Lajme
Thirrje nga të gjitha anët për de-eskalim, çka duhet të bëjë Albin Kurti sipas Halil Matoshit
Demokracia
14:11 | 20 Qershor 2023

Share:

Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimi Evropian dhe vende të tjera aleate të Kosovës, në vazhdimësi janë duke u bërë thirrje autoriteteve në Prishtinë e Beograd që të ulin tensionet, veprim ky që sipas tyre do të çonte në de-eskalimin e situatës.

Bashkimi Evropian u ka bërë thirrje të hënën kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, që të pranojnë pa kushte ftesën për pjesëmarrje në takimin e krizës në Bruksel, i cili është paraparë të mbahet sipas të gjitha gjasave më 22 ose 23 qershor.

Liderët e të dyja vendeve nuk është se i kanë dhënë një “JO” të prerë Brukselit.

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, kur është pyetur nëse do të pranonte një takim me presidentin serb Aleksandar Vuçiq në Bruksel, ka thënë se është ende i pavendosur nëse do të marrë pjesë.

Ka shtuar se kur t’i ketë të dhënat se si janë policët, do të marrë vendim nëse do të shkojë.

Ndërsa presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq, ka deklaruar se mund të shkojë në takim, por vetëm siç ka thënë ai “teknikisht”.

“Unë e konsideroj të pakuptimtë të flasë me një person që nuk është i gatshëm të flasë. Teknikisht mund të paraqitem në atë takim… por, të flasë me Kurtin jo”, ka thënë Vuçiq.

Publicisti Halil Matoshi, në një bisedë me Periskopin ka thënë se vendimet e kryeministrit në veri të vendit vetëm sa kanë prodhuar konflikt, ku për bilanc ka 2 kryetarë “të ngujua” e tre policë kufitarë të rrëmbyer, duke humbur kështu edhe mbështetjen e aleatëve perëndimorë të Kosovës

“Ai poashtu nuk i përfilli kushtet e Perëndimit për de-eskalim duke qitur sërish kushtet e tij dhe në vazhdimësi po e pesonalizonte konfliktin ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, në konflikt të tij me Presidentin Vuçiq. Ai është në një garë të rrezikshme me Aleksandar Vuçiq-in se cili është më i fortë në veri. Ai arriti t’i ngujonte dy kinse-kryetarë në objektet komunale në veri dhe të kapte tre kriminelë, por tash po e humb mbështetjen e aleatëve. Dhe nuk po ka më kë të flasë për tre burrat e policisë kufitare të rrëmbyer nga njësia speciale e xhandarmërisë serbe. Të gjithë po e trajtojnë me heshtje!?”, ka thënë Matoshi.

Për analistin Matoshi, e vetmja mënyrë për të dalë nga kjo situatë, është që të fillohet më zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit, e më pas hapat e tjerë që i ka shpjeguar kështu:

“Sëkëndejmi Kurtin dhe Kosovën e shpëton vetëm fillimi me urgjencë i zbatimit të Marrëveshjes së Ohrit, fillimisht duke i tërhequr dy kryetarët nga objektet e komunës në zyrat e komuniteteve, së bashku me policët specialë dhe shpalljen e zgjedhjeve të lira në veri, dhe t’i rikuperojë raportet me ShBA e BE si çështje ekzistenciale”, ka thënë Matoshi për Periskopin.

Në fund të muajit maj, në pjesën veriore, qeveria e Kosovës mori vendim për instalimin e kryetarëve të komunave me shumicë serbe nëpër ndërtesat komunale nën prezencën e Njësisë Speciale të Kosovës. Kjo shkaktoi pakënaqësi te banorët serbë të asaj pjese, të cilët nisën protestat, të cilat në disa raste edhe përshkallëzuan në dhunë.

Policia e Kosovës ka arrestuar disa persona të dyshuar për dhunë ndaj gazetarëve dhe pjesëtarëve të KFOR-it.

Rreth një javë më parë, Policia serbe ka rrëmbyer 3 policë kufitar, që sipas autoriteteve të Kosovës ata ndodheshin brenda territorit të Kosovës. Në Serbi atyre u është caktuar masa e paraburgimit.

Për lirimin e menjëhershëm të tyre dhe pa kushte, kanë bërë thirrje edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës

Të ngjashme