Sot, 24 vjet më parë, më 6 shkurt të vitit 1999 filloi punimet Konferenca e Rambujesë. Kjo konferencë, e cila u mbajt në afërsi të Parisit të Francës, synoi zgjidhjen e krizës në Kosovë.
Iniciues të konferencës, që zgjati deri më 23 shkurt ishte Grupi i Kontaktit, ndërsa ndërmjetës ishin Christopher Hill nga SHBA-ja, Boris Maiorsky nga Rusia dhe Wolfgang Petritsch nga BE.
Për herë të parë, Ushtria Çlirimtare e Kosovës u bë pjesë e tavolinës së dialogut me përfaqësuesit e shteteve më të fuqishme të botës, Shtetet e Bashkuara, Britania e Madhe, Franca, Gjermania, Italia dhe Rusia, shkruan Demokracia.com.
Pjesë e delegacionit të Kosovës në Konferencën e Rambujesë ishin Hashim Thaçi, drejtor politik i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, zëdhënësi Jakup Krasniqi dhe anëtarët e Shtabit të Përgjithshëm, Azem Syla, Ramë Buja dhe Xhavit Haliti. Nga partitë politike dhe shoqëria civile, pjesë e delegacionit të Kosovës ishin Ibrahim Rugova, Rexhep Qosja, Fehmi Agani, Idriz Ajeti, Bujar Bukoshi, Hidajet Hyseni, Bajram Kosumi, Veton Surroi dhe Blerim Shala.
Vendimi që morën vendet anëtare të Grupit të Kontaktit, më 29 janar 1999, për të organizuar një konferencë ndërkombëtare për Kosovën, nuk mori shkas vetëm nga masakra e Reçakut që kishte ndodhur dy javë më parë, masakër që shënonte pikën fundore të politikës së dhunës dhe të gjenocidit të regjimit të Sllobodan Millosheviqit për ta mposhtur rezistencën dhe luftën e shqiptarëve për liri.
Deklarata e Grupit të Kontaktit ishte ultimative dhe ajo kërkonte të gjendej një formulë kompromisi bashkëjetese midis serbëve dhe shqiptarëve brenda çatisë së Republikës së mbetur Federative të Jugosllavisë. Parashihej që shqiptarëve t’u ofrohej një status autonom i zgjeruar. Shqiptarët e Kosovës u gjenden para një situate sa historike, aq dhe delikate. Nuk ishte e thjeshtë që të merrej një vendim kaq madhor kur nuk kishte garanci, kur nuk premtohej realizimi i objektivit final, liria dhe pavarësia.
Shqiptarët ndodheshin para një dileme hamletiane, të shkonin apo të mos shkonin në Rambuje. Zëra të njohur të politikës mbarëshqiptare, si Adem Demaçi në Prishtinë dhe Sali Berisha në Tiranë, vajtjen në Rambuje e quajtën tradhti kombëtare.
Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian u angazhuan fuqimisht për t’i sjellë palët në Rambuje. Më 2 shkurt 1999, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja për Bashkimin Demokratik u deklaruan në favor të pjesëmarrjes në Konferencën e Rambujesë.
Por, vendimtar ishte reagimi i UÇK-së dhe aty u përqendruan në mënyrë të veçantë edhe përpjekjet e amerikanëve. Uashingtoni, por edhe të tjerë, iu drejtuan për ndihmë edhe Qeverisë Shqiptare, fjala e së cilës dëgjohej me vëmendje. Presidenti i Republikës, kryeministri dhe ministri i Jashtëm biseduan intenzivisht me përfaqësuesit e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK, në krye me Hashim Thaçin që u gjendeshin në Tiranë. Në pasditen e 2 shkurtit, zëdhënësi i UÇK-së shpalli vendimin e Shtabit të Përgjithshëm për të shkuar në Konferencën e Rambujesë. Më 4 shkurt edhe Beogradi mori vendimin për ta dërguar delegacionin e tij në Konferencë.
Konferenca e Rambujesë u hap më 6 shkurt pasdite. Në emër të Grupit Kontaktit, delegacioneve shqiptare e serbe iu shpërnda “Korniza e Marrëveshjes së Përkohshme për Paqe e Vetëqeverisje në Kosovë”, si projekt bazë për diskutimet. Ajo u njoh ndryshe edhe si Marrëveshja Kuadër.
Kryesues i delegacionit të Kosovës u zgjodh Hashim Thaçi, drejtuesi politik i UÇK-së, duke bërë kështu që UÇK-ja të ishte në qendër të punimeve të konferencës, por edhe të diplomacisë dhe të medias ndërkombëtare.
