Lajme
Nevenka Tromp: Tërë struktura shtetërore e Serbisë është përgjegjëse për krimet në Kosovë, Kroaci e Bosnjë e Hercegovinë
Demokracia
16:14 | 23 Janar 2021

Share:

Carla del Ponte, si Kryeprokurore e Tribunalit Penal Ndërkombëtar për Ish-Jugosllavinë (TPNJ) i krijoi mundësi Serbisë që të ndërtonte narrativen e “barazimit të fajit”. Kështu vlerëson në një intervistë për Demokracia.com, juristja Nevenka Tromp, ligjëruese në Universitetin e Amsterdamit në Holandë, anëtare e Ekipit Hulumtues në TPNJ dhe nga 2000 e deri më 2006 hulumtuesja kryesore në ekipin e ndjekjes penale të Slobodan Milosheviqit.

Tromp që është edhe autore e librit “Ndjekja penale e Sllobodan Millosheviqit: Gjyqi i pambaruar” thotë se do të ishte historikisht e pasaktë të fajësosh vetëm Millosheviqin për efektet shkatërruese të politikës së tij dhe se ky do të ishte një reduktim historik që nuk do të shpjegonte përgjegjësinë e strukturave shtetërore të Serbisë dhe të marionetave të saj në Kroaci, Bosnje e Hercegovinë dhe Kosovë gjatë viteve ’90-ta, që çuan në shkatërrime masive të qyteteve dhe fshatrave, si dhe humbje të jetëve të njerëzve

Demokracia.com: Jeni e ashpër në kritikat e juaja kundër ish-kryeprokurores Carla Del Ponte. Pse?

Nevenka Tromp: Unë mendoj se njerëzit në rajon nuk e kuptojnë sa vendimtar dhe sa negativ ishte roli i Carla del Pontes si Kryeprokurore e Tribunalit.

Struktura e Tribunalit ishte e tillë që prokuroria ishte “muskuli” i saj. Vetëm prokuroria ka pasur infrastrukturë për të hetuar dhe ndjekur penalisht krimet. Në këtë strukturë, Zyra e Kryeprokurorit ishte pozita e më e fuqishme në Tribunal. Një nga shtyllat më të rëndësishme të kësaj pozite është se kryeprokurorët e TPNJ kishin diskrecionin për të akuzuar këdo që dëshironin.

Nëse shikojmë të gjithë kryeprokurorët, shohim se fillimi i Richard Goldstone e bëri Tribunalin funksional duke lëshuar aktakuzat e para. Louise Arbor e profesionalizoi prokurorinë duke punësuar prokurorë shumë të aftë. Carla del Ponte e politizoi prokurorinë, ndërsa Serge Brammerts e burokratizoi atë e me këtë i “vulosi” të gjitha praktikat fatkeqe të del Pontes, për t’u marrë me Serbinë kur siguronte dokumente kundër të paditurve serbë.

Del Ponte ishte Kryeprokurore për më shumë se 8 vjet. Ajo, më shumë se të tjerët, la shenjë në politikën e akuzave të TPNJ sepse në mandatin e saj u ngritën shumica e aktakuzave.

Ajo këmbënguli të padiste gjithashtu përfaqësues shqiptarë të Kosovës dhe myslimanë të Bosnjës, për hir të një “objektiviteti” artificial të tribunaleve.

Shumica e këtyre të akuzuarve përfunduan duke u shpallur të pafajshëm, por lirimet e tyre u përdorën nga Serbia për të pretenduar se këto lirime ishin rezultat i “frikësimit të dëshmitarëve”.

As Del Ponte nuk u pajtua me këto dhe në memoaret e saj përmendi thashethemet e tmerrshme për “trafikimin e organeve” nga anëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Këto akuza të egra u hetuan nga hetuesit e saj, nën mandatin e saj, e të cilët arritën në përfundim se nuk ishin të bazuara dhe nuk mund të ngrehej aktakuzë për to.

