Lajme
“Tik-tokeri” pa pikë përvoje në politikë zuri vend në Parlamentin Evropian
Demokracia
23:49 | 17 Qershor 2024

Share:

“YouTuber”-i dhe “Tik-Tokeri”, Fidias Panaviotou është 24-vjeçar. Ai nuk ka pikë përvoje në politike dhe arsimim zyrtar, por arriti të siguronte një ulëse në Parlamentin Evropian.

Ai këtë e ka bërë duke shfrytëzuar platformat sociale dhe famën që mori me paraqitjet e tij nëpër këto rrjete sociale.

Bëri fushatë duke shfrytëzuar pakënaqësinë e qiprioteve ndaj elitave politike dhe siguroi njërin nga gjashtë vendet e Qipros në Parlamentin Evropian.

Ai thotë se do të vazhdojë të përdorë rrjetet sociale “si armën time më të mirë në dispozicion” kur do të marrë punën si ligjvënës në Bruksel dhe Strasburg të Francës.

Duke përdorur emrin e tij të parë Fidias, ai siguroi një në pesë vota në zgjedhjet e Parlamentit Evropian. Këtë e bëri pa përkrahjen e ndonjë partie politike.

Fidias tronditi sistemin politik të Qipros, në të cilin ai nuk mori pozicion, nuk dha premtime as nuk prezantoi program për mandatin që synonte.

“Duket se tani njerëzit nuk janë të uritur për pozicione politike, por për njerëzit e vërtetë që nuk gënjejnë por thonë të vërtetën”, thotë ai në një intervistë për agjencinë e lajmeve “Associated Press”.

Teksa Fidias shmangu pozicionet politike dhe tashmë njihej për kritikat e tij online, kolegu i tij i ardhshëm, spanjoll Alvise Perez ishte i panjohur derisa nisi të shfrytëzonte Instagramin dhe Telegramin kundër rrezikut të supozuar nga migracioni.

E përbashkëta e Alvises dhe Fidias është se të dy qëlluan në shenjë falë mjeshtërisë së tyre në rrjetet sociale dhe kështu fituan përkrahjen e të rinjve, të cilët mund të kenë qenë indiferentë ndaj politikës.

“Ky nuk është vetëm fenomen spanjoll apo për atë YouTuberin në Qipro”, thotë Steven Forti, profesor i historisë në Universitetin Autonom të Barcelonës dhe ekspert i politikave të djathta ekstreme.

Forti thotë se krijimi i “subkulturave digjitale” përreth kandidatëve të pazakontë, ka qenë vendimtare në ngritjen e Donald Trumpit në SHBA dhe krejt së voni të Javier Mileit në Argjentinë, por edhe të kandidatëve të djathtë ekstremë në Evropë.

Mirëpo kjo dinamikë ka marr hov të madh nga trendi i bazuar në video nëpër rrjetet sociale.

“Llojet e reja të platformave digjitale si TikToku dhe Instagrami kanë përshpejtuar ndarjen e politikës, thotë Forti.

Sipas tij, kandidatët nëpërmjet rrjeteve sociale kanë përçuar më shpejtë idetë e tyre te njerëzit e zakonshëm

Të ngjashme