Ajo u bë objekt analizash të burokracive diplomatike, jo vetëm të gjashtë qeverive të vendeve të Grupit të Kontaktit, por shumë më gjerë, të vendeve evropiane, rajonale, të NATO-s, të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.
Jo vetëm Madeleine Albright, që kishte informacionin më të plotë e më cilësor, por edhe kryediplomatë të tjerë si sekretari i jashtëm britanik Robin Cook, ministri i Jashtëm francez Huber Vedrin, gjermani Joshka Fischer, italiani Lamberto Dini e të tjerë, erdhën në Rambuje me dosje të plotësuara me studime dhe analiza për UÇK-në dhe drejtuesit e saj.
Dhe jo vetëm kaq, por dhe me paragjykime, sidomos dy-tre prej tyre, të cilët, në një mënyrë ose një tjetër, reflektonin dhe lidhjet tradicionale të vendeve të tyre me Serbinë dhe Jugosllavinë e mbetur. Ministri i Jashtëm i Rusisë, Igor Ivanov dhe përfaqësuesi i posaçëm rus në Rambuje, Boris Majorski, ishin të rreshtuar në Grupin e Kontaktit më tepër për të ndikuar në relativizimin e goditjeve të forta perëndimore ndaj regjimit të Millosheviqit sesa të kërkonin zgjidhje realiste të konfliktit në Kosovë. UÇK-në ata e shihnin dhe e vlerësonin me syzet e Beogradit.
Diplomatë të nivelit të lartë nga Departamenti i Shtetit, juristë dhe ekspertë të së drejtës, u angazhuan si këshilltarë pranë delegacionit shqiptar. Edhe Shqipëria angazhoi ekspertizën e saj më të mirë juridike në të drejtën ndërkombëtare e kushtetuese për konsultime e mendime për Marrëveshjen Kuadër, që ishte dorëzuar në fillim të konferencës e për të gjitha çështjet në vijimësi.
Korniza e Marrëveshjes së Përkohshme për Paqe dhe Vetëqeverisje në Kosovë, që iu shpërnda të dy delegacioneve në emër të Grupit të Kontaktit, ishte një dokument i hartuar me shumë kujdes e frymë kompromisi. Ai përmbante disa kapituj ku trajtoheshin parime të përgjithshme, çështjet e sigurisë, të institucioneve vetëqeverisëse në Kosovë, të pushtetit legjislativ dhe ekzekutiv. Në këtë projekt-marrëveshje parashikohej që garante për zbatimin e saj do të ishin forcat ndërkombëtare që do të vendoseshin në Kosovë.
Gjithashtu, aty theksohej se pas tre vjetësh, që cilësohej si periudhë kalimtare, kjo marrëveshje do të rishikohej dhe do t’i bëhej një vlerësim tërësor nën kujdesin ndërkombëtar, me qëllimin për ta përmirësuar zbatimin e saj dhe për të përcaktuar nëse vënia në jetë i propozimeve do të kërkonte hapat plotësuese nga çdo anë. Delegacioneve iu la dy ditë afat për ta studiuar e diskutuar projekt-marrëveshjen e për t’i paraqitur mendimet e tyre në treshen e negociatorëve ndërkombëtarë: Kristofer Hill, Volfgang Petritsch dhe Boris Majorski.
Shqyrtimi i dokumentit të Grupit të Kontaktit nga delegacioni shqiptar nxori mangësi dhe paqartësi rreth përcaktimit të statusit të Kosovës, çështjes së organizimit të referendumit në përfundim të periudhës kalimtare trevjeçare dhe fatit të UÇK-së. Formulimi i statusit të Kosovës ishte lënë qëllimisht jashtë tekstit të Marrëveshjes Kuadër, sepse ajo mund ta komprometonte që në fillim suksesin e konferencës. Aty vetëm se ishte përmendur disa herë parimi i vetëqeverisjes në kuadrin e të drejtave të minoriteteve për të marrë pjesë aktive në qeverisjen e Kosovës e në ushtrimin e lirive dhe të drejtave demokratike. Në dokument nënvizohej se këto liri dhe të drejta të komuniteteve nacionale nuk duhej ta cenonin sovranitetin shtetëror dhe integritetin territorial të Republikës Federale të Jugosllavisë.
Përfaqësuesit e UÇK-së, që në fillim reaguan se në projektmarrëveshje mungonte klauzola e referendumit për statusin e ardhshëm të Kosovës, si dhe ajo për fatin e UÇK-së.