Kështu, me gjithçka që ajo bëri, e ndihmoi Serbinë të ndërtonte narrativen e “barazimit të fajit” e me këtë edhe të përgjegjësisë penale të të gjitha palëve në luftë. Del Ponte, gjithashtu ndihmoi Serbinë duke rënë dakord që të mbrohen të gjitha dokumentet nga arkivat shtetërore të Serbisë. Në të njëjtën kohë ajo pranoi dokumente “me kamionë” nga të njëjtat institucione – kryesisht nga “MUP”-i (akronimi me të cilin njihet Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë) dhe Ministria e Mbrojtjes, d.m.th. Ushtria e Jugosllavisë, kundër shqiptarëve të akuzuar. Këto dokumente nuk ishin të mjaftueshme për të provuar përgjegjësinë penale të të paditurve shqiptarë të Kosovës.

Por, fakti që ajo kishte akuzuar përfaqësues të myslimanëve të Bosnjës dhe të shqiptarëve të Kosovës ishte tashmë një favor i madh për Serbinë, e cila tani mund të pretendojë se të gjitha lirimet e të akuzuarve u bënë për shkak se TPNJ ishte i njëanshëm dhe anti-Serbi.

E vërteta është krejt e kundërt. Serbia kaloi jashtëzakonisht mirë në TPNJ. Nuk mendoj se publiku i Kosovës e di se nuk ka asnjë të paditur nga Serbia, që është shpallur fajtor për ndonjë krim të kryer në territorin e Bosnje e Hercegovinës. Të gjitha krimet atje, duke përfshirë edhe gjenocidin, del se u kryen vetëm nga serbët e Bosnjës.

Demokracia.com: Si e shihni rolin e Gjykatën Speciale të Kosovës?

Nevenka Tromp: Mos harroni se TPNJ bëri punë shumë më të mirë në gjykimin e krimeve që forcat serbe kryen në territorin e Kosovës. Çdo historian i Kosovës duhet të lexojë me shumë kujdes gjykimet në rastin e Millutinoviqit dhe në rastin e Gjorgjeviqit. Dhe nëse merret parasysh fakti që në dy gjyqe të TPNJ-së – kundër Limajt dhe të tjerët dhe kundër Haradnajt dhe të tjerët – nga gjashtë të akuzuar vetëm një ishte shpallur fajtor, atëherë e kuptoni që Serbia ishte në telashe.

Serbia nuk mund ta pranonte një fund të tillë, sepse drejtësia ligjore do të reflektonte negativisht edhe në drejtësinë historike dhe në atë politike, duke e cilësuar Serbinë si të keqe.

Atëherë, çfarë bëri Beogradi? Duke përdorur Del Ponten dhe shokun e saj, Dick Marty, e nisi rrëfimin për shqiptarët e Kosovës si “nën-njerëz” që bënë krime të egra. SHBA-ja dhe BE-ja mbështetën këto narracione, ka shumë të ngjarë si një mënyrë për të akomoduar Serbinë në një përpjekje për ta detyruar atë të njohë Kosovën.

Nga tërë kjo ka mbetur vetëm fakti se ekzistojnë Dhomat e Specializuara të Kosovës, që ndjekin penalisht vetëm shqiptarët e Kosovës e që do të përdoren nga Serbia për të kthyer përmbys narrativin për fajësinë e saj dhe ta zëvendësojë me shqiptarët si “të këqij” të paparë. Asnjë aktakuzë nuk përmend fare “trafikimin e organeve” ndërsa opinioni publik ende nuk ka vërejtur dhe reaguar në faktin se shumica e viktimave të përmendura në padi nuk janë serbë, siç dëshironte Beogradi të besonim. Shqiptarët e Kosovës janë paditur nga Dhomat e Specializuara të Kosovës për keqtrajtim dhe torturë të viktimave shumica e të cilëve ishin bashkëqytetarë të tyre shqiptarë.

