Lajme
Tensionet në veri të Kosovës, Begaj telefonon komandantin e KFOR: Keni mbështetjen e Shqipërisë
Demokracia
18:46 | 30 Maj 2023

Share:

Komandanti i KFOR-it, Angelo Michele Ristuccia ka zhvilluar një bisedë telefonike me presidentin e Shqipërisë, Bajram Begaj. Referuar njoftimit nga faqja zyrtare e KFOR-it, thuhet se Begaj i ka shprehur mbështetjen e plotë për misionin e Aleancës dhe aktivitetet e tij në Kosovë. Ndërkohë, kreu i shtetit u ka uruar shërim të shpejt ushtarëve të lënduar.

“Komandanti i KFOR-it, Angelo Michele Ristuccia, zhvilloi një bisedë me Bajram Begajn. Presidenti i Republikës së Shqipërisë shprehu mbështetjen e plotë për misionin e KFOR-it dhe aktivitetet e tij, si dhe u uroi shërim të shpejtë ushtarëve të lënduar në demonstrata”, thuhet në njoftim.

Si pasojë e tensioneve në veri të Kosovës, Aleanca ka bërë me dije se 30 anëtarë të aleancës kanë mbetur të plagosur.

Protestat e dhunshme erdhën pasi serbët në veri janë kundër kryetarëve shqiptarë të komunave me shumicë serbe Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviç. Ndërkohë NATO ka dërguar forca shtesë në Kosovë. Ndërkombëtarët po përpiqen që të zhvillojnë në takim mes Albin Kurtit dhe Aleksandar Vuçiç, por kjo ka rezultuar pa sukses deri tani.

Të ngjashme