Lajme
“Thaçi ka shumë presione”, rrëfimi i Kadaresë, gëzimi për takimin dhe mbështetja për Thaçin në Rambuje
Demokracia
16:42 | 01 Korrik 2024

Share:

Sot ka ndërruar jetë shkrimtari më i madh shqiptar, Ismail Kadare. Përpos që njihet si gjigant i letrave shqipe, ai kishte dhënë kontribut të veçantë në mbështetjen e delegacionit kosovar në Konferencën e Rambujesë.

Në librin e tij “Ra ky mort e u pamë”, i cili ishte ditar i tij personal e ku paraqiteshin artikuj e letra për luftën e Kosovës, ai më 18 mars 1999 kishte shkruar për takimin e tij me liderin e delegacionit kosovar Hashim Thaçin.

Kadare në ditarin e tij ka treguar sesi Hashim Thaçi kishte vendosur të nënshkruajë marrëveshjen, por që kishte shumë presione nga segmente të caktuara të UÇK-së dhe LPK-së, shkruan Demokracia.com.

Rrëfimi i plotë nga Ismail Kadare:

Në mbrëmje vonë, Hashim Thaçi, shpreh dëshirën të më takojë. Vjen gati në mesnatë me Ramë Bujën dhe përkthyesen e delegacionit, Bukurije Gjonbali. Një copë herë bisedojmë kokë më kokë. Në dhomën tjetër pinë kafe njerëzit e familjes sime, dy shoqëruesit e Thaçit dhe ambasadori shqiptar në Paris. Rojat e policisë së fshehtë franceze janë kudo nëpër shkallët e ndërtesës.

Thaçi është i paqetë. Natyrisht, ka vendosur të nënshkruajë, por ka shumë presione. Në Kosovë, Adem Demaçi vazhdon të ngucë pakënaqësira kundër delegacionit, madje t’i quajë tradhtarë. Disa nga komandantët e UÇK-së mund të krijojnë ngatërresa përsëri. Thaçi përmend letrën që i kam dërguar delegacionit në Rambouillet, si dhe shkrimin “Kapardisja shqiptare”, që e botova tri ditë më pas. Thotë se ai përpiqet të nxjerrë mësime nga çdo kritikë, por gjendja s’është aq e thjeshtë. Ai më bën një pyetje që është, njëkohësisht, një kërkesë: në rast se sonte e nënshkruante marrëveshjen, unë si shkrimtar shqiptar, a do ta përkrahja atë akt publikisht?

Pa asnjë ngurrim, iu përgjigja se do ta përkrahja. Madje qysh në atë çast.

Mbaron biseda kokë më kokë. I ftojmë të gjithë në sallonin e ndejës. Jam i gëzuar dyfish. E para, se kjo punë po kryhet. E dyta, sepse në këtë këshillim të luftëtarëve të Kosovës me një njeri të kulturës, shoh një ogur të mirë. Sa shpifje janë bërë kundër UÇK-së. Shpifje nga propaganda serbe, nga gazetat ruse, nga një pjesë e shtypit perëndimor, nga vetë ultrapacifistët shqiptarë.

Kurse ata, me këtë gjest, me këtë këshillim, tregojnë se pavarësisht nga shtresimet e pashmangshme të një guerileje ballkanase, e kanë një dozë të fortë idealizmi, një përmasë që i lidh me të ardhmen, me qytetërimin europian. /Demokracia.com/

Të ngjashme