Lajme
Tentativa e pestë: Seanca konstituive vazhdon të mërkurën në orën 10:00
Demokracia
17:44 | 21 Prill 2025

Share:

Kuvendi i Kosovës ka njoftuar se seanca do të vazhdojë të mërkurën në orën 10:00, në tentativën e pestë për konstituimin e Kuvendit.

Në njoftim përmenden zhvillimet në seancën e sotme.

Në pikën e mbetur në vazhdimin e datës 19 prill, atë të zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit, deputeti nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, konfirmoi se kandidati i subjektit që përfaqëson vazhdon të mbetet deputetja Albulena Haxhiu, por shtoi se duke parë qëndrimet e subjekteve të tjera politike, situata aktuale nuk mund të zgjidhet ndryshe përveç se me një marrëveshje politike.

Ai tha se ashtu siç votohen nënkryetarët e Kuvendit, ashtu do të duhej edhe kryetari i Kuvendit.

“Pa krijimin e një mazhorance këtu në Kuvend nuk do të mund të themelohet as vet Kuvendi. E njëjta logjikë është edhe për nënkryetarët”, theksoi Konjufca.

Në mënyrë që të mos përsëritet situata e njëjtë, ai kërkoi nga kryesuesi i seancës një kohë shtesë. Kryesuesi Dehari njoftoi se pas këtij propozimi seanca për sot ndërpritet, ndërsa paralajmëroi vazhdimin e saj të mërkurën, më 23 prill, në orën 10:00.

Të ngjashme