Auto&Tech
TikTok-u, forca lëvizëse e së djathtës ekstreme
Demokracia
22:59 | 10 Qershor 2024

Share:

TikTok si forca lëvizëse e së djathtës ekstreme gjermane, kjo është ajo që del nga hulumtimi i qendrës arsimore “Anne Frank” në Frankfurt.

AfD kishte shënuar +12 pikë përqindje në grupmoshat 16-24 vjeç, një rritje vendimtare për rezultatin e shkëlqyer të partisë në zgjedhjet evropiane.

TikTok duket se ka qenë faktori vendimtar: partitë historike përbuzin ose nuk janë në gjendje të komunikojnë sa më mirë në platformën kineze, dhe kështu AfD arrin të mbushë hapësirën e lënë të lirë nga kundërshtarët e saj.

“Rezultati nuk është befasues duke pasur parasysh që shumica e të rinjve mësojnë për TikTok”, thotë drejtoresha e qendrës arsimore Deborah Schnabel.

Të Gjelbërit gjermanë, për shembull, nuk kanë përfaqësi në platformë dhe në këto zgjedhje humbën 23 pikë në votën e të rinjve.

Por jo vetëm kaq, mënyra se si komunikojnë politikanët e qeverisë nuk është në përputhje me pritshmëritë e përdoruesve të rinj.

Për Schnabel, vendosja e videove shpjeguese dhe përmbajtjes edukative nuk është e mjaftueshme.

“Të rinjtë duan gjithashtu të respektohen në qëndrimin e tyre estetik dhe të trajtohen në një nivel emocional”.

Një sondazh i publikuar në prill tregoi se AfD është partia e preferuar mes të rinjve të moshës 14-29 vjeç, me rreth 22%, dyfishin e shifrave të një viti më parë.

Për më tepër, Schnabel thekson se liderja e AfD Alice Weidel ishte një nga pesë ndikuesit kryesorë politikë në TikTok në Gjermani dhe ka më shumë ndjekës se kancelari Olaf Scholz.

Por ka edhe raste të tjera interesante.

Politikani i AfD-së, Ulrich Siegmund, nga rajoni gjerman lindor i Saksonisë-Anhalt, ka më shumë se 400 mijë ndjekës, ndërsa deputeti i AfD, Sebastian Münzenmaier, nga Mainz, ka pothuajse 80 mijë.

Përkundrazi, Kevin Kühnert, sekretari i përgjithshëm i SPD-së (partia qeverisëse që u rrëzua në zgjedhjet evropiane), mund të ketë pak më shumë se 11 mijë ndjekës, ndërsa zëvendëskancelari Robert Habeck ka më pak se 30 mijë.

Marrë nga “La Stampa”, përshtatur për Albanian Post 

Të ngjashme