Lajme
Tërhiqet nga gara kandidati për Kryeprokuror të Shtetit
Demokracia
15:29 | 11 Mars 2022
Ilustrim

Share:

Është ngushtuar lista e kandidatëve për pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit.

Arben Ismajli, i cili ishte njëri nga gjashtë kandidatët për Kryeprokuror, ka njoftuar të premten tërheqjen e tij nga gara.

Në një letër drejtuar kryeprokurorit Aleksandër Lumezi dhe anëtarëve të Këshillit Prokurorial të Kosovës, Ismajli ka theksuar se tërheqja e kandidaturës së tij ndërlidhet me një konstatim të Agjencisë Kundër Korrupsion për konflikt interesi në rastin e tij.

“Për ta ruajtur integritetin tim personal dhe profesional, kredibilitetin e institucionit të Prokurorit të Shtetit, të KPK-së dhe procesit të zgjedhjes së Kryeprokurorit të Shtetit, kam vendosur që të tërheq kandidaturën time për pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit”, thuhet në letrën e prokurorit Ismajli.

Sipas opinionit të Agjencisë Kundër Korrupsion (AKK), emërimi eventual i Arben Ismajlit, një ish-anëtari të KPK-së, në pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit, bie ndesh me Ligjin për Konflikt të Interesit.

Sipas Ligjit, asnjë anëtar i KPK-së nuk mund të zgjidhet në pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit pa kaluar afati prej dy vitesh nga përfundimi i mandatit në KPK.

Arben Ismajli, aktualisht ushtron pozitën e prokurorit në Prokurorinë e Apelit.

Ai, karrierën e kishte nisur në vitin 2012, kur ishte emëruar prokuror në Departamentin e Përgjithshëm në Prokurorinë Themelore të Gjilanit. Pasi ka kaluar mandatin fillestar prej tre viteve, Ismajli në 2015 ishte avancuar në Departamentin e Krimeve të Rënda.

Në 2016 ishte emëruar si anëtar i Këshillit Prokurorial. Në prill 2017, prokurori Ismajli ishte emëruar zëvendës Kryesues i Këshillit Prokurorial, të cilën pozitë e kishte mbajtur deri në tetor 2020, kur edhe kishte dhënë dorëheqje nga Këshilli Prokurorial, pak para skadimit të mandatit pesë vjeçar.

Shtatë muaj pas përfundimit të mandatit si anëtar i Këshillit Prokurorial, ai është avancuar në Prokurorinë e Apelit.

Për pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit, përpos Ismajlit, kanë aplikuar edhe pesë kandidatë të tjerë.

Blerim Isufaj, Kryeprokuror në Prokurorinë Speciale; Kujtim Munishi, Kryeprokuror në Prokurorinë e Prishtinës; Armend Hamiti, prokuror në Prokurorinë e Prishtinës; Shqipdon Fazliu, prokuror në Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit si dhe Lulzim Sylejmani, prokuror në Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit.

Të ngjashme