Lajme
Tensionet në kulm: BBC thotë që Rusia po lëviz drejt marrjes së kontrollit direkt të grupit Wagner
Demokracia
17:16 | 11 Qershor 2023

Share:

Rusia duket se po bën veprime që të marrë kontrollin direkt të grupit famëkeq Wagner, pas disa muajsh përplasjesh mes zyrtarëve të mbrojtjes dhe këtij grupi privat ushtarak.

Zëvendës-ministri i Mbrojtjes Nikolai Pankov tha të shtunën se “formacioneve vullnetare” do t’iu kërkohet që të nënshkruajnë kontrata direkte me ministrinë e mbrojtjes.

Kjo deklaratë e shkruar në mënyrë të paqartë besohet se e shënjestron grupin Wagner, raporton BBC, përcjell Nacionale.

Por në një deklaratë me tërbim të lëshuar sot, e diele, shefi i Wagnerit Yevgeny Prigozhin tha që forcat e tij do të bojkotonin kontratat.

Grupi privat ushtarak ka luajtur rol të madh në luftën në Ukrainë, duke luftuar në anën e forcave ruse.

Por Prigozhini, që thuhet se ka ambicie politike të vetat, është përfshirë në një përplasje publike me Ministrin e Mbrojtjes Sergei Shoigu dhe me shefin ushtarak Valery Gerasimov për muaj të tërë.

Ai vazhdimisht ka akuzuar dyshen për mungesë të zotësisë dhe që qëllimisht nuk i kishin furnizuar njësitet e Wagnerit që po luftonin në Ukrainë.

“Wagneri nuk do të nënshkruajë kurrfarë kontratash me Shoigun,” – u përgjigj Prigozhin.

“Shoigu s’mundet të menaxhojë si duhet as formacionet ushtarake,” – tha ai.

Ai insistoi që grupi i tij ishte mirë i integruar me ushtrinë ruse, por tha që efektshmëria e tij do të dëmtohej nëse do t’i kërkohej që të raportonte te ministri i mbrojtjes.

Megjithëse njoftimi i të shtunës nuk i referohet direkt Wagnerit apo ndonjë grupi tjetër paramilitar, mediat ruse nënkuptuan se kontratat e reja përbënin një lëvizje për ta sjellë nën kontroll Prigozhinin dhe forcat e tij.

Tensionet mes grupit Wagner dhe ushtrisë ruse janë rritur në javët e fundit.

Javën e kaluar grupi kidnapoi komandantin Roman Venevitin, duke e akuzuar se kishte hapur zjarr ndaj një automjeti të Wagnerit afër Bakhmutit.

Më vonë ky komandant ishte liruar, por ishte publikuar një video nga blogerët rusë ku ai akuzonte Wagnerin se po përhapte anarki.

Të ngjashme