Kosova, qeveria e saj dhe institucionet shoqërore duhet të marrin në duart e tyre pronësinë mbi narrativin historik të Kosovës dhe t’i kundërvihen çdo narrativi strategjik e interpretimi, që Serbia apo ndonjë shtet a institucion tjetër ndërkombëtar do t’u bëjë gjykimeve në Dhomat e Specializuara të Kosovës e që hedh një hije mbi të vërtetën historike dhe politike.

Demokracia.com: Si e keni parë sjelljen dhe reagimin e Kosovës ndaj Gjykatës Speciale? Çfarë mund të bëjë Kosova?

Nevenka Tromp: Gjykata Speciale ekziston dhe nuk ka asgjë që mund të zhbëjë një institucion të tillë me qindra të punësuar. Kur ekziston një institucion i tillë, ai vazhdon dhe vazhdon. Serbia fitoi një betejë të madhe në marrëdhëniet me publikun. Edhe nëse të gjithë të paditurit do të lirohen, dëmi është bërë vetëm nga vet ekzistenca e një gjykate që ndjek penalisht individët që ishin pjesë e një strukture ushtarake që kishte fituar luftën, pra që ka mundur Serbinë. Serbia kurrë nuk do të pranojë pafajësinë e tyre, por do të vazhdojë me narrativen e saj se lirimet ishin rezultat i frikësimit të dëshmitarëve dhe shkatërrimit të provave, ose të gjyqtarëve të korruptuar apo të gjykimit joprofesional.

Kjo gjykatë ka potencial për të rishkruar historinë e luftës në të cilën populli i Kosovës mundi regjimin e aparteidit të Serbisë, duke hedhur njolla mbi këtë histori dhe mbi të ardhmen e shtetit të Kosovës.

Pra, çfarë mund të bëjë Kosova si shtet në këtë pikë në aspektin juridik? Jo edhe aq shumë, kam frikë. Nisma ligjore tani është në duart e Gjykatës Speciale.

Megjithatë, mos harroni rëndësinë e opinionit publik. Qendrat e informacionit të Qeverisë së Kosovës dhe mediumet në pronësi publike dhe private do të duhet të ndjekin fjalë për fjalë atë që ndodh në Dhomat e Specializuara të Kosovës dhe të raportojnë për secilën dëshmi dhe provë.

Kosova, qeveria e saj dhe institucionet shoqërore duhet të marrin në duart e tyre pronësinë mbi narrativin historik të Kosovës dhe t’i kundërvihen çdo narrativi strategjik e interpretimi që Serbia apo ndonjë shtet a institucion tjetër ndërkombëtar do t’u bëjë gjykimeve në Dhomat e Specializuara të Kosovës, e që hedh një hije mbi të vërtetën historike dhe politike.

Populli i Kosovës ka vuajtur mjaftë që tani të qëndrojë anash dhe të pranojë këtë gjykatë si një instrument i drejtësisë.

E dini, në literaturën mbi gjyqet penale ndërkombëtare ka dy parime të njohura si “drejtësia e fituesit” dhe “drejtësia për të gjithë”. Unë i shoh Dhomat e Specializuara të Kosovës si shembullin e parë të “drejtësisë së humbësit”.

Serbia e humbi luftën, por kurrë nuk u trajtua kështu. Përmes kësaj gjykate, bashkësia ndërkombëtare i dha një mundësi Serbisë, autorit kryesor të krimeve të luftës më 1998 dhe 1999, për të rehabilituar veten. Dhe si  – duke hedhur fajin për krimet në viktimën!? Gjë e shëmtuar dhe perfide.

Demokracia.com: Të flasim për librin tuaj. Pse është e rëndësishme të flitet për gjyqin kundër Millosheviqit?

Nevenka Tromp: Libri përdor drejtësinë penale si gjenerator i burimeve të rëndësishme historike dhe demonstron në bazë të gjykimit të papërfunduar të Sllobodan Millosheviqit se si materiali i përdorur në dhomat e gjyqeve nga ana e prokurorisë dhe mbrojtjes mund të përdoret si një kontribut në narrativin historik dhe politik.