Me objektiv zvarritjen e procesit, por edhe për ta ndryshuar kursin e tij, serbo-jugosllavët propozuan që të dyja palët ta nënshkruanin paraprakisht paketën me dhjetë parimet bazë të Marrëveshjes Kuadër, të cilat ishin të përgjithshme dhe nuk cenonin drejtpërsëdrejti interesat e tyre në Kosovë.
Por, kjo përpjekje e Beogradit u kuptua menjëherë nga ndërmjetësuesit amerikanë dhe evropianë. Ambasadori Hill në lidhje me këtë atëbotë deklaroi se “kjo strategji e delegacionit serb, për ta nënshkruar deklaratën e dhjetë parimeve pa përfundimin e marrëveshjes finale, synon ta minojë Rambujenë. Filozofia jonë është që asgjë e veçantë nuk duhet pranuar pa u pranuar e gjitha”.
Një javë pas fillimit të Konferencës së Rambujesë, ashtu siç dhe pritej, nuk pati ndonjë përparim për t’u shënuar.
Ministrat e jashtëm të Grupit të Kontaktit, më 14 shkurt, në mbledhjen e tyre të parashikuar, vendosën për zgjatjen edhe për një javë të konferencës, deri më 20 shkurt.
Në konkluzionet e kësaj mbledhjeje, Grupi i Kontaktit i ftoi të dy delegacionet që të shfrytëzonin ditët në vijim për të arritur një marrëveshje të shpejtë mbi bazën e propozimeve për vetëqeverisje në Kosovë. Duke e ndier rrezikun e dështimit, Shtetet e Bashkuara ndërmorën një ofensivë intensive diplomatike për t’i ulur palët në tryezë për ta nënshkruar marrëveshjen.
Vetë presidenti i SHBA-së, Bill Klinton, paralajmëroi një ditë para mbledhjes së Grupit të Kontaktit, më 13 shkurt, se në qoftë se Serbia nuk i përmbush angazhimet e saj të mëparshme për tërheqjen e trupave dhe nuk e mbështet marrëveshjen e paqes, NATO-ja është e autorizuar të kryejë sulme ajrore kundër saj.
“Në të njëjtën kohë, ne ua kemi bërë të qartë shqiptarëve të Kosovës se nëse ata e kundërshtojnë planin tonë ose vazhdojnë luftën, ata nuk do të kenë mbështetje nga ne”, deklaroi në atë kohë Clinton, shkruan Demokracia.com.
Madeleine Albrighti, në vijim të deklaratës së presidentit Klinton, për herë të parë në Rambuje arriti që drejtuesit e të dy delegacioneve t’i ulte në një tavolinë dhe t’u përcillte qartë si mesazhet e presidentit amerikan, ashtu edhe ato të Grupit të Kontaktit. Këto mesazhe ajo ua dha në një takim të veçantë drejtuesve të delegacionit shqiptar Hashim Thaçit, Ibrahim Rugovës e Rexhep Qosjes.
U vendos që ndërmjetësuesi amerikan Hill, i shoqëruar nga përfaqësuesit amerikanë, më 16 shkurt të shkonin në Beograd e ta takonin Millosheviqin.
Ky takim u parashoqërua nga një bisedë telefonike e Albrightit me të. Njëkohësisht, në rrugë jozyrtare delegacionit serbo-jugosllav iu dorëzua teksti i plotë i projekt-marrëveshjes së bashku me aneksin e sigurisë.
Këto veprime e rivendosën procesin në lëvizje. Më 16 shkurt, delegacioni serbo-jugosllav dorëzoi komentet për tre kapitujt e parë të projekt-marrëveshjes që i ishin dorëzuar zyrtarisht që në fillim të konferencës.
Përfundimi, siç shkroi ndërmjetësuesi austriak i Bashkimit Evropian, ambasadori Petritsch ishte zhgënjyes. N ë të hidheshin poshtë disa pjesë thelbësore të marrëveshjes, duke u zëvendësuar me formulime krejt të reja.
“Ky qëndrim nuk ishte aspak i frytshëm për vazhdimin pozitiv të konferencës”, deklaroi ai.
Më 18 shkurt, konferenca hyri në fazën e saj përfundimtare.
Grupi i Kontaktit këtë ditë ua shpërndau të dy delegacioneve një projekt të dytë të Marrëveshjes Kuadër, përfundimtar me ndryshime të rëndësishme në favor të Serbisë e të Jugosllavisë. Delegacioni shqiptar u shokua nga ky projekt. Vite më vonë, një anëtar i tij, Blerim Shala, e kujtonte kështu: “Të gjithë anëtarët e delegacionit, tejet të lodhur, të frustruar, nervozë, ndiheshin edhe të mashtruar e të manipuluar, sepse e tërë puna jonë, posaçërisht e Grupit Politik e dhjetë ditëve të kaluara, kishte shkuar huq”.
