Lajme
Themelohet komisioni për zgjedhjen e anëtarit të KPK-së nga radha e Prokurorisë së Apelit
Demokracia
16:40 | 21 Tetor 2022

Share:

Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK), i udhëhequr nga Kryesuesi Jetish Maloku, ka mbajtur takimin e 220-të me radhë, sipas rendit të paraparë të ditës.

Ky takim ka filluar me prezantimin e raporteve për periudhën janar – qershor 2022 të Mekanizmit përcjellës ndërinstitucional për veprat penale karakteristike dhe Komisionit mbikëqyrës për monitorimin e rasteve të korrupsionit dhe krimeve ekonomike që rrjedhin nga Plani Strategjik i Sistemit Prokurorial 2022-2024.

Po ashtu, për gjashtëmujorin e parë të vitit 2022 kanë raportuar edhe kryetarët e komisioneve të përhershme të KPK-së, raporte të cilat janë miratuar me disa rekomandime.

Në vazhdim, anëtarët kanë miratuar Udhëzimin për përdorimin e simboleve dhe vulave në sistemin prokurorial, si dhe kanë avancuar, sipas rekomandimit të Komisionit për transferimin dhe avancimin e prokurorëve, prokurorin Sadri Alija nga Departamenti  i Përgjithshëm në atë për të Mitur të Prokurorisë Themelore të Gjakovës.

Ndërsa, për Prokurorinë e Apelit është marrë vendim për shpalljen e brendshme për avancimin e 3 prokurorëve në këtë prokurori.

Gjatë këtij takimi janë miratuar Dokumenti i politikave të trajnimit për prokurorët dhe stafin administrativ të sistemit prokurorial si dhe Plani i nevojave për trajnimin e prokurorëve dhe stafit administrativ, të cilat do të dërgohen në Akademinë e Drejtësisë për hartimin e programit trajnues për vitin 2023.

Takimi ka vazhduar me themelimin e Komisionit për zgjedhjen e anëtarit të Këshillit Prokurorial të Kosovës nga radhët e prokurorëve të Prokurorisë së Apelit.

Po në këtë takim, Këshilli ka marrë vendim për shpalljen e konkursit për Drejtorin e Përgjithshëm të Sekretariatit të Këshillit Prokurorial të Kosovës dhe Drejtorin e Njësitit për Shqyrtimin e Performancës së Prokurorisë si dhe ka themeluar Komisionin rekrutues për këto 2 pozita.

Në fund të takimit u miratua raporti për vlerësimin e performancës së 11 prokurorëve me mandat të përhershëm.

Të ngjashme