Oklahoma City Thunder e përjetoi një natë të veçantë mëngjesin e së enjtes (sipas kohës lokale), duke u përpjekur të balancojë emocionin e fitores me faktin se ende nuk e ka përmbushur misionin e saj.
Shai Gilgeous-Alexander shënoi 34 pikë dhe udhëhoqi Thunder drejt një fitoreje bindëse 124-94 ndaj Minnesota Timberwolves, duke e mbyllur serinë finale të Konferencës Perëndimore me rezultat 4-1 dhe duke siguruar vendin në finalet e NBA-së për herë të parë që nga viti 2012, raporton AP, transmeton Klankosova.tv.
Pas ndeshjes, MVP-ja i ligës u tregua i matur në gëzimin e tij. Oklahoma City do të përballet në finale me fituesin mes Indiana Pacers dhe New York Knicks. Indiana udhëheq aktualisht serinë finale të Konferencës Lindore 3-1, me ndeshjen e pestë që do të zhvillohet të premten në mëngjes (sipas kohës lokale) në New York.
“Na pret ende shumë punë”, tha Gilgeous-Alexander. “Ky nuk është qëllimi ynë përfundimtar. Kemi akoma për të mësuar dhe për t’u përmirësuar”.
Pavarësisht kësaj, lojtarët e rinj të Thunder e shijuan momentin me humorin që i karakterizon. Gjatë një interviste pas ndeshjes, trajneri Mark Daigneault nisi të lavdëronte ekipin e tij të ri.
“Këta djem janë të jashtëzakonshëm. Bëjnë gjithçka si duhet. Janë me karakter të lartë”.
Në atë moment, disa lojtarë filluan t’i vendosnin peshqirë mbi supe, një shaka që zakonisht e bëjnë me gazetarin lokal Nick Gallo gjatë intervistave. Pa e humbur fokusin, Daigneault qeshi dhe shtoi: “Janë idiotë”.
Chet Holmgren kontribuoi me 22 pikë, 7 kërcime dhe 3 bllokime, ndërsa Jalen Williams shtoi 19 pikë dhe 8 kërcime për Thunder.
Tifozët që kishin kaluar kohë të vështira pas largimit të Kevin Durant në vitin 2016 dhe një proces rindërtimi që e kishte çuar ekipin afër fundit të tabelës para katër vitesh, shpërthyen në festë në çerekun e katërt, kur Thunder hoqi nga loja titullarët 5:14 minuta para fundit, duke udhëhequr 108-74.
Për Minnesota Timberwolves, Julius Randle shënoi 24 pikë dhe Anthony Edwards 19, por ekipi pati vështirësi duke realizuar vetëm 41.2% të gjuajtjeve dhe duke humbur 21 topa.
Ishte një humbje e vështirë për Mike Conley, organizatorin 37-vjeçar të Timberwolves, i cili e pranoi se raste të tilla janë të rralla.
“Do të na duhet kohë për të kuptuar se çfarë bëmë dhe çfarë nuk arritëm”, tha Conley. “Por jam krenar për ekipin tim. Këta djem luftuan shumë. Jo vetëm për mua, por për të gjithë skuadrën”. /Klankosova.tv