SHKRUAN: MERO BAZE
Ka një dalldi publike për të vajtuar skenën e pahijshme të nxjerrjes me forcë të Ilir Metës nga makina në momentin e arrestimit. Ose më mirë të themi pjesën e dytë të skenës. Pjesa e parë janë disa policë që i luten ish-presidentit të dalë jashtë makinës dhe ai që u kthehet “drogaxhinj”, “kopila”, “zagarë”, “shkërdhata”, “u q… nënat e motrat”. Pas kësaj natyrisht që policia nuk ka shumë hapësirë. Ose do ta lërë të ikë dhe të heqin uniformën, ose duhet ta nxirrnin jashtë.
Ajo që duhet të bënte përshtypje tek vajtuesit publik duhet të ishte e kundërta. Si ka mundësi një ish- kryeministër, ish- kryetar parlamenti, ish- presidenti të mos respektojë një procedurë të rëndomtë të ekzekutimit të një urdhri të Prokurorisë, e aq më tepër të fyejë policët. Ky është lajmi i vërtetë, jo tërheqja zvarrë nga policët.
Tërheqje zvarrë nga policët në kushtet e mosbindjes mund të shikosh miliona herë. Por vetëm një herë mund të shikosh një ish- president, ish- kryeministër, ish- kryetar parlamenti që shan si rrugaç nga nëna e motra policët, u thotë kopilë, drogaxhinj, banditë, dhe refuzon të zbatojë urdhrat e tyre. Kjo flet shumë për atë që kemi pasur në krye të shtetit dhe jo kë kemi në krye të policisë.
Arrestimi i një udhëheqësi të lartë politik natyrisht që është mirë të jetë dinjitoz. Por që të jetë i tillë duhet të jetë dinjitoz viktima. Ka pas shumë raste në historinë e botës që liderë shumë herë më të fuqishëm se Ilir Meta kanë përfunduar në pranga, por e kanë ruajtur dinjitetin. Madje dhe Milosheviçi që ishte njëlloj perëndie për policinë serbe, kur e arrestuan e tërhoqën zvarrë, por jo për faj të tij, por për shkak të rrezikshmërisë që paraqiste aksioni policor.
Mubarakun e kanë çuar me barelë në gjyq dhe Shakashvilin e Gjeorgjisë e kanë tërhequr zvarrë se nuk dorëzohej. Por asnjë prej tyre nuk ka fyer policët. Ilir Meta donte të viktimizohej me shpresë se opinioni publik do merrej me policët dhe jo me dosjen e SPAK.
Fatkeqësisht për të, përveç atyre që duan t’i bëjnë ndonjë qokë në këtë ditë të vështirë, askush nuk është shqetësuar nga ajo skenë. Ky nuk është kryeministri i parë që arrestohet. Këtu janë arrestuar dhe Fatos Nano, Vilson Ahmeti e Ramiz Alia si president, por asnjëri s’ka bërë si legen me policët, por ka shkuar në qeli me dinjitet dhe kanë dalë prej saj edhe me më shumë dinjitet.
Ky vetëviktimizimi i Ilir Metës para ndalimit është një turp për të dhe jo për policinë. Është turp dhe për të gjithë ne, për secilin shqiptar, politikan apo gazetar që e ka votuar qoftë dhe një herë apo e ka mbështetur atë për t’u bërë kryeministër, kryetar kuvendi dhe president i këtij vendi. Në politikë shumë vetë harrohen për mënyrën se si hyjnë, por të gjithë i mbajnë mend për mënyrën se si dalin. Dhe Ilir Meta më shumë do mbahet mend si doli nga makina, se sa si doli nga politika.
Si njeri rrugësh.