Lajme
Thaçi, Veseli e Haradinaj | Krejt çka thanë ish-krerët e shtetit, ish-komandantë të UÇK-së kur e themeluan ushtrinë
Demokracia
17:05 | 14 Dhjetor 2022

Share:

Pikërisht sot, 4 vite më parë, më 14 dhjetor 2018, Kuvendi i Kosovës ka miratuar ligjet me të cilat është mundësuar transformimi i misionit të Forcës së Sigurisë së Kosovës në ushtri të Kosovës.

Vendimi për formimin e Ushtrisë së Kosovës ishte përcjellë me një atmosferë festive në Prishtinë.

Sheshet e kryeqytetit ishin mbushur me flamuj të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Britanisë së Madhe, Gjermanisë, Francës, Italisë dhe shteteve tjera, të cilat Kosova i konsideron si vende që e kanë ndihmuar në vazhdimësi, shkruan Demokracia.com.

Pas vendimit të Kuvendit, një ceremoni ku ishte prezantuar Forca e Sigurisë së Kosovës ishte mbajtur në kazermën “Adem Jashari”, në Prishtinë. Aty kishin marrë pjesë krerët më të lartë të shtetit të Kosovës.

Presidenti i vendit, në atë kohë, Hashim Thaçi, e quajti historik këtë moment, duke thënë se Ushtria e Kosovës është nderi, siguria dhe mirëqenia e Republikës së Kosovës.

“Uniteti i dëshmuar sot duhet të ruhet. Të bashkuar jemi më të fortë për të marrë vendime të rëndësishme për Kosovën dhe të ardhmen e brezave të rinj”, kishte shkruar ndër të tjera Thaçi.

“Ushtria e Kosovës është nderi, siguria dhe mirëqenia e Republikës së Kosovës. Pas dy dekadash shumë të mundimshme, më në fund po e përmbyllim procesin e shtetndërtimit. Në Kuvendin e Kosovës, me shumicë absolute, përtej dallimeve politike, si rrallëherë të zgjedhurit e popullit miratuan pakon ligjore për themelimin e Ushtrisë së Kosovës. Si shoqëri dhe shtet e kemi dëshmuar se jemi të guximshëm, të përgjegjshëm dhe dimë të qëndrojmë të bashkuar për t’i mbrojtur interesat e popullit dhe shtetit tonë. Krijimi i Ushtrisë së Kosovës dhe Ministrisë së Mbrojtjes është dhurata më e mirë për festat e sivjetme të fundvitit”, kishte shkruar Thaçi.

Ndërsa, ish-kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, kishte thënë se uniforma e Ushtrisë së Kosovës do të jetë uniformë nderi e krenarie.

“Secili popull i ka ditëlindjet e tij të mëdha. Ato u japin kuptim dhe drejtim ëndrrave dhe shpresave njerëzore. Sot, ditëlindjeve të mëdha të popullit tonë iu shtua edhe një ditëlindje e madhe: DITËLINDJA E USHTRISË SË KOSOVËS”, kishte shkruar Veseli.

“Uniforma e Ushtrisë së Kosovës do të jetë uniformë nderi e krenarie. URIME, KOSOVË”.

Edhe Ramush Haradinaj, në atë kohë kryeministër i vendit, kishte uruar qytetarët e Kosovës duke thënë se po vijmë në paqe për të hyrë në rresht me ushtritë e paqes.

“Po vijmë në paqe për të hyrë në rresht me ushtritë e paqes. Sot e përjetë krah miqve tanë!”, kishte shkruar Haradinaj.

Forca e Sigurisë së Kosovës u themelua më 2009 në bazë të Planit të Ahtisaarit, dokument që çoi drejt pavarësimit të Kosovës. /Demokracia.com/ 

Të ngjashme