Lajme
Tensione në mledhjen e LDK-së, asamblistët i’a dëmtojnë letrat kryesuesit të kuvendit
Demokracia
14:42 | 03 Nëntor 2022

Share:

Kuvendi Komunal i Podujevës sot ka paraparë mbledhjen e saj të radhës, por ishin asamblistët e LDK-së që u mblodhën duke mos e lejuar mbarëvajtjen e seancës, pasi aty po diskutohej për ndaljen e mëditjeve nga seanca e muajit shtator.

As pas pauzës, këshilltarët komunalë nga radhët e LDK-së nuk e kanë lejuar vazhdimin e seancës.

Madje, ata e kanë penguar kryesuesin e Kuvendit, Hilmi Hoxha, që ta udhëheq seancën, duke ia larguar mikrofonin.

Për më tepër, të njëjtit ia kanë dëmtuar letrat dhe e kanë lëshuar me zë të lartë himnin e Kosovës.

Për këtë çështje, ka reaguar asamblisti i Lëvizjes Vetëvendosje në Podujevë, Ardi Hasani, i cili tha se grupi i asamblistëve të LDK-së po i bllokon punimet e Kuvendit Komunal.

“Kjo siç po shihet për qëllim e ka pengimin e punëve të mira që po bëhen nga qeverisja e Lëvizjes VETËVENDOSJE!, në Podujevë. Ata po thirren në atë se nuk ua kanë ekzekutuar meditjet (pagën), për një seancë të Kuvendit Komunal, të cilën e kanë lëshuar duke mos e votuar as rendin e ditës”, shkroi ai në Facebook.

“Me të parë rezistencën e tyre për të bllokuar punët e mira që po bëhen, kryetari i Komunës, z. Shpejtim Bulliqi, u rekomandon kryesuesit dhe asambleistëve tjerë të Kuvendit, që të dalin prej kësaj gjendje dhe t’u ekzekutohen pagat. Mirëpo, këta nuk po pranojnë, sepse po ju pengojnë punët e mira”, shtoi Hasani.

Ai tha se LVV-ja do të vazhdojë me punët e mira e me përgjegjësi për të cilën ua kanë kërkuar votën qytetarëve të Podujevës.

Të ngjashme