Lajme
Tha se është punë e kryer në Slloveni, por Macron e demantoi brenda ditës Albin Kurtin për çështjen e vizave
Demokracia
11:17 | 29 Gusht 2023

Share:

Kryeministri Albin Kurti në Bled të Sllovenisë të dielën në mbrëmje është shprehur i bindur se qytetarët e Kosovës do të lëvizin pa viza nga data 1 janar të vitit 2024.

Kështu ka njoftuar zyra e kryeministrit të Kosovës përmes një komunikate për media, ku ka njoftuar për pjesëmarrjen e kryeministrit Kurti në darkën e punës të ftuar nga kryeministri i Sllovenisë, Golob në kuadër të Forumit të Bledit.

“Kryeministri theksoi rëndësinë e zbatimit të marrëveshjeve të arritura vitin e kaluar në Procesin e Berlinit ku veçoi atë për lirinë e lëvizjes. Më 1 janar 2024 të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës do të lëvizin pa viza në vendet e Bashkimit Evropian ndërkohë që do t’ju kërkohen viza për në Bosnje dhe Hercegovinë. Në këto 50 ditët e mbetura para Samitit në Tiranë, është e rëndësishme që të fillojë zbatimi i plotë i tri marrëveshjeve që kemi nënshkruar në Berlin”, thuhet në komunikatën e qeverisë.

Por disa orë më vonë, presidenti i Francës Emmanuel Macron duke folur para ambasadorëve për marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, deklaroi se presin që edhe Kosova dhe Serbia të kenë angazhim të qartë për rrugën përpara.

Madje, presidenti francez paralajmëroi masa nëse të dyja vendet “nuk sillen me përgjegjësi”, duke përmendur edhe liberalizmin e vizave për Kosovën.

“Ne presim që paqja do të kthehet në këtë pjesë. Franca e Gjermania kanë bërë zotime sa i përket politikave të vizave dhe çështje tjera ekonomike, të cilat do të rishikohen nëse dy palët dështojnë të sillen me përgjegjësi. Ne duhet të jemi tejet kujdesshëm në këtë drejtim, posaçërisht kur stabiliteti i Ballkanit Perëndimor është në rrezik.”, ka thënë Macron.

Ndonëse kryeministri Albin Kurti në Slloveni e paraqiti si punë të kryer udhëtimin pa viza në vendet e BE-së për qytetarët e Kosovës, presidenti francez la të kuptohet se kjo është një çështje “ që mund të rishikohet”.

Nga opozita kanë thënë se deklaratat e presidentit të Francës duhet të merren seriozisht nga Qeveria.

Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku ka theksuar se deklarata e presidentit të Francës, Emmanuel Macron rikonfirmon qëndrimin e Bashkimit Evropian, duke shtuar se është koha që të merren masa konkrete për zgjidhjen e konfliktit në rajon.

Çitaku ka theksuar rëndësinë e kësaj deklarate dhe ka thënë se Qeveria e Kosovës duhet ta trajtojë seriozisht atë.

“Deklarata e Presidentit Macron për rishikim të politikave të vizave për Kosovën dhe Serbinë, nëse palët nuk sillen me përgjegjësi, duhet të merret seriozisht nga Qeveria. Kjo deklaratë rikonfirmon qëndrimin e BE-së, se koha e fjalëve dhe këshillave tashmë ka kaluar”, ka shkruar ajo në rrjetin social, Facebook.

Deputetja e LDK-së, Rrezarta Krasniqi ka reaguar lidhur me deklaratën e presidentit francez, duke thën se është fatkeqësi nëse shqyrtohet pozicioni i vendeve të BE-së për çështjen e vizave.

“Është fatkeqësi për vendin në rast se arrijmë tek një situatë e tillë për shqyrtimin e pozicionit të vendeve të BE-së lidhur me liberalizimin e vizave për vendin, por nëse kjo ndodh përgjegjësia bie tek qeveria Kurti e cila me aventurat e saj, po i sjellë vetëm të këqija vendit, siç kishim deri më tani sanksionet, si rezultat i veprimeve të pakoordinuara dhe të menduara mirë në pjesën veriore të vendit. E ritheksoj, është dëm i jashtëzakonshëm nëse krijohet opinion i tillë brenda vendeve të BE-së që të ketë shtyrje në çështjen e liberalizimit të vizave”, ka thënë ajo në një deklaratë për Gazetën Blic.

Më shumë se një muaj më parë, Bashkimi Evropian ka vendosur masa ndëshkuese ndaj Kosovës për shkak të mos-shtensionimit në veri të vendit.

Këto masa përfshijnë suspendimin e përkohshëm të punës së trupave të krijuara në bazë të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, mosftesën e Kosovës në takime të nivelit të lartë dhe suspendimn e vizitave bilaterale.

Gjithashtu masa tjetër është Masat ndalja e programit të fondeve për Kosovën nga IPA 2024 si dhe pezullimi i propozimeve të paraqitura nga Kosova në kuadër të kornizës së investimeve të Ballkanit Perëndimor.

Po ashtu, Kosova ka mbetur jashtë Programit të Evropës Digjitale, ku të gjitha shtetet tjera të Ballkanit Perëndimor do të ndihmohen nga BE-ja për këtë çështje.

Deri dje, nuk është përmendur si masë ndëshkuese çështja e liberlaizmit të vizave për Kosovën, që pritej të hynte në fuqi nga data 1 janar të vitit 2024./Preiskopi

Të ngjashme
Lajme • 05 Maj 2024