Sport
Tifozët e Evertonit mund ta thyejnë rregullin 40-vjeçar në ndeshjen e ardhshme
Demokracia
14:30 | 15 Maj 2025

Share:

Tifozët e Evertonit do t’i japin një lamtumirë emocionale stadiumit Goodison Park të dielën, në ndeshjen me Southamptonin në kuadër të xhiros së 37-të të Ligës Premier, pasi klubi nga Liverpooli po përgatitet të zhvendoset në një stadium të ri në ‘Bramley-Moore Dock’.

Stadiumi historik ka qenë shtëpia e ‘Toffees’ që nga viti 1892. Në vend që të shembet, Goodison Park do të rindërtohet duke filluar nga sezoni 2025/2026 për t’u bërë shtëpia e përhershme e ekipit të femrave të Evertonit.

“Ne e dimë sa shumë do të thotë Goodison, jo vetëm për çdo tifoz të Evertonit, por edhe për vetë lojën, dhe të qenit në gjendje të ruanim një stadium kaq ikonik si pjesë e një projekti trashëgimie ishte jashtëzakonisht e rëndësishme për ne”.

“Futbolli i femrave është rritur ndjeshëm vitet e fundit dhe ne besojmë se kjo rritje do të vazhdojë dhe do të përshpejtohet më tej. Ne nuk jemi naiv, jemi të vetëdijshëm për pengesat që duhet të kapërcejmë për ta bërë të gjithë këtë të funksionojë, si nga një perspektivë praktike ashtu edhe nga ajo financiare, por jemi të bindur se do t’i kapërcejmë ato me sukses”, ka thënë drejtori ekzekutiv i Evertonit, Angus Kinnear.

Tifozët do të lejohen të konsumojnë alkool në ulëse

Tifozët që do të marrin pjesë në ndeshjen e fundit të ekipit të meshkujve në shtëpi në Goodison Park, kundër Southampton më 18 maj, do të kenë leje të veçantë për të thyer protokollin e rreptë të Ligës Premier që ka qenë në fuqi për 40 vjet.

Deri më tani, ishte e ndaluar të konsumohej alkool në ulëse, por kjo do të ndryshojë këtë fundjavë për shkak të një programi të veçantë pas ndeshjes.

“Pas vërshëllimës së fundit, tifozëve do t’u kërkohet të qëndrojnë në vendet e tyre për një program të veçantë në fushë që do të përfshijë prezantues të ftuar, paraqitje nga lojtarë të mëparshëm dhe të tanishëm, performanca muzikore live dhe një program të kuruar posaçërisht në ekran të madh që do të kapë shpirtin, kujtimet dhe historinë e stadiumit”.

“Ceremonia, e quajtur ‘Fundi i një Epoke’, do të zgjasë afërsisht një orë dhe pas përfundimit, të gjithë spektatorëve do t’u kërkohet të largohen nga stadiumi. Pas ndeshjes, tifozët do të jenë në gjendje të blejnë ushqim dhe pije, përfshirë alkoolin, nga pikat e shërbimit të ushqimit në Goodison dhe të kthehen në vendet e tyre për të shijuar programin”.

“Konsumi i alkoolit do të lejohet brenda zonës së stadiumit nga fundi i ndeshjes deri në mbylljen e të gjitha bareve, përfshirë ato në lokacionet VIP, në orën 14:45”, thuhet në një deklaratë të publikuar në faqen zyrtare të Evertonit. /Telegrafi/

 

 

Të ngjashme