Përmes një komunikate publike, tifogrupi më i madh i Kombëtares Shqiptare “Tifozat Kuq e Zi” i ka bërë thirrje qeverisë të lejojë praninë e tifozëve në shkallët e stadiumit në eventet sportive, duke sjellë në vëmendje faktin që vende me situatë më të rënduar se Shqipëria, kanë hapur impiantet sportive në masën 30% të kapacitetit.
“Shumë vende me statistika më të rënduara të Covid-19 se Shqipëria, kanë lejuar pjesëmarrjen e tifozëve në masën 30% të kapacitetit të stadiumeve, duke respektuar edhe udhëzimet e protokollet e UEFA-s dhe autoriteteve shëndetësore, ndaj kërkojmë që qeveria shqiptare të bëjë të mundur lejimin e pjesëmarrjes së tifozëve në eventet sportive”, thuhet ndër të tjera në komunikatën e tifogrupit.
Gjithashtu “Tifozat Kuq e Zi” i bëjnë thirrje edhe Federatës Shqiptare të Futbollit që të ushtrojë presion te autoritetet shëndetësore, me qëllim që ndeshjet e ardhshme të Kombëtares të luhen me praninë e lojtarit të 12.
Shqipëria do të përballet me Anglinë më 28 mars në orën 18:00 në stadiumin “Arena Kombëtare” në Tiranë, në sfidën e vlefshme për eliminatoret e Kupës së Botës Katar 2022, ku të dy përfaqësueset bëjnë pjesë në grupin I. /Demokracia.com