Lajme
Thaçi ishte kryeministri i vetëm që rriti pagat e mësimdhënësve disa herë| Jasharaj thoshte se Kurtin s’ka për çfarë ta lavdërojë
Demokracia
10:32 | 17 Prill 2022

Share:

Që nga paslufta e deri në shpalljen e pavarësisë, pagat e mësimdhënësve në arsimin fillor, të mesëm të ulët dhe në atë të mesëm të lartë, asnjëherë nuk ishin rritur.

Një mësimdhënës në arsimin fillor dhe të mesëm të ulët asokohe i merrte 189 euro pagë, ndërsa në nivelin e mesëm të lartë i merrte 206 euro pagë.

Pagat e mësimdhënësve u rritën disa herë vetëm gjatë qeverisjes së Thaçit, që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës, shkruan Demokracia.com.

Në vitet 2008-2010, paga për mësimdhënësit e arsimit fillor dhe të mesëm të ulët ishte bërë 216 euro, ishin shtuar edhe shtesat për kualifikim në vlerë prej 58.32 euro, që në total një mësimdhënës i merrte 274.32 euro. Ndërsa, në arsimin e mesëm të lartë, paga në vitet 2008-2010 ishte 235 euro, shtesat për kualifikim ishin 82.25 euro, që në total paga bëhej 317.25 euro.

Nga viti 2010 deri në vitin 2013, pagat për mësimdhënësit e arsimit fillor dhe të mesëm të ulët u bënë 324 euro, shtesat për kualifikim vazhduan të jenë 58.32 euro dhe në total paga arrinte në 382.32 euro, përcjell Demokracia.com. Ndërsa, në arsimin e mesëm të lartë, në vitet 2010-2013, paga ishte 352 euro, shtesat vazhduan të jenë 82.25 euro dhe paga në total arrinte në 434.25 euro.

Nga viti 2014 deri në vitin 2017, paga e mësimdhënësit në arsimin fillor dhe të mesëm të ulët u rrit në 405 euro, ku së bashku me shtesat prej 58.32 euro, në total arrinte në 463.32 euro. Ndërsa, gjatë këtyre viteve, paga e mësimdhënësit në arsimin e mesëm të lartë u bë 440.63 euro, ku së bashku me shtesat për kualifikim prej 82.25 euro, arriti në 522.88 euro.

Të gjitha këto rritje të pagave nëpër vite ishin bërë me vendime të Thaçit si kryeministër, shkruan Demokracia.com.

Ndërsa, një rritje tjetër ndodhi edhe në janar të vitit 2018, kur paga e mësimdhënësit në arsimin fillor dhe të mesëm të ulët u bë 421.20 euro, ku së bashku me shtesat prej 58.32 euro, arrinte në 479.52 euro. Ndërsa, paga e mësimdhënësit në arsimin e mesëm të lartë u bë 458.25, që së bashku me shtesat për kualifikim prej 82.25 euro, paga arrinte në 540.50 euro në total.

Kjo rritje ishte automatike, pasi me ligjin e ri asokohe vëllimi i pagave buxhetore dhe lartësia e tyre ishte përtej rregullës fiskale dhe lëvizja e pagave qeveritare u bë në harmoni me rritjen ekonomike.

Lëvizjet e tilla kishin bërë që në vitin 2018, sipas raportit mbi realizmin e buxhetit të atij viti, shpenzimet kapitale të merrnin pjesë vetëm 26.7% në shpenzime, kurse pagat me 30%, duke llogaritur e përfshirë këtu edhe klauzolën e investimeve dhe të ardhurat në burimet e investimeve.

Në një intervistë për Demokracia.com, kryesindikalisti Rrahman Jasharaj kishte lavdëruar të gjithë kryeministrat e deritashëm, duke rikujtuar bashkëpunimin me ta, por ai kishte thënë se nuk mund të gjejë asnjë gjë për ta lavdëruar Qeverinë Kurti.

“E kam thënë edhe në takimet me anëtarësinë, sepse anëtarësia jonë janë votues të partive të ndryshme dhe kjo është e drejtë e tyre. Ne i respektojmë dhe i lavdërojmë me arsye kryeministrat që kanë bërë diçka në shërbim të arsimit. Me kryeministrin Thaçi kemi kaluar mirë dhe çdo kërkesë e arsimit, ka qenë edhe kërkesë e tij dhe e opinionit në Republikën e Kosovës. E di që ai ishte në gjendje që të prishej edhe me FMN-në dhe është njeriu, i cili nga një ndihmë sociale që konsiderohej paga e mësuesit, ai e bëri një pagë më dinjitoze dhe tërë sistemi ia dinë për nder këtë. Madje, edhe me kryeministrin Mustafa kemi pasur përplasje, por dera e tij ishte e hapur për dialog dhe ai ndihej keq kur ne i paralajmëronim grevat dhe ai bënte çmos përbrenda mundësive buxhetore për të realizuar së paku ndonjërën prej kërkesave tona. Me Haradinajn kemi pritur se do të kishim telashe më shumë, por me të kemi pasur 6 takime. Sa herë kemi dërguar letër për takim, jemi takuar, jemi kundërshtuar. Madje, për te personeli arsimor mbetet emër i respektuar për arsye të Ligjit për Punëtorët e Arsimit të viteve 90’ta. E çmojmë shumë kontributin e tij. Me kryeministrin Hoti shihej një gatishmëri dhe ai bëri që kërkesën tonë për 100 euro e aprovoi, por u ndërrua. Tani e një vit, edhe po të dua ta lavdëroj Qeverinë Kurti, nuk mund të gjej asnjë fjali për ta lavdëruar diçka, sepse për një vit nuk kemi pasur asnjë takim. I kemi dërguar letër që të takohemi, të ia bëjmë për hair detyrën dhe ta informojmë nga këndi ynë sesi e shohim arsimin, asnjë takim”, kishte thënë Jasharaj. /Demokracia.com/

Të ngjashme