Shqiptarët e Kosovës, aq sa kishin shansin për të fituar, po kaq edhe rrezikoheshin që ta humbnin mbështetjen amerikane dhe atë ndërkombëtare me këmbënguljen e tyre për të fituar gjithçka që synonin në Konferencën e Rambujesë. Por, edhe për Shtetet e Bashkuara, konferenca ishte një sfidë që duhej fituar. Burime diplomatike të kohës pohuan se Madeleine Albright po jetonte “çastet më të vështira që nga koha kur ishte emëruar sekretare shteti”.
Nuk ishte një sfidë vetëm personale, por vihej në dyshim edhe efikasiteti i politikës së jashtme amerikane, aftësia e saj për të ndërhyrë e zgjidhur krizat, pa folur për rrjedhojat ndërkombëtare të një dështimi të mundshëm.
Në Uashington të gjitha u morën në konsideratë dhe u diskutuan. Albright, më 20 shkurt, që ishte dhe dita e fundit e konferencës, erdhi dhe u vendos në Rambuje. Ajo takoi e ritakoi delegacionin shqiptar në përpjekje për ta bindur për ta nënshkruar marrëveshjen, u bëri sqarime dhe u dha garanci, u premtoi mbështetje, por edhe paralajmëroi se Kosova mund t’i humbiste Shtetet e Bashkuara e dihej se cilat mund të ishin rrjedhojat.
Në përfundim të këtij kalvari bisedimesh në Kështjellë u sqaruan disa çështje, por dy më kryesoret, ato për referendumin në fund të periudhës kalimtare dhe për të ardhmen e UÇK-së, nuk qe e mundur të gjendej konsensusi.
U propozuan formulime alternative për fjalën “referendum” e “vullnet i popullit”, u propozua një letër garancie nga Hilli e më vonë nga Albright për angazhimin amerikan për zbatimin e marrëveshjes, por jo të gjithë anëtarët e delegacionit u bindën, veçanërisht Thaçi. Për të fituar kohë, Shtetet e Bashkuara ndërhynë dhe zgjatën edhe tri ditë të tjera konferencën, deri më 23 shkurt në mesditë.
Ndërkohë që vazhdoi të punonte me Hashim Thaçin e delegacionin shqiptar, sekretarja amerikane kërkoi ndihmën urgjente të Qeverisë Shqiptare.
Më 21 shkurt në mbrëmje dhe ditën tjetër paradite, Albright bisedoi dy herë me kryeministrin Majko dhe ministrin e Jashtëm, ndërkohë që Christopher Hill ishte në kontakt të vazhdueshëm.
Kërkesa e tyre ishte “që edhe një herë tjetër urgjentisht ta përdornim influencën tonë te Thaçi dhe djemtë e tjerë të UÇK-së për t’i bindur”, ishte thënë nga diplomacia shqiptare.
Sekretarja e Shtetit informoi se i kishte dërguar një projekt-letër delegacionit shqiptar në të cilën bënte interpretimin e paragrafit 8, pika 1, që bënte fjalë për një mbledhje ndërkombëtare në fund të periudhës kalimtare trevjeçare, ku do të shqyrtohej mekanizmi për ta përcaktuar statusin final të Kosovës, duke marrë parasysh vullnetin e popullit.
Ky formulim, sqaronte në atë kohë sekretarja e shtetit, “u jep të drejtën shqiptarëve të kërkojnë referendumin pas tre vjetësh”. Edhe për të ardhmen e UÇK-së, e cila, sipas Petritschit, ishte “arsyeja e vërtetë e intrasigjencës kosovare”, amerikanët kishin ofruar formula të transformimit të saj në parti politike apo në forcë sigurie, u kishin sjellë ekspertë për t’i shpjeguar këto organizime. Por, nuk kishin mundur t’i largonin dyshimet as të Hashim Thaçit dhe as të UÇK-së.
Faza finale e konferencës ishte dramatike. Delegacioni shqiptar ndodhej para përgjegjësisë historike që nuk mund të përshkruhet me fjalë. Por, në momentet e fundit e gjithë barra e vendimmarrjes rëndoi vetëm mbi Hashim Thaçin.
“Mbi tridhjetëvjeçarin pa përvojë në politikë rëndonte një përgjegjësi gjigante”, shkroi pak vite më vonë ndërmjetësuesi i BE-së, Petritsch.
Ministri i Jashtëm i Shqipërisë i asaj kohe, Paskal Milo, shkruan se Thaçi ishte i zgjuar, luftarak, kokëfortë, por edhe shumë konspirativ.
