Lajme
Toka mbi 1 milion euro e vetura luksoze| Shefat e pasur të kabineteve ministrore të Qeverisë Kurti
Demokracia
12:12 | 17 Qershor 2022

Share:

Shefat e Kabineteve dhe këshilltarët e lartë politikë nëpër ministritë e Qeverisë Kurti e kanë bërë deklarimin e pasurisë në Agjencinë Kundër Korrupsion (AKK), raporton Demokracia.com.

Detyrimi i zyrtarëve të lartë publikë për të deklaruar pasurinë është një nga metodat më të suksesshme për të luftuar korrupsionin dhe po ashtu për t’i njohur më mirë ata që ushtrojnë funksione publike. Megjithatë, në AKK shumica prej tyre nuk i kanë deklaruar fare mëditjet, ndërsa disa të tjerë i kanë deklaruar deri në 6 mijë euro mëditje.

Luan Dalipi, shefi i kabinetit të kryeministrit Kurti, ka të deklaruara si mëditje vetëm 335 euro.

Dalipi në AKK ka të deklaruara dy vetura, një Mercedes në vlerë 40 mijë euro dhe një veturë Renault 9 mijë euro, përcjell Demokracia.com.

Po ashtu, shefi i kabinetit të Kurtit ka rreth 43 mijë euro para të gatshme në bankë.

Ai ka deklaruara të hyra vjetore rreth 16 mijë euro, ndërsa në emër të bashkëshortes ka të deklaruara mbi 41 mijë euro. Po ashtu, mëditje ka të deklaruara vetëm 355 euro, përcjell Demokracia.com

Edhe shefi i kabinetit të presidentes Vjosa Osmani, Blerim Vela, del të jetë goxha i pasur. Nga mëditjet ai ka përfituar 2 mijë e 318 euro.

Vela ka të deklaruar pasuri të paluajtshme një truall në vlerë prej 36 mijë euro.

Po ashtu, ai ka të deklaruar edhe një veturë në vlerë 38 mijë euro, të blerë nga kursimet.

Para të gatshme në bankë, Vela ka afër 300 mijë euro, ndërsa në emër të bashkëshortes dhe fëmijëve ka rreth 28 mijë euro.

Të hyra vjetore, Vela ka të deklaruara 19 mijë e 623 euro nga Presidenca, derisa mëditje të marra ka deklaruar 2 mijë e 318 euro.

Ndërkaq, bashkëshortja e tij ka 25 mijë euro pagë vjetore.

Ilir Kërçeli, shefi i kabinetit të kryetarit të Kuvendit, Glauk Konjufcës, ka deklaruar vetëm 520 euro mëditje.

Kërçeli ka të deklaruara tri banesa, një shtëpi dhe tokë, vlera e të cilave shkon në afro gjysmë milioni.

Shefi i kabinetit të Konjufcës ka mbi 28 mijë euro para të gatshme në bankë.

Ndërsa, të hyra vjetore, Kërçeli ka deklaruar 22 mijë e 600 euro nga ONAIR Media, 13 mijë e 500 euro nga Kuvendi i Kosovës, derisa nga Kuvendi thotë se ka marrë vetëm 520 euro mëditje.

Ai, po ashtu, nga aksionet në ONAIR Media ka të hyra vjetore prej 79 mijë e 300 euro.

Kurse, shefi i kabinetit të ministres të MPJD, Sharr Jakupi, ka të deklaruar një shtëpi në vlerë prej 80 mijë euro.

Ai po ashtu ka deklaruar para të gatshme në dy banka jashtë Kosovës, në njërën 2 mijë e tjetrën 500 euro. Po ashtu, në një bankë në Prishtinë ka deklaruar 600 euro.

 

Jakupi të hyra vajtore ka deklaruar 4 mijë e 280 euro nga Qeveria e Kosovës, ndërsa në mëditje duket se shefi i kabinetit të Gërvallës është “kampion” i Qeverisë, pasi që ai ka deklaruar 6 mijë 636 euro të marra si mëditje, raporton Demokracia.com.

Jeta Tela, shefe e kabinetit dhe këshilltare e lartë e ministrit Xhelal Sveçla ka të deklaruara dy banesa, një shtëpi dhe dy parcela në vlerë prej rreth 456 mijë euro.

Ajo ka të deklaruar edhe një veturë Audi në vlerë 9 mijë euro. Po ashtu, Tela-Shema ka aksione në dy shoqëri komerciale.

Tela bashkë me bashkëshortin e saj kanë të deklaruara rreth 19 mijë euro para të gatshme në bankë.

Shefja e kabinetit të Sveçlës ka marrë 5 mijë e 941 euro pagë nga MPB, që nga prilli i viti 2021. Ndërsa, që nga ajo periudhë ka marrë edhe 2 mijë e 242 euro mëditje.

Ndërsa, Agime Gashaj, shefe e kabinetit të ministrit të Mbrojtjes, nuk e ka deklaruar pasurinë. Të paktën Gashaj nuk figuron në faqen e AKK-së.

Kujtim Salihu, shef i kabinetit të ministrit të Shëndetësisë, ka deklaruar dy banesa, njëra në vlerë 60 mijë euro dhe tjetra 86 mijë euro, përcjell Demokracia.com.

Ai po ashtu ka deklaruar një veturë Golf7 në vlerë 10 mijë euro. Ndërsa, para të gatshme në bankë ka 15 mijë euro.

Salihu merr pagë prej 630 euro nga Ministria e Shëndetësisë, ndërsa nga Kolegji i Kirurgëve të Kosovës merr pagë prej 877 euro.

Ndërsa, këshilltarja e lartë politike e zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi, Kaltrina Zeka, nuk e ka deklaruar pasurinë në AKK ose të paktën deri më tani nuk është publikuar ajo.

Ndërkaq, Anyla Beqa, këshilltare politike e Ministres së Ekonomisë, ka deklaruar një shtëpi, një tokë dhe një lokal, të cilat i ka deklaruar si të trashëguara. Vlera e tyre arrin në 1 milion e 400 mijë.

Beqa ka deklaruar një veturë Toyota në vlerë 20 mijë euro, si dhe aksione në 3 kompani të ndryshme.

Beqa para të gatshme në bankë ka të deklaruara rreth 8 mijë euro.

Ajo merr pagë vjetore pre 8 mijë e 648 euro nga Ministria e Ekonomisë, ndërsa nuk ka deklaruar që ka marrë mëditje.

Yldiray Bayrami nga Ministria e Zhvillimit Rajonal, po ashtu, nuk ka deklaruar mëditje. /Demokracia.com/

Ndërsa, Genc Nimonit, shef i kabinetit të ministres Albulena Haxhiu, ende nuk i figuron në publik deklarimi i pasurisë në AKK.

E Natasa Elezovic, shefe e kabinetit të ministrit për Komunitete dhe Kthim, ka deklaruar që merr pagë prej 678 euro nga kjo ministri. Ajo nuk ka deklaruar mëditje.

 

Të ngjashme