Lajme
Thirrja për të “ndalur marrëzinë”| A u zbyth qeveria Kurti pas thirrjeve të Clintonit?
Demokracia
08:06 | 16 Korrik 2023

Share:

Javën e kaluar, ish-presidenti i ShBA-ve qëndroi në Tiranë të Shqipërisë, ku mbajti një fjalim, i cili përmbante edhe mesazhe shumë të ashpra kundër veprimeve që çuan në përshkallëzimin e situatës në veri. Clinton komentoi situatën e tensionuar, duke theksuar se në shtetin kosovar po ndodhin gjëra “që s’do të donte të kishin ndodhur kurrë”. “Ndaleni marrëzinë” – ishte mesazhi i qartë i ish-presidentit amerikan.

Rreth një javë më pas, qeveria Kurti, e gjendur në mes të një fillimi – që dukej sikur s’do t’iu shihej fundi – të sanksioneve të para serioze në historinë e shtet-ndërtimit të Kosovës, do të zbythej papritmas. Çka ndodhi?

Ish-presidenti amerikan do të vizitonte Tiranën për herë të parë. Pritja në Tiranë e ish-presidentit Clinton ishte madhështore, duke shkaktuar emocione të mëdha tek ish-presidenti i 42-të i ShBA-së. Vetëm disa qindra kilometra larg Kosovës së pavarur falë një angazhimi historik të administratës së ish-presidentit amerikan, Clinton do të bënte një thirrje të drejtpërdrejtë për deeskalim.

Ai u ndal në situatën e tensionuar në katër komunat në veri të Kosovës që nga 26 maji, kur qeveria mori vendimin e pakoordinuar me aleatët për vendosjen e katër komunave të zgjedhura shqiptare në objektet komunale. Nga Tirana, Clinton theksoi rëndësinë e ndalimit të marrëzisë për të siguruar një qeverisje të denjë.

“Por gjëja e vërtetë që duhet të bëjmë është të ndalim këtë marrëzi. Çfarë çështje e madhe mund të avancohet duke pasur tensione? Ka njerëz që jetojnë aty, kanë nevojë të kenë një qeverisje të denjë.” – theksoi ai.

Shkak-pasojë e thirrjeve të Clintonit apo jo, vetëm një javë më pas, Qeveria e Kosovës papritmas do të tërhiqej për të ndryshuar kështu kursin e veprimeve të saj.

Të martën e kësaj jave, Zyra e Kryeministrisë do të lëshonte një komunikatë që tregoheshin detaje rreth marrëveshjes për shtensionim të arritur në Bratisllavë mes Besnik Bislimit, zëvendësuesit të parë të Kurtit, dhe Miroslav Lajçak, pёrfaqёsues i Lartё i Bashkimit Evropian.

Në këtë komunikatë, theksohet se Qeveria e Kosovës tregon gatishmërinë për të kontribuar në shtensionimin e situatës në katër komunat në veri të vendit, shkruan Nacionale.

“Qeveria e Kosovёs publikisht e tregon gatishmёrinё e saj pёr tё kontribuar nё deeskalimin e situatёs dhe mosndёrmarrjen e veprimeve qё mund tё eskalojnё situatёn nё veriun e vendit. Kjo pёrfshin njё zvogёlim tё menjёhershёm nё masёn e 25% tё prezencёs policore nё dhe rreth ndёrtesave komunale.” – theksohet aty.

Tutje, Qeveria e Kosovës njoftoi se e mbështet mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme në katër komunat në veri të vendit dhe atë pas stinës së verës.

“Qeveria e Kosovёs pёrmes njё deklarate publike mbёshtet mbajtjen e zgjedhjeve tё parakohshme nё 4 komunat nё veri tё vendit dhe atё pas stinёs sё verёs. Kosova shpreh pёrkushtimin pёr sigurimin e bazёs sё nevojshme ligjore pёr tё mundёsuar organizimin e kёtyre zgjedhjeve.” – theksohet aty.

Që nga fillimi i eskalimit të situatës në katër komunat veriore, Kosova pësoi një mori ndëshkimesh fillimisht verbale dhe më pas ekonomike e politike nga aleatët.

Situata në veri të Kosovës ishte tensionuar prej 26 majit, kur Qeveria e Kosovës kishte vendosur t’i fuste në zyrë katër komunat shqiptarë të zgjedhur. Kjo kishte prodhuar një protestë nga ana e serbëve lokalë që më vonë ishte bërë e dhunshme.

Të ngjashme