“As nuk e kuptoje në vështrimin e parë, as në fillim kur ai ta jepte përshtypjen e një njeriu timid, as edhe në fund të bisedës kur e njëjta fytyrë nuk shprehte asgjë dhe me kursim mund të konfiguronte një buzëqeshje të lehtë. Ky ishte Hashim Thaçi i fasadës. Thelbi i tij ishte krejt tjetër: vullnet deri në ekstrem për t’i arritur objektivat e tij, dyshues, nervoz deri në fund kur i mbaronin argumentet, por shumë i vëmendshëm e miqësor atje ku e lypte interesi ose në adresë të atyre që fitonin besimin e tij. Thaçi në ato ditë shkurti jetonte në vorbullën e mendimeve, llogarive e sugjerimeve kontradiktore, të presioneve e të kërcënimeve që i vinin nga komandantët e UÇK-së në Kosovë, por dhe nga mbështetës e sponsorë të diasporës në Perëndim. Përtej çështjes madhore kombëtare, në lojë ishte dhe fati i tij personal. Nga ana tjetër, tek ai përplasej presioni i madh amerikan. Administrata e Bill Klintonit, vetë presidenti, sekretarja e shtetit, CIA, NATO e të tjerë nuk mund të pranonin që realizimi i objektivave të tyre strategjike në rajon të merreshin peng nga një individ, deri disa muaj më parë krejtësisht i panjohur. U përdorën të gjitha mjetet dhe mënyrat, të buta e të forta, premtime të afërta e të largëta për ta joshur e për ta bindur. Amerikanët shpeshherë kanë shtrënguar dhëmbët në adresë të tij dhe autori i këtyre radhëve ka qenë i pranishëm ose i ka dëgjuar artikulimet plot zemëratë apo kërcënimet e përfaqësuesve të lartë diplomatikë amerikanë ndaj tij”, kujton Milo.
Sipas tij, në Konferencën e Rambujesë, as Hashim Thaçi dhe as UÇK-ja, nuk ishin instrumente në duart e Shteteve të Bashkuara siç mendohej në Beograd, Moskë apo gjetiu apo siç aludohej nga kritikët mediatikë ndërkombëtarë.
Ai ka folur edhe për takimin ndërmjet ish-sekretares Albright dhe Thaçit.
“Në këto rrethana të jashtëzakonshme, delegacioni shqiptar nga Tirana, i kryesuar nga ministri i Jashtëm, arriti në Rambuje. Ishte dita e fundit e konferencës. Madeleine Albrighti ishte në alarm. Një natë më parë ajo deri në mesnatë ishte përpjekur ta thyente rezistencën e Thaçit, por pa sukses. Kishte arritur që me një gjuhë sa ultimative, por edhe dëshpëruese, t’i shqiptonte fjalët: nëse nuk do të kishte marrëveshje ajo do ta harronte fjalën Kosovë! Hilli dhe ndihmësit e tij në Kështjellë ishin të rraskapitur pas 48 orë pa gjumë e po bënin përpjekjet e fundit, por pa shumë shpresë. Kishte rënë hija e rëndë e dështimit të konferencës. Delegacioni i shqiptarëve të Kosovës brenda në konferencë ishte i mpirë dhe i pafuqishëm për të ndryshuar ndonjë gjë. Dy takime dramatike, njëri në orën 8.00 të mëngjesit, tjetri në orën 13.00 të ministrit të jashtëm shqiptar, Sabri Godo, me katër anëtarë të delegacionit të shqiptarëve të Kosovës brenda ambienteve të Kështjellës, ishin shpresa e fundit. Në takime erdhën Hashim Thaçi, Rexhep Qosja, Azem Syla dhe Veton Surroi. Se çfarë u tha e u bisedua aty në përgjithësi është bërë e njohur. Takimi i parë nuk solli ndonjë ndryshim në qëndrimin e Thaçit, ndërkohë që Qosja, Surroi dhe Syla mbështetën nënshkrimin e marrëveshjes. Me kërkesën e ministrit të jashtëm shqiptar, Hilli organizoi një takim të dytë me Thaçin dhe bashkëshoqëruesit e tjerë”. ka treguar ai.
Po ashtu, Milo thotë se takimi i dytë kishte shumë emocione dhe se ishte përpjekja e fundit.
