Dy njerëz të afërt me Ardita Sinanin, ish-kryetaren e Komunës së Preshevës dhe këshilltares së kryeministrit Albin Kurti, kanë përfituar direkt nga fondi i Qeverisë së Kosovës për Luginën.
Nga këto fonde kanë përfituar edhe persona nga struktura partiake e Ardita Sinanit, këshilltares së kryeministrit Kurit.
Një nga ta siç ka mësuar Paparaci është Besim Shabani, anëtar i Partisë për Veprim Demokratik dhe njëherësh ish-koordinator i zyrës për zhvillim ekonomik.
Ky i fundit përmes “Agjencionit për Zhvillim – Preshevë ka përfituar 49 mijë e 960 euro nga fondi i Qeverisë së Kosovës për Luginën.
Agjensioni i Besim Shabanit nuk i plotëson kriteret për grante të mëdha.
Në dokumentet thuhet se përfitues i fondeve të Qeverisë është edhe portali “Lugina Lajm”. Kjo media ka përfituar hiq më pak se 25 mijë euro nga fondi i Qeverisë së Kosovës për Luginën.
Fondi është marrë me qëllim që ky portal të “identifikoj talentet në Luginë”.
Siç mëson mediumi “Lugina Lajm” është në pronësi të Evelina Islamit, bashkëshortes së Agon Islamit, ish-anëtarit të kabinetit të Shaip Kamberit dhe njëherësh ish-shef i Zyrës për Zhvillime Ekonomike.
Agon Islami ka ushtruar edhe pozitën e shefit të PR-it për Ragmi Mustafain. Kurse, momentalisht punon në zyrën e zhvillimit ekonomik në Bujanoc.
Nga fondi i Qeverisë së Kosovës 27 mijë euro i ka përfituar edhe organizata “Youth Power”. Kjo organizatë nuk është e regjistruar. Udhëheqësi i saj është Milot Jahu, i lidhur ngushtë me pushtetin dhe partinë e Ardita Sinanit.
Jahu, siç ka mësuar Paparaci është djali i Shenur Jahut, ish-shefit të Inspeksionit Komunal gjatë qeverisjes së Ardita Sinanit dhe anëtarë i Partisë për Veprim Demokratik.
Shenur Jahu është shkarkuar nga pozita e Shefit të Inspektonit nga Agjensioni Kundër korrupsion.
Lista e mbështetësve dhe vartësve të Kamberit, Sinanit e Mustafait që kanë përfituar nga fondi mbi 1 milionë eurosh i Qeverisë së Kosovës nuk përfundon këtu. Një portal “fantazmë” “InfoWiki” ka arritur që t’i rrëmbejë 18 mijë euro nga ky fond.
Ky portal nuk figuron askund në internet. Nuk posedon as web faqe zyrtare.
Sipas dëshmive, ky portal është në pronësi të Fisnik Belulit, ish-shefit të kabinetit në Qeverisjen e Shaip Kamberit në Bujanoc.
Beluli ka ushtruar edhe pozitën e anëtarit të shtabit të zgjedhjeve në fushatën e Ragmi Mustafait. Kurse, tani ai ushtron detyrën e sekretarit në Kuvendin Komunal të Bujanocit.
16 mijë euro janë ndarë edhe për “Keka Fitnes” në Preshevë. Në dëshmitë rezulton që ky fitnes është në pronësi të Fisnik Ahmeti, anëtarit të partisë së Ardita Sinanit, këshilltares së kryeministrit Kurti.
Qeveria e Kosovës i ka ndarë javën e kaluar, në një mbledhje të kabinetit qeveritar më 23 dhjetor, 1.2 milionë euro për Luginën e Preshevës. Mjetet i janë ndarë Këshillit Nacional Shqiptar dhe përfaqësuesve të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanovcit.
Fondi është vënë në dispozicion për mbështetjen financiare të studentëve, OJQ-ve dhe artistëve nga Lugina e Preshevës.
Përzgjedhja e projekteve për përfitimin e mbështetjes financiare nga fondi, është bërë nga një komision i përbërë nga tre anëtarë. Dy anëtarë janë caktuar me aprovimin e Këshillit Nacional Shqiptar në Luginë dhe një anëtar është deleguar nga Qeveria e Kosovës.
Kujtojmë, se Ardita Sinani është emëruar këshilltare politike për Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc në Zyrën e Kryeministrit Albin Kurti, në muajin shkurt të këtij viti.
Emërimi i Sinanit si këshilltare e kryeministrit Kurti, siç kishte njoftuar qeveria, përbënte hapin e parë drejt themelimit të Zyrës për Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc, në kuadër të Zyrës së Kryeministrit.
Qeveria e Kosovës ka ndarë ndihma financiare disa herë për shqiptarët që jetojnë në Luginën e Preshevës në territorin e Serbisë.
Sinani, nënkryetarja e Partisë për Veprim Demokratik, është e para grua politikane në Luginën e Preshevës dhe ka qenë po ashtu edhe kryetare e Preshevës.