Lajme
DOKUMENT| Tezakja e presidentes Osmani që u bë drejtoreshë në ministrinë e Pecit menaxhon me rreth 67 milionë euro
Demokracia
08:30 | 26 Janar 2023

Share:

Venera Çerkini, vajza e tezes së presidentes Vjosa Osmani, është rehatuar në një pozitë të rëndësishme. Ajo është përzgjedhur drejtoreshë e Agjencisë për Zhvillimin e Bujqësisë, institucion ky në kuadër të ministrisë që drejtohet nga Faton Peci, dikur bashkëpartiak me Osmanin në Listën Guxo.

Me këtë detyrë, vajzës së tezes së Osmanit i është besuar të menaxhojë një buxhet të madh prej gati 67 milionë euro.

Në këtë tabelë të buxhetit të Kosovës mund ta shihni shumën që e menaxhon tezakja e presidentes Osmani, shkruan Demokracia.com.

Ndryshe, emërimi i Çerkinit në këtë pozicion ishte në shpërputhje të madhe me vlerësimin që e kanë bërë britanikët në këtë konkurs. Në vlerësimin e ekspertëve të Ambasadës së Britanisë në Kosovë, Çerkini nuk është as në listën e ngushtë të kandidatëve që do të duhej të zgjidheshin në këtë pozitë.

Aty shihet se dy kandidatët që mund të emërohen në këtë pozitë, të cilët kishin marrë mbi 70% të pikëve, ishin Menderes Ibra dhe Muzafer Luma, që njihen si ekspertë të bujqësisë.

Mendres Ibra është vlerësuar me 70.25%, kurse Muzafer Luma me 70%, shkruan Demokracia.com.

Në mesin e të vlerësuarve nga britanikët nuk është as Lebibe Haliti, motra e deputetit të Vetëvendosjes, Enver Haliti. Haliti në anën tjetër, nga rezultat e shpallura nga konkursi del në mesin e 3 kandidatëve më të vlerësuar.

Tezakja e presidentes Osmani, në vlerësimin e britanikëve nuk është në mesin e kandidatëve që do të duhej të zgjidheshin në pozitën e Drejtorit të Agjencisë për Zhvillimin e Bujqësisë.

Në sqarimet që jepen nga Ambasada e Britanisë në Kosovë, në sqarimet e përgjithshme për konkurset që monitorojnë, thuhet se ata prezantojnë vetëm kandidatët me rezultat më të lartë. Në këtë rast, Çerkini duket se nuk e ka kaluar këtë nivel.

“Vetëm kandidatët me rezultatin më të lartë janë paraqitur këtu. Kandidatë të tjerë mund të jenë vlerësuar në kuadër të procesit, por nga Partnerët Zbatues janë vlerësuar më ulët sesa kandidatët tjerë”, thuhet në sqarimet e britanikëve.

Vlerësimi nga britanikët në konkurset e pozitave të larta bëhet si rezultat i një memorandumi që ka Ambasada e Britanisë me Qeverinë e Kosovës.

Anëtarë të komisionit në këtë konkurs ishin Naim Gashi, Edi Gusia, Bedri Xhafa, Safet Fazliu dhe Anita Kalanderi.

Përzgjedhja e tezakes së presidentes Osmani

Venera Çerkini ka qenë një nga kandidatet kryesore për ta fituar këtë garë, bazuar edhe në raportin e saj familjar me presidenten e vendit.

Në njoftimin e publikuar nga Departamenti për Menaxhimin e Zyrtarëve Publikë, Venera Çerkini, çika e tezes së presidentes Osmani, u rendit e para falë intervistës me gojë. Në testin me shkrim, Çerkini ishte më pak e suksesshme, pasi dy kandidatët e tjerë u renditen më lart se ajo në këtë konkurs.

Në testin me shkrim, rezultati i testimit të Çerkinit ishte 34.36, ndërsa dy kandidatët e tjerë për këtë pozicion shënuan mbi 37 pikë.

Ishte faza e vlerësimit të intervistës që e vendosi Venera Çerkinin përpara dy kandidatëve të tjerë, duke grumbulluar një total prej 76.76 pikëve.

Motra e deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Enver Haliti, Lebibja, ishte gjithashtu në mesin e kandidatëve seriozë për këtë pozitë, pasi kishte arritur të futej në listën e ngushtë. /Demokracia.com/

Të ngjashme