Policia e Kosovës ka parandaluar një kontrabandë me mallra në Kosovë që dyshohet se është futur përmes rrugëve ilagale nga Maqedonia e Veriut.
Përmes një njoftimi për media nga Policia thuhet se personi që po drejtonte mjetin me mallra është arrestuar.
“Njësia Task-Forcë e Drejtorisë Rajonale të Policisë Kufitare-Lindje, në kuadër të Planit Operativ “Goditja 2022”, në zbatim të masave për parandalimin dhe luftimin e paligjshmërisë kanë intensifikuar kontrollet taktike dhe operacionale në teren. Si rezultat i kësaj, sot me datë 08.04.2022, rreth orës 11:30, bazuar edhe në analizën e riskut dhe informacioneve inteligjente të bëra nga ana e njësive të policisë kufitare, është arritur të identifikohen një kamion ngjyrë e kaltër, me targa vendore drejtuar nga i dyshuari me iniciale M.M. shtetas kosovar”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Policia ka dhënë detaje, se mjeti i ngarkuar me mallra që dyshohet se ishin kontrabandë ka tentuar t’iu shmanget autoriteteve ligj zbatuese.
“Pas tentativës së tyre për t’ju shmangur ndalimit policor autoritetet tona kufitare kanë arritur ta ndalojnë rreth orës 11:30 në fshatin Kabash të Vitisë. Gjatë kontrollit në automjet është gjetur sasi e konsiderueshme e mallrave të ndryshme komerciale si pjesë makinash, gjera ushqimore (lajthi), barna stimuluese “kamagra”etj. Vlera e totale e mallit mbetet të vlerësohet nga ana e Doganës se Kosovës Me rast është duke u marr Drejtorisë Rajonale e Policisë Kufitare Lindje në bashkëpunim me prokurorinë e shtetit dhe Doganën e Kosovës”, thuhet në njoftim.