojnë në Kosovë.
Unë shpreh vlerësimin tim të sinqertë për mbështetjen tuaj të vazhdueshme në forcimin e sistemit arsimor të Kosovës. Kontributet tuaja të paçmueshme kanë rritur ndjeshëm aftësitë tona dhe kanë nxitur një kulturë të përsosmërisë arsimore. Megjithatë, ndihem i detyruar të sjell në vëmendjen tuaj një incident të fundit që ka ngritur shqetësime të thella në lidhje me sjelljen e OJQ-së ORCA, një organizatë nën sponsorizimin tuaj”, vazhdon tutje shkrimi në letrën e Tolajt.
Tutje, Tolaj iu tregon ambasadorëve se si në nëntor të 2022, ORCA u ankua për doktoratën e tij në Komisionin Etik të Universitetit të Prishtinës.
“Në nëntor 2022, ORCA u ankua në Komisionin Etik të Universitetit të Prishtinës lidhur me kandidimin tim për postin e rektorit. Pretendimet e tyre, të përqendruara në origjinalitetin e tezës sime të doktoraturës, dukej se ishin të nxitura nga motive politike, duke synuar të prishnin reputacionin tim në vend që të angazhoheshin në një vlerësim të drejtë dhe të paanshëm të të gjithë kandidatëve. Veçanërisht, Komisioni Etik, pas një shqyrtimi të imtësishëm, në janar të këtij viti konkludoi se pretendimet e ORCA-s ishin të pabazuara”.
Tolaj e vazhdon shkrimin duke thënë se si ORCA shfaqi mungesë besimi dhe respekti për vendimet e marra nga Komiteti Etik.
“Gjatë gjithë kësaj sprove, ORCA shfaqi mungesë besimi dhe respekti për vendimet e marra nga Komiteti Etik. Ata mbajtën konferenca për shtyp si gjatë procesit të shqyrtimit ashtu edhe pas vendimit të favorshëm të komisionit, duke vazhduar fushatën e tyre të shpifjeve. Veprimet e tyre tejkaluan kritikat e drejta, duke u kthyer drejt kërcënimeve dhe dëmtimit të mundshëm për karrierën e atyre që janë të përfshirë në procesin e vendimmarrjes. Një sjellje e tillë jo vetëm që minon integritetin e procedurave të ardhshme, por gjithashtu krijon një efekt ftohës, duke i penguar ekspertët të kontribuojnë për shkak të frikës nga pasojat verbale dhe fizike”, shkruan Tolaj.
Për më tepër, mospërputhja në qasjen e ORCA-s është thellësisht shqetësuese. Ata lavdërojnë komitetin kur vendimet e tij përputhen me interesat e tyre, por denigrojnë të njëjtin organ kur rezultatet janë të pafavorshme për ta. Kjo qasje jo vetëm që vë në pikëpyetje integritetin e tyre, por gjithashtu bie ndesh me parimet e drejtësisë dhe profesionalizmit që ata pretendojnë se i mbështesin”.
Tolaj i sugjeron ambasadat që fondet e BE-së/SHBA-së të përdoren në një mënyrë që promovon ndryshime pozitive dhe efektive në vend që të avancojë agjendat specifike politike.
“Është me rëndësi të madhe që fondet e BE-së/SHBA-së, të dedikuara për përmirësimin e qytetarëve të Kosovës, të përdoren në një mënyrë që promovon ndryshime pozitive dhe efektive në vend që të avancojë agjendat specifike politike. Ndërsa Kosova përpiqet të përafrohet me standardet e BE-së, është e domosdoshme të respektohet procesi institucional i vendimmarrjes dhe vendimet përfundimtare. Presioni, kërcënimi ose përfshirja në akte vandalizmi për të ndikuar në procese të tilla është në kundërshtim me vlerat e demokracisë dhe drejtësisë”.
Ai po ashtu u lut organizata e huaja dhe ambasdat që ta rivlerësojnë sjelljen dhe objektivat e OJQ-së ORCA.
“Në dritën e këtyre ngjarjeve shqetësuese, ju nxis me mirësi të rivlerësoni sjelljen dhe objektivat e OJQ-së ORCA. Sigurimi që mbështetja dhe financimi juaj të përputhen me organizatat që mishërojnë dhe promovojnë vërtetë parimet e drejtësisë, profesionalizmit dhe respektimit të proceseve institucionale është vendimtare për përparimin e Kosovës”