Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, e udhëhequr nga Donika Gërvalla-Schwarz, rrezikon të paralizojë funksionimin e rregullt të shërbimit diplomatik të Kosovës. Kjo, për shkak të mungesës së një kontrate për shërbimet postare diplomatike, që ka mbetur e pazgjidhur tash e një vit. Përpjekjet për të lidhur kontratë të re janë rrëzuar vazhdimisht nga vetë MPJD, që herë anulon tenderin, e herë tjetër vendos kritere të dyshimta që duket se synojnë eliminimin e një operatori specifik – A.L. Dushi Sh.P.K. E gjitha kjo, siç rezulton, për një konflikt të kahershëm që tashmë po i kushton funksionalitetit të një prej hallkave më të ndjeshme të shtetit, diplomacisë. Pavarësisht nevojës urgjente dhe kërkesave të vazhdueshme nga misionet diplomatike dhe diaspora, MPJD është duke e shtyrë dhe sabotuar procesin tenderues, përmes vendosjes së kritereve që favorizojnë vetëm një kompani 3P SHPK-DHL, ndërsa e gjithë pesha bie mbi funksionimin e shtetit dhe qytetarët e tij jashtë vendit, shkruan Demokracia.com.
Paneli Shqyrtues i Organit Shqyrtues të Prokurimit (OSHP) ka vendosur të aprovojë si të bazuar ankesën e operatorit ekonomik A.L. Dushi Sh.P.K., në lidhje me tenderin për “Shërbimet postare diplomatike”, të shpallur nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD).
Në vendimin e miratuar OSHP ka urdhëruar MPJD-në që të përmirësojë dokumentet e tenderit, të cilat janë vlerësuar si diskriminuese dhe në kundërshtim me Ligjin për Prokurimin Publik. Paneli ka konstatuar se kriteret e përfshira në dosjen e tenderit janë hartuar me qëllim përjashtimi të këtij operatori ekonomik nga gara.
Në arsyetimin e vendimit thuhet se kërkesa e MPJD-së që operatorët ekonomikë të posedojnë “flotë të vet transporti (tokësore apo ajrore)” ka qenë e panevojshme dhe ka krijuar favore për një kompani të caktuar në treg, duke eliminuar konkurrencën. OSHP thekson se një kriter i tillë shkel nenin 7 dhe 28 të LPP-së, të cilat ndalojnë çdo formë të diskriminimit apo favorizimit në aktivitetet e prokurimit.
Sipas ankesës së A.L. Dushi, specifikimi teknik në dosjen e tenderit ishte përshtatur në mënyrë të tillë që të përjashtonte ofertuesit që nuk janë përfaqësues të autorizuar të kompanive ndërkombëtare postare si DHL, UPS apo FedEx. Kjo, sipas OSHP-së, ka rezultuar në kufizim të konkurrencës dhe e ka bërë aktivitetin e prokurimit praktikisht një-burimor.
Ministria e kishte hequr atë kriter më pas, duke lënë kohë për ankesa, por nuk pati asnjë ankesë. Më pas, e ktheu sërish tenderin në proces vlerësimi. Pas vlerësimit, dje, konkretisht e anuloi tërësisht procesin, duke konstatuar se asnjëra nga kompanitë nuk i përmbushte kriteret.
Madje, as kompania që më parë ishte shpallur fituese. Kjo tregon qartë se në rastin e parë i ishte bërë një favor i hapur kësaj kompanie.
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD), e drejtuar nga Donika Gërvalla-Schwarz, prej disa muajsh ka lënë në pritje dhjetëra persona për kryerjen e shërbimeve diplomatike. Arsyeja kryesore është se ministria ende nuk ka arritur të lidhë një kontratë për shërbimet postare diplomatike, shkruan Demokracia.com.
Demokracia.com kishte raportuar se MPJD ka vendosur kritere të reja në tenderin për “Shërbimet postare diplomatike”, të cilat dyshohet se janë hartuar me qëllimin e vetëm për të përjashtuar një kompani specifike – A.L. Dushi Sh.P.K. Kjo kompani, që më parë kishte pasur një kontratë me MPJD-në, u përball me shkëputjen e saj nga ana e ministrisë me arsyetimin se nuk kishte përmbushur detyrimet kontraktuale. Gjithashtu, gjatë periudhës së bashkëpunimit, ka dyshime se janë humbur pasaporta diplomatike.
Që nga ndërprerja e kontratës në verën e vitit të kaluar, ministria ka mbetur pa një operator të shërbimeve postare diplomatike, ndonëse ka bërë përpjekje për të lidhur një kontratë të re. A.L. Dushi Sh.P.K. ka konkurruar në secilin tender të hapur nga MPJD dhe ka ofruar çmimin më të ulët, por ministria ka gjetur arsye për ta eliminuar atë, duke anuluar tenderët.
Në tenderin e ri, të publikuar më 8 janar 2025, MPJD ka përfshirë një kërkesë të veçantë, e cila nuk ishte pjesë e asnjë tenderi të mëparshëm për këtë shërbim: operatori ekonomik duhet të ketë flotën e vet të transportit (tokësore dhe ajrore), pa e nënