Sport
Tifozët duan largimin e Allegrit nga Juventusi
Demokracia
18:33 | 18 Mars 2022

Share:

U rikthye për të dërguar sërish Juventusin te suksesi, por ribashkimi i Masimiliano Alegrit në Torino po i tejkalon pritshmëritë, në sensin më negativ të fjalës.

Së bashku me zhgënjimin, po rritet edhe acarimi i popullit bardhezi që në rrjete sociale ka rikthyer në modë “etiketën” me të cilën dy vite më parë kërkonte largimin e trajnerit nga stoli i skuadrës së zemrës.

“AlegriOut” nuk është hera e parë që dëgjohet e nëse rezultatet do të jenë si ato në Champions, nuk ka për të qenë as hera e fundit. Procesi në rrjete sociale dhe ai mediatik kanë filluar dhe i akuzuari kryesor është Alegri. Sigurisht, përballë falimentit të ri europian, fajtori i vetëm nuk qëndron në stol.

Nën akuzë edhe shumë lojtarë të cilët nuk konsiderohen në lartësinë e fanellës bardhezi. De Shiljo dhe Rugani janë në krye të listës, por edhe Rabio apo Artur duhet të paguajnë për eliminimin nga Vijareali. Sidoqoftë, nuk është e thënë të jenë të vetmit.

NËN AKUZË – Nevojitet një rithemelim, dhe sa më parë të jetë e mundur. Askush në Torino nuk priste që rrugëtimi në Champions të ishte i lehtë. Vijareali nuk ishte një rival i pamundur dhe çerekfinalet apo më tej rruga do të ndërlikohej ndjeshëm, shkruan panoramasport.

Përpara ndeshjes Alegri pati përmendur finalen, ndërkohë që 24 orë më pas askush nuk gjen justifikim për një eliminim aq djegës. Katër vite radhazi që “Zonja e Vjetër” shkelmohet jashtë Europe nga ekipe me potencial shumë herë më të vogël. As me Ronaldon ëndrra e madhe nuk u realizua, ndaj 180 minutat me Vijarealin janë një tjetër barrë që rëndojnë mbi trajnerin dhe lojtarët.

FAJET – Alegri akuzohet për mungesë loje nga ana e skuadrës e cila u shfaq në një takim kaq të rëndësishëm pa ide dhe me një qasje shumë pritëse, ndërkohë që duhej të ishte treguar më kërkuese.

Edhe drejtuesit nuk u kanë shpëtuar qortimeve, sepse pas largimit të Pirlos e ndonjë tjetri vendosën t’i besonin Bentankurit apo Rabiosë që nuk e bënë kurrë hovin cilësor.

Edhe Artur nuk po shfaqet ai i parë në daljet fillestare me Barcelonën, pavarësisht se Brazili po e grumbullon përsëri. Faje kanë të gjithë, ndërsa barra rëndon mbi tifozët, që u detyruan të asistojnë në një tjetër turp kontinental. /Demokracia.com

Të ngjashme