Lajme
Tentohet për herë të gjashtë konstituimi i komisionit hetimor për rezervat shtetërore
Demokracia
08:16 | 26 Tetor 2023

Share:

Sot do të tentohet për herë të gjashtë konstituimi i Komisionit Hetimor Parlamentar në lidhje me procedurat për furnizimin dhe menaxhimin me rezervat shtetërore, keqpërdorimet dhe abuzimet e mundshme me rezervat shtetërore nëpërmjet kualifikimit të procedurës si sekret shtetëror për furnizime të tilla.

Takimi është paraparë të fillojë nga ora 9:30.

Pesë herë me radhë ka dështuar të konstituohet Komisioni Hetimor Parlamentar në lidhje me procedurat për furnizimin dhe menaxhimin me rezervat shtetërore, keqpërdorimet e abuzimet e mundshme me rezervat shtetërore nëpërmjet kualifikimit të procedurës si sekret shtetëror për furnizime të tilla

Sërish shkak i dështimit të mbledhjes konstituive është mungesa e pjesëmarrjes së deputetëve të pozitës

Kryetari i këtij Komisioni, njëherësh deputeti nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Rashit Qalaj tha se është shqetësuese që ky komision nuk po konstituohet.

“Edhe sot po mungojnë pa arsye deputetët e partisë në pushtet, të LVV-së. Ndërsa, deputetja Doarsa Kica-Xhelili mungon për arsye familjare. Është shqetësuese që ky komision nuk po konstituohet”, tha Qalaj.

Sipas tij, mosprania e deputetëve të LVV-së i shton dyshimet dhe më shumë për keqpërdorime në Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë.

“Këto dyshimet janë më shumë se dyshime pasi nuk e kemi mbështetjen nga partia në pushtet. Tentativa për ta bllokuar punën e këtij komisioni bën që qytetarët mos ta dinë se ku është keqpërdorur buxheti i shtetit. Sot është hera e pestë e tentimit të konstituimit të këtij Komisioni. Sot një javë kemi dërguar një shkresë të zyra ligjore dhe presim që të marrim një interpretim se si do të veprohet tutje”, shtoi Qalaj.

Ndërkaq, Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës të martën ka përmendur emrat e deputetëve të cilët po e pengojnë formimin e këtij komisioni.

Ai ka pyetur se pse të njëjtit po e pengojnë këtë proces pavarësisht se 69 deputetë kanë votuar për formimin e këtij komisioni – përfshirë edhe partinë në pushtet.Reklama

“Armend Muja, Driton Hyseni, Shqipe Meta-Isufi, Halil Thaçi, Salih Zyba dhe Erxhan Galushi, janë deputetët që po e pengojnë hetimin parlamentar të rastit të “rezervave shtetërore”, pavarësisht votës ‘pro’ të 69 deputetëve – përfshirë edhe vet partinë në pushtet”, ka shkruar Cakolli në Facebook.

Të ngjashme