Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka zbuluar një pjesë të një bisede me një “mik evropian” menjëherë pas trazirave në pjesën veriore të vendit të banuar me shumicë serbe, ku serbët lokalë ishin ngritur në rezistencë të dhunshme, gjatë përpjekjes për ta ndalur aksionin e Policisë së Kosovës për t’ua mundësuar kryetarëve të rinj shqiptarë qasjen në objektet komunale atje.
Në një intervistë për gazetën gjermane “Stern” të shtunën, kreu i ekzekutivit kosovar, përveç se ka pohuar se një pjesë e komunitetit të gjerë ndërkombëtar e kanë fajësuar direkt Qeverinë e Kosovës për shpërthimin e dhunës në veri, ai ka hedhur një dozë ironie edhe mbi faktin që Kosova prej muajit qershor ndodhet nën masat ndëshkuese të Bashkimit Evropian (BE).
“Një nga miqtë e mi evropianë më tha: Ti je përgjegjës për shpërthimin e dhunës. Por nuk ka vullkane në veriun tonë. Pas dhunës ka agjentë, emra dhe organizata. Këtë e bëmë publike në qershor dhe ishte e qartë për të gjithë pas sulmeve paraushtarake në fund të shtatorit. Por ka njëfarë hezitimi për të tërhequr masat – siç quhen zyrtarisht – ndaj nesh”.