“Pritej vetëm përgjigjja e delegacionit shqiptar. Përsëri të njëjtat argumente. Veç me një ndryshim taktik: “bombardimi” i Thaçit nga pikëpamja psikologjike rreth përgjegjësisë së tij ndaj kombit shqiptar, Shqipërisë dhe rrezikut të humbjes përfundimisht të miqësisë e të aleancës me Shtetet e Bashkuara në këto kohë vendimtare. Kjo “kryqëzatë” psikologjike në kështjellën mesjetare franceze, e kombinuar me dy telefonata nga Tirana prej kryeministrit Majko, më në fund çuan në fjalët e Thaçit me peshë historike: “Më lejoni të shkoj gjysmë ore në dhomë e të marr një vendim”. Mesazhi që përcollën këto fjalë, sytë e Hashim Thaçit dhe buzëqeshja e tij disi enigmatike, e përcollën vendimin e tij që aty ku u bë takimi i dytë, në palestrën e shkollës së Rambujesë, një “Po” në parim që do të kthehej rreth dy orë më vonë me vendim që delegacioni shqiptar do ta firmoste marrëveshjen dy javë pas konsultimeve që do të bëheshin me popullin në Kosovë. Si garanci, delegacioni shqiptar dorëzoi një letër tek amerikanët me firmën e sekretarit të tij Veton Surroi.”, kujton Milo detaje të tjera nga koha e konferencës.
Pas UÇK-ja hapi dritën jeshile për miratimin e Marrëveshjes, siç thotë Milo, shqiptarët e Kosovës e kishin kryer detyrën e tyre para historisë, por edhe para Grupit të Kontaktit e komunitetit ndërkombëtar.
Në emër edhe të saj, më 14 mars, Hashim Thaçi u dërgoi letra garancie sekretares së shtetit, Madeleine Albright, bashkëkryetarëve të Konferencës Ndërkombëtare, Robin Cook e Hyber Vedrin, si dhe kryetarit të K.M. të BE-së, ministrit të Jashtëm gjerman Joshka Fischer.
Ditën tjetër, më 15 mars, në Qendrën Ndërkombëtare Kleber në Paris, Grupi i Kontaktit rifilloi negociatat me delegacionin serbo-jugosllav, i cili paraqiti 20 faqe vërejtje për tekstin e projekt-marrëveshjes. Ishte një përpjekje e fundit, por edhe e dështuar e delegacionit serbo-jugosllav për të fituar kohë e për ta zvarritur nënshkrimin e marrëveshjes. Nuk kishte më vesh në Grupin e Kontaktit për t’i dëgjuar. Më 18 mars, në Qendrën Ndërkombëtare Kleber, u nënshkrua Marrëveshja e Përkohshme për Kosovën.
Nga delegacioni shqiptar nënshkruan Hashim Thaçi, Ibrahim Rugova, Rexhep Qosja dhe Veton Surroi. Të pranishëm ishin edhe negociatorët ndërkombëtarë të Grupit të Kontaktit, Hill, Petritsch dhe Majorski. Dy të parët e nënshkruan marrëveshjen, rusi Majorski jo. Konferenca e Rambujesë u mbyll. Shqiptarët dolën fitimtarë. Por, duhet pohuar pa mëdyshje se faktori kryesor në suksesin e shqiptarëve në Konferencë ishte UÇK-ja. Ndërhyrja e NATO-s në Kosovë më 24 mars 1999, lufta e UÇK-së e rezistenca e të gjithë shqiptarëve deri më 9 qershor, ditën e nënshkrimit të Marrëveshjes së Kumanovës, që shënoi fundin e sundimit serbo-jugosllav, i kapërceu vendimet dhe vetë Marrëveshjen e Rambujesë.
Për rolin e Hashim Thaçit në Rambuje kanë shkruar edhe gazetarët Baton Haxhiu e Blendi Fevziu. Ata në një shkrim kanë përshkruar njërin prej momenteve më vendimtare të Rambujesë, takimin Albright dhe Thaçi, shkruan Demokracia.com.
Ja si e përshkruajnë ata këtë situatë:
Dy vetë qëndronin përballë njëri tjetrit, në dhomën e ftohtë të kështjellës mesjetare të Rambujesë. Ulur në dy anët e një tavoline të lëmuar nga koha, me vështrimet e përqendruara për të kuptuar më mirë atë që tjetri po mendonte atë moment. Dy personazhe me moshë dhe eksperienca të ndryshme, që befas, qenë bashkuar në tavolinën e gjatë për t’i dhënë rrugë një historie që po kalbte Ballkanin prej një dekade.
E para ishte gruaja më e fuqishme e globit, Sekretarja Amerikane e Shtetit, Madeleine Albright. Emigrantja Çeke, vajza e një diplomati të njohur të Pragës, kishte ngjitur majën e politikës botërore duke u bërë gruaja e parë që drejtonte diplomacinë e vendit më të rëndësishëm të rruzullit. Kishte një karrierë të gjatë në politikën e jashtme dhe kishte punuar për disa presidentë demokratë. E ashpër, këmbëngulëse, e bindur për fuqinë e shtetit që përfaqësonte, ajo i kishte ngulur sytë thellë si të donte ta intimidonte, njeriun që kishte përballë.
