Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj ka njoftuar edhe për një sukses tjetër të radhës të ushtarëve të FSK-së.
Mehaj përmes një postimi në Facebook, ka shkruar se rreshter Besart Kasumi nga Qendra Ndërkombëtare e Trajnimeve të Kërkim Shpëtimit (QNTKSH) zuri vendin e tretë, në garën e skijimit në Kampin ndërkombëtar “Winter Camp Slovenia 2022”.
Ministri gjithashtu njoftoi se në këtë kamp përveç Besart Kasumit ishte edhe Falmur Kajtazi.
Postimi i plotë:
Edhe një sukses i madh i radhës së ushtarakëve tanë.
Dy nënoficerët tanë Besart Kasumi dhe Flamur Kajtazi morën pjesë në Kampin ndërkombëtar “Winter Camp Slovenia 2022”, në mesin e 44 garueseve ushtarakë nga shtete anëtare të NATO-së.
Pas përfundimit të Kampit Dimëror ndër aktivitete të ndryshme ishte dhe gara e skijimit në disiplinën e sllallomit të madh në skijimin alpin.
Në konkurrencë shumë të madhe, rreshter Besart Kasumi nga Qendra Ndërkombëtare e Trajnimeve të Kërkim Shpëtimit (QNTKSH) zuri vendin e tretë.