Lajme
Themelohet Drejtoria e Policisë së Kryeqytetit
Demokracia
16:36 | 04 Maj 2023

Share:

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, ka pritur të enjten në takim kryetarin e Komunës së Prishtinës, Përparim Rama.

Sipas njoftimit, në këtë takim i cili ishte i karakterit njoftues dhe urues, përveç tjerash u diskutuan edhe tema mjaft të rëndësishme në interes të të dy institucioneve, e që rezultojnë direkt në interes të sigurisë së përgjithshme dhe shërbimit ndaj qytetarëve të kryeqytetit.

“Drejtori z. Hoxha, njoftoi kryetarin z. Rama, se me qëllim të avancimit të bashkëpunimit dhe shërbimit ndaj nevojave të qytetarëve dhe vetë kryeqytetit, Policia e Kosovës, në kuadër të strukturës së re organizative, ka themeluar edhe Drejtorinë e Policisë së Kryeqytetit, e cila është në kuadër të Drejtorisë Rajonale të Prishtinës”, thuhet në komunikatën për media.

Krijimi i kësaj drejtorie thuhet se do të ndihmojë dhe do të avancojë bashkëpunimin e mëtejmë ndërinstitucional dhe do të jetë në shërbim ndaj nevojave të qytetarëve të kryeqytetit.

Ndër të tjera u diskutua edhe rreth sigurisë së përgjithshme, vendosjes së kamerave në kryeqytet, sigurisë së trafikut rrugor, të gjitha këto në interes të ofrimit të shërbimeve më të mira dhe më efikase ndaj banorëve të kryeqytetit.

“Të dy përfaqësuesit u zotuan për intensifikim të bashkëpunimit në fusha të ndryshme me interes të përbashkët”, bëhet e ditur tutje.

Të ngjashme