I dyti, një djalë i ri, që sapo kishte mbushur të 30–at, Hashim Thaçi. Një ilegal që deri një javë më parë nuk e njihte thuajse askush veç miqve dhe bashkëpunëtorëve të tij. I lindur në një fshat të largët të Kosovës të quajtur Burojë, në fare pak kohë, ai ishte ngjitur në majat e një lëvizje guerilase, duke u bërë Shef politik i saj dhe prej aty, kryetar i Delegacionit Kosovar në Rambuje. Dosja e tij në CIA ishte bosh dhe askush më mirë se sa gruaja përballë nuk e dinte se sa shqetësuese ishte kjo për të gjithë ata. Një numër i madh diplomatësh, që po mundoheshin të zgjidhnin konfliktin që kishte sfilitur dhe përgjakur Ballkanin prej vitesh, dhe që përmblidhte brenda tij më shumë se 700 vjet histori të komplikuar dhe të përgjakshme.
I treti, i vendosur midis, përkthyesi, qëndronte në pritje të fjalëve që momentin e parë dukej se asnjëri nuk kishte ndërmend t’i nxirrte në atë takim befasues. Situata ishte po aq e tensionuar sa pak minuta më parë, kur në tavolinën e sallës, qenë ulur përballë për herë të parë, dhe siç do shihej më vonë të fundit, dy delegacionet që qenë sjellë aty për të gjetur paqen, shqiptarët dhe serbët!
Tani qëndronin të dy përballë, të bindur se qëllimi i njërit nuk mund të arrihej kurrë pa dakordësimin e tjetrit. Të dy ishin të qartë në kërkesat e tyre.
Albright donte t’i jepte fund arrogancës së Millosheviqit në Ballkan. Një personazhi që e neveriste dhe që ajo besonte se nuk njihte asnjë formë tjetër bindjeje përveçse forcës. Për ta arritur këtë i duhej patjetër PO – ja e djalit të ri që kishte përballë. Po – ja e tij ishte shah-mat për liderin autoritarist të Beogradit. Nëse edhe Millosheviqi do të përgjigjej me Po, trupat e NATO – s do të vendoseshin në Kosovë, duke i dhënë fund metodave me të cilat ai besonte se do të vendoste hegjemoninë serbe atje. Nëse Millosheviqi përgjigjej Jo, avionët e NATO -s do fluturonin mbi Jugosllavi dhe ai nuk do të rezistonte gjatë. Liderin e Beogradit e shpëtonte vetëm një gjë: JO – ja e djalit që qëndronte përballë Albrightit.
Hashim Thaçi kërkonte pavarësinë e vendit të tij. Ai ishte lodhur nga rezistenca paqësore e Ibrahim Rugovës, liderit më të njohur politik në vend; ishte lodhur nga dhuna dhe tallja serbe. Prej vitesh si shumë moshatarë të tij, kishte vendosur të mos jetonte më në të njëjtën situatë si prindërit. Dhe për ta arritur këtë kishte zgjedhur luftën. Ishte i ri, pa shumë përvojë por ndryshe nga ata që besonin se ndarja prej Serbisë ishte praktikisht e pamundur, ai ishte i bindur për pavarësinë. Po – ja ose Jo – ja e tij në Rambuje, varej prej kësaj. Por ai e dinte, që pavarësia e vendit të tij, nuk mund të arrihej kurrë pa forcën dhe kërcënimin e vendit që përfaqësonte gruaja përballë.
Me planet dhe kalkulimet e tyre, qëndronin tani në dy anët e tryezës, në një takim që sipas regjistrit të kështjellës zgjati rreth 30 minuta. Dhe për të cilin askush veç tyre nuk di të thotë se çfarë u bisedua konkretisht. Të dy kanë botuar kujtime për atë takim.
Në librin e saj, Albright e përmend kështu: “Pas takimit të përgjithshëm, u takova vetëm për vetëm me Thaçin në njërën nga dhomat përdhese ku frynte shumë. Që në takimin e parë, ashtu si edhe në takimet e mëvonshme, u habita nga mosha e tij e re dhe mungesa e përvojës, çka e bënin atë herë kokëfortë e herë të etur për t’u pëlqyer të tjerëve. Në rastin e Rugovës ndieja se i drejtohesha një kolegu të çuditshëm akademik. Thaçi më ngjante më shumë me një student me mundësi të shkëlqyera, me prirjen për ta dorëzuar detyrën me vonesë”.
