Lajme
Testi raketor, Këshilli i Sigurimit merr masa ndaj Koresë së Veriut
Demokracia
20:03 | 26 Mars 2022

Share:

Shqipëria ka dënuar testimet e raketave të kryera nga Koreja e Veriut gjatë mbledhjes së Këshillit të  Sigurimit në OKB.

Ambasadori i Shqipërisë në OKB, Ferit Hoxha thotë se ndërtimi i raketave nuk do ta bëjnë Korenë e Veriut më të fortë, por përkundrazi do ta dobësojnë atë.

“Koreano veriorët duan ushqim; regjimi po u jep atyre armë, duke lënë popullsinë të uritur dhe kërcënuar rajonin. Raketat nuk do ta bëjnë Korenë e Veriut më të fortë, më të mirë. Përkundrazi, ata do të jenë më të izoluar dhe më të varfër fatkeqësisht në këtë rast”, shprehet ambasadori shqiptar.

Gjatë konsultimeve në Këshillin e Sigurimit, Hoxha u shpreh se regjimi i Koresë së Veriut po shkakton tension në rajon dhe po shkel rezolutën e OKB-së. Ndaj bëri thirrje që të mbahet qëndrim i unifikuar.

“Kjo është e patolerueshme. Kjo është raketa e 13-të e lëshuar këtë vit. Koresë së Veriut i duhet bërë e qartë se nuk mund të sfidojnë komunitetin ndërkombëtar dhe nuk mund të shkelin rezolutën e Këshillit të Sigurimit”, tha Hoxha.

Ambasadori shtoi se kjo është arsye pse Shqipëria iu bashkua thirrjes publike për takimin e mbajtur në OKB të shtunën.

“Regjimi duhet ta dijë se do të përgjigjen për këtë sjellje dhe shkelje flagrante e ligjeve ndërkombëtare. Dështimi i Këshillit për të dënuar këtë akt do ta inkurajojë regjimin e Penjangut”, deklaroi Hoxha.

Në përfundim të diskutimeve, Këshilli i Sigurimit unanimisht miratoi rinovimin e mandatit të panelit të ekspertëve, trupë që sugjeron sanksione ndaj Koresë së Veriut.

Një ditë pasi Koreja e Veriut testoi raketën e parë me rreze të gjatë veprimi që prej 2017-s, ambasadorja amerikane Linda Thomas Greenfield i bëri thirrje Këshillit të Sigurimit të OKB-së që ta dënojë vendin e izoluar aziatik dhe ta inkurajojë që të kthehet në bisedimet e çarmatosjes bërthamore.

“Testi ishte një përshkallëzim skandaloz i paprovokuar që kërcënon botën”, deklaroi Thomas Greenfield.

Thirrjes së SHBA-së iu bashkua Shqipëria, Franca, Irlanda, Norvegjia dhe Britania.

Diplomatja amerikane shtoi se Shtetet e Bashkuara do propozojnë një masë për përditësimin dhe përforcimin e sanksioneve.

Britania ra dakord për marrjen parasysh të më shumë sanksioneve e po ashtu vende të tjera anëtare kërkuan veprim.

Por zëvendës ambasadorja ruse deklaroi se sanksione të mëtejshme kërcënojnë të krijojnë probleme të rënda humanitare dhe social-ekonomike për qytetarët koreano-veriorë.

Ndërsa ambasadori kinez i bëri thirrje Këshillit që të shqyrtojë adresimin e shqetësimit të Koresë së Veriut për sigurinë e saj.

Të ngjashme