Libri përfshin një përzgjedhje të dëshmive të dëshmitarëve, dokumentarë, video dhe audio materiale që janë mbledhur dhe paraqitur si prova nga prokuroria dhe mbrojtja. Duke analizuar materialin e përzgjedhur, libri tregon se gjyqi kundër Sllobodan Millosheviqit në Gjykatën Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë lidhet jo vetëm me përgjegjësinë e tij politike dhe penale, por edhe me elitën shtetërore të Serbisë që e solli atë në pushtet në vitin 1988 dhe ishte me të gjatë luftërave të viteve ’90.

Analiza e procesverbaleve të gjyqit që ndjek penalisht një udhëheqës të vetëm politik tregon një gjë shumë të qartë: se do të ishte historikisht e pasaktë të fajësosh për të gjitha krimet e rënda që ndodhën gjatë një dekade vetëm një udhëheqës politik; më konkretisht, fajësimi vetëm i Millosheviqit për efektet shkatërruese të politikës së tij, do të ishte një reduktim historik që nuk do të shpjegonte përgjegjësinë e strukturave shtetërore të Serbisë dhe të marionetave të saj në Kroaci, Bosnje e Hercegovinë dhe Kosovë gjatë viteve ’90, që çuan në shkatërrime masive të qyteteve dhe fshatrave, si dhe humbje të jetëve të njerëzve.

Sidoqoftë, nuk duhet të nënvlerësohet udhëheqja politike e Millosheviqit. Kishte pretendentë të tjerë për të udhëhequr projektin shtetëror të Serbisë në vitet ’80 dhe ’90, por ishte në fund Millosheviqi ai që arriti të përqendronte një masë pothuajse magjepsëse të pushtetit: ai kontrollonte të gjitha strukturat zyrtare dhe ato quazi-zyrtare civile e ushtarake në nivelin federal të RFJ-së, në Serbi e Kosovë. Ai gjithashtu pranohej si de-facto udhëheqësi i të gjithë serbëve nga ana e serbëve të Kroacisë dhe Bosnje e Hercegovinës, që jetojnë në territorin e gjoja-shteteve serbe, të njohura si “Republika Srpska” dhe “Republika Srpska Krajina”. Kjo çon në përfundimin se pa Millosheviqin shpërbërja e Jugosllavisë nuk do të ishte një proces aq i përgjakshëm dhe një proces i gjatë prej disa dekadash.

Demokracia.com: Cila është pesha politike dhe historike e mungesës së një vendimi kundër Millosheviqit?

Nevenka Tromp: Analiza e gjyqit të papërfunduar të Millosheviqit tejkalon parametrat normativë të përgjegjësisë penale të një personi të vetëm: zgjeron narrativin ligjor në atë historik e politik dhe e paraqet Millosheviqin si një ekzekutues jetëshkurtër – kriminal por i paepur – i ideologjisë shtetërore të Serbisë e cila nis para nja 150 vjetëve.

Ideologjia shtetërore e Serbisë, e njohur gjithashtu si “Serbia e Madhe”, u realizua në vitet ’80 dhe ’90 me parimin: “Të gjithë serbët në një shtet të vetëm”.

Më saktë, pasi kishin parashikuar fundin e federatës komuniste jugosllave, udhëheqësit serbë identifikuan dy mundësi: një Jugosllavi të centralizuar pa tiparet e saj konfederale, siç përcaktohej në Kushtetutën e RSFJ-së të vitit 1974.

Nëse kjo nuk është e mundur, atëherë mundësi tjetër ishte formimi i një shtet etnik serb me përfshirjen e territoreve që ishin paracaktuar si serbe në Kroaci dhe Bosnje e Hercegovinë. Në të dy strategjitë, territoret e Kosovës konsideroheshin si pjesë e Serbisë. Kjo është arsyeja pse lufta e Kosovës kishte një dimension të ndryshëm nga krimet që forcat serbe kryen në Kroaci dhe Bosnje e Hercegovinë. /Demokracia.com/

 

Të ngjashme