Ndërsa, në një intervistë të vitit 2000, Thaçi rrëfen: “Menjëherë pas takimit me delegacionin serb zhvilluam një takim vetëm për vetëm me znj. Albright, po në sallën ku u mbajt takimi i parë. Ajo m’u drejtua me këto fjalë: Ne duam paqe në Kosovë dhe rajon, duam të ndalen vrasjet dhe dëbimet“.
Albright e dinte se problemi kryesor që kishte Thaçi nuk ishte vetëm pavarësia e plotë, që e aspironte edhe pjesa tjetër e delegacionit, por një tjetër pikë delikate në marrëveshje. Bashkë me hyrjen e trupave të NATO -s në Kosovë do të niste edhe çarmatimi i UÇK–së. A do të pranonte lideri politik i një ushtrie që kishte humbur çdo besim tek politika dhe që besonte se rruga e vetme e suksesit ishin armët, t’i vendoste ato në një depo të ruajtur nga forcat e NATO–s dhe t’ia dorëzonte Kosovën atyre që ata besonin se ishin përgjegjësit kryesorë për situatën, politikanëve të Prishtinës?
“Sipas marrëveshjes sonë, UÇK-ja do të detyrohej të çarmatosej dhe do të hiqte krejtësisht dorë nga çfarëdolloj roli të pavarur ushtarak. E dija se Thaçi do ta kishte të vështirë ta pranonte këtë, edhe me garancitë që ofronte NATO-ja“.
Albright duket se është munduar t’ja bëjë sa më të thjeshtë Thaçit çarmatosjen e UÇK – së dhe t’i shpjegojë atij se në një shtet në paqe, mjetet e vetme demokratike janë zgjedhjet dhe politika. Në të njëjtën intervistë Thaçi kujton që Albright t’i ketë thënë:
“Shpresoj që Ju të bëheni Gerry Adams i Kosovës dhe të zgjidhni paqen kundrejt luftës”.
Ishte hera e dytë brenda një ore që Albright përmendet Gerry Adams, liderin e IRA që kishte ditur të kthehej nga një guerilas në një figurë politike. Një orë më parë, në takimin me delegacionin e plotë, ajo kishte përdorur shprehjen: “këtu ju keni edhe një Gerry Adams”, ndërsa në zbrazëtinë e sallës ku qëndronin vetëm të dy i ishte drejtuar Thaçit me fjalët: “Ju mund të bëheni Adamsi i Kosovës”.
Delegacioni i Kosovës kishte pranuar parimisht propozim-marrëveshjen për zgjidhjen e krizës në Kosovë, të cilën e kishte propozuar Grupi i Kontaktit. Delegacioni serb, sado që parimisht pranoi këtë propozim-marrëveshje, mbrojti qëndrimin që trupave të NATO-s të mos u lejohet kalimi nëpër Serbi dhe forcat ndërkombëtare në Kosovë të jenë në kuadër të Kombeve të Bashkuara.
Edhe rrethi i dytë i bisedimeve që filloi më 15 mars në Paris përfundoi pa sukses. Delegacioni kosovar dhe ai serb kishin nënshkruar më 18 mars marrëveshje të ndryshme. Delegacioni i Kosovës kishte nënshkruar marrëveshjen e ofruar nga bashkëbiseduesit ndërkombëtarë, ndërkohë që delegacioni serb kishte nënshkruar projektmarrëveshjen politike – marrëveshjen për vetëqeverisjen në Kosovë.
As tentimi i fundit, më 22 mars 1999 i të dërguarit special të SHBA-së, Richard Holbrooke, nuk ishte i suksesshëm. Ai nuk ia doli ta bind presidentin e atëhershëm të RSFJ, Sllobodan Millosheviq, që të pranojë marrëveshjen për Kosovën dhe vendosjen e trupave ndërkombëtare.
Më 24 mars 1999, NATO filloi bombardimin e trupave ushtarake dhe paramilitare të Serbisë. Bombardimet përfunduan me nënshkrimin e Marrëveshjes së Kumanovës që parashihte tërheqjen e trupave jugosllave nga Kosova dhe vendosjen e trupave paqësore ndërkombëtare.
Më pas, Këshilli i Sigurimit i OKB-së miratoi rezolutën 1244 me të cilën u vendos protektorati, prania ndërkombëtare në Kosovës, UNMIK-ut si mision civil dhe KFOR-it, mision ushtarak. Ndërkaq, më 17 shkurt 2008, Kosova shpalli pavarësinë./ Demokracia.com/