Lajme
Thellohet skandali i Besnik Bislimit në Strasburg, shkeli edhe Protokollin e Shtetit
Demokracia
19:51 | 10 Mars 2022

Share:

Zëvendëssekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Evropës (KiE), Bjorn Berge, e ka demantuar zëvendëskryeministrin e parë të Kosovës, Besnik Bislimi, pasi ky i fundit kishte deklaruar në “Twitter” se Berge ka mirëpritur iniciativën e Kosovës për të aplikuar për anëtarësim në Këshillin e Evropës.

Berge ka thënë se përshkrimi i Bislimit, fatkeqësisht, nuk përputhet me atë që ka deklaruar ai në takim lidhur me anëtarësimin e mundshëm të Kosovës në Këshillin e Evropës, shkruan Demokracia.com.

“Ky, fatkeqësisht, nuk është një përshkrim i saktë i asaj që deklarova në takim në lidhje me aplikimin e mundshëm për Këshill të Evropës”, ka shkruar Berge, si kundëreagim për zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi.

Qëndrimi i KiE-së në vazhdimësi ka qenë që Kosova duhet t’i harmonizojë veprimet me shtetet anëtare, para se të vendosë të bëjë ndonjë veprim në lidhje me aplikimin për anëtarësim.

Ndërkohë, Demokracia.com e ka kontaktuar edhe ambasadoren Ahmetaj në Strasburg për të mësuar më shumë lidhur me këtë takim, për çka ajo ka thënë se nuk ka qenë pjesë e takimit dhe ai takim nuk ishte organizuar nga ajo.

“Unë kam sugjeruar që të kërkohet takim me Sekretaren Gjenerale të KiE-së, Marija Pejçinoviq-Buriq, gjatë Asamblesë Parlamentare, që do të mbahet në prill, por kjo nuk është përfillur dhe kanë vazhduar aranzhimin e agjendës pa pjesëmarrjen time”, ka thënë ambasadorja Ahmetaj për Demokracia.com.

Nga grupi i deputetëve që po qëndrojnë këto ditë në Strasburg, Demokracia.com ka mësuar se zëvendëskryeministri Bislimi e kishte aranzhuar takimin me zëvendëssekretarin e Këshillit të Evropës, Bjorn Berge, përmes diplomatëve me rang më të ulët të Kosovës në Strasburg, me të cilët edhe është shoqëruar në takim, gjë që kishte zgjuar habi edhe te zyrtarët e KiE-së.

Sigurisht që deklarimet “sipas dëshirës” të zëvendëskryeministrit Bislimi nuk lënë shije të mirë në Strasburg dhe çdo qëndrim i zyrtarëve të Kosovës tani e tutje do të merret me rezerva.

Skandali i zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi, i cili u përgënjeshtrua nga zëvendëssekretari i Përgjithshëm të Këshillit të Evropës ia ka humbur seriozitetin edhe më shumë Kosovës dhe e ka dëmtuar edhe procesin e aplikimit për anëtarësim në Këshillin e Evropës. /Demokracia.com/

Të ngjashme