Me tensione po vazhdon protesta para objektit të komunës së Klinës, kundër ndërtimit të fabrikës së Çimentos. Protestuesit po kërkojnë të futen brenda objektit të komunës derisa kryetari Zenun Elezaj gjendet në Turqi.
Ahmet Gashi, organizator i protestës, ka thënë për Demokracia.com se janë duke protestuar pasi operatori ekonomik ka filluar punën për ndërtimin e fabrikës, përkundër që Kuvendi Komunal e pati anuluar atë vendim në vitin 2020.
Sipas tij, ai vendim nga viti 2020 deri sot është aktiv dhe atë vendim ka mundësi me e zhbë vetëm Kuvendi Komunal ose gjykata, duke shtuar se “zyrtarët e korruptuar brenda Kuvendit Komunal kanë lëshuar kushte ndërtimore në mënyrë të paligjshme dhe flagrante dhe mendoj se kanë konsumuar edhe vepër penale”.
“Kjo kauza jonë për ta ndaluar fabrikën e Çimentos ka filluar në vitin 2020, ku ne kemi mbledh një peticion prej 5 mijë nënshkrimeve dhe e kemi dërguar në Asamble dhe asambleja i ka anuluar të gjitha vendimet sa i përket ndërtimit të fabrikave dhe guroreve që i furnizojnë fabrikat. Ai vendim nga viti 2020 deri sot është aktiv dhe atë vendim ka mundësi me e zhbë vetëm asambleja komunale ose gjykata, asnjëra prej tyre nuk e ka zhbë dhe ai vendim është aktiv. Zyrtarët e korruptuar brenda Kuvendit Komunal kanë lëshuar kushte ndërtimore në mënyrë të paligjshme dhe flagrante dhe mendoj se kanë konsumuar edhe vepër penale dhe operatori ka rregulluar dokumente në mënyrë të paligjshme. Dje ka qenë Dita e Evropës dhe ai (Operatori Ekonomik) më dokumente të falsifikuara ka ardh me punu me ekskavator dhe ne jemi detyruar me brenda orës me organizo protestë që me e ndal dhe e kemi ndalur. Sot kemi ardhë para komunës me i tregu që dokumentet të cilat i ka lëshuar shteti jonë a janë valide. Këtu janë edhe Policia e Kosovës. Ne kemi kërkuar dje që ta takojmë edhe një prokuror, këta hala hezitojnë me e pru prokurorin edhe pse jemi 100 veta këtu afër komunës dhe presim një epilog të kësaj çështje”, ka thënë Gashi.
Ai ka thënë se janë duke pritur që të futen brenda objektit të komunës bashkë me komandantin e Policisë si dhe kanë kërkuar prezencën e një prokurori.
“Ne po presim tani me u fut brenda në komunë edhe me bisedu me akterët të cilët nuk e kanë asnjë alibi e cila e hedh poshtë vendimin e viti 2020 ku ndalohen të gjitha lejet për ndërtimin e fabrikës. Na jemi gardian të Kushtetutës, ne kemi vendim i cili ndalon të gjithë ata zyrtarë që lëshojnë dokumente të paligjshme ashtu qysh kanë bërë që 20 vjet. Fabrika po ndërtohet në oborret e shtëpive tona dhe ju e dini çka është industria e çimentos. Është momenti i fundit që ne kemi duruar deri tani, nuk kemi mundësi për qejfet e një industrialisti me shkel Kushtetutën. Ne po presim që të futemi në komunë me komandantin e Policisë, ne po insistojmë pafundësisht që të vijë një prokuror. Në seancën e jashtëzakonshme me 19 maj është krijuar një komision hetimor, aty janë 5 anëtar dhe komisioni sa ka fillu dhe ata nuk e kanë pritur as afatin e punë së komisionit hetimor dhe ditën e festës e kanë dërguar ekskavatorin për të punuar. Tash po presim që organet kompetente me i dhënë fuqi vendimit dhe me i interpretu ashtu siç e përcaktojnë ligjet e Kosovës”, ka thënë Gashi.
Ndërsa, kryetari i komunës së Klinës, Zenun Elezaj, ka thënë për Demokracia.com se është njoftuar për protestën, por që gjendet jashtë Kosovës. Ai nuk ka dhënë asnjë arsye se pse është dhënë leja për ndërtimin e kësaj fabrike, përkundër që kishte premtuar se nuk do të lejohej një gjë e tillë.
“Jam në Turqi. Mu me njoftuan për protestën besoj që dikush nga komuna del dhe bisedon me ta, ne kemi biseduar për këtë çështje, por besoj prapë del dikush për të folur me protestuesit. Mundesh me kërkua të dhëna nga Drejtoria e Urbanizmit”, ka thënë Elezaj.
Në vitin 2020, qytetarët që u angazhuan për ta kundërshtuar këtë fabrikë mblodhën 4 mijë e 700 nënshkrime në një peticion në përpjeke për të kundërshtuar ndërtimin e fabrikës. /Demokracia.com/