Lifestyle
Terapia për dëmtime të palcës kurrizore: Pajisja që rikthen funksionin e krahut dhe dorës
Demokracia
15:52 | 26 Maj 2025

Share:

Një pajisje e implantuar që stimulon nervin vagus gjatë rehabilitimit ka treguar përmirësime në funksionin e krahut dhe dorës – madje edhe te pacientët që nuk kishin përfituar më parë nga asnjë terapi.

Një studim i fundit nga Universiteti i Teksasit në Dallas sjell shpresë për pacientët me dëmtime kronike të palcës kurrizore, të cilët deri më tani nuk kishin pasur asnjë mundësi për përmirësim, raportoi Neuroscience.

Pajisja, e vogël dhe e implantuar në qafë, dërgon impulse elektrike të koordinuara gjatë ushtrimeve rehabilituese, duke sjellë përmirësime të ndjeshme në forcën dhe funksionin e krahut dhe dorës.

Metoda, e njohur si stimulim me qark të mbyllur të nervit vagus (CLV), u testua në një studim klinik me 19 pacientë që kishin dëmtime të pjesshme dhe kronike të palcës kurrizore në zonën e qafës.

Në dallim nga terapitë tradicionale, të cilat shpesh nuk japin rezultate te pacientët me dëmtime të avancuara, kjo terapi solli përmirësime të konsiderueshme – pavarësisht moshës së pjesëmarrësve (21-65 vjeç), kohës së kaluar nga dëmtimi (1-45 vjet), apo shkallës së dëmtimit.

Gjatë 12 javëve të trajtimit, pacientët kryen ushtrime që nxisnin lëvizje të caktuara të dorës dhe krahut, përmes lojërave video.

“Ndryshe nga pacientët që pësojnë goditje në tru, të cilët mund të përmirësohen edhe vetëm me terapi, ata me dëmtime të palcës kurrizore nuk përfitonin nga trajtimi standard. Shtimi i CLV-së ka sjellë një kthesë të jashtëzakonshme”, shpjegon Michael Kilgard, profesor i neuroshkencës dhe një nga autorët kryesorë të studimit.

Kjo është hera e parë që stimulimi i nervit vagus përdoret me sukses te pacientët me dëmtime kronike të palcës kurrizore, duke treguar potencialin për ta transformuar trajtimin e kësaj gjendjeje.

Pajisja e re është rreth 50 herë më e vogël se versioni i mëparshëm dhe nuk pengon realizimin e imazherive mjekësore si MRI, CT apo ultratingulli – çka e bën më të përshtatshme për përdorim në kushtet e zakonshme të kujdesit shëndetësor.

Pas këtyre rezultateve premtuese, ekipi i studiuesve planifikon një studim klinik më të madh me 70 pjesëmarrës, në disa institucione në SHBA, për të siguruar të dhëna shtesë dhe për të kërkuar miratimin nga FDA për përdorim të gjerë të terapisë.

“Për pacientët për të cilët nuk kishte asnjë shpresë më parë, kjo terapi u ka dhënë mundësinë të kryejnë veprime të përditshme që përmirësojnë ndjeshëm cilësinë e jetës”, tha Jane Wigginton, drejtoreshë mjekësore në Qendrën e Pajisjeve Biomedikale në Teksas dhe bashkautore e studimit.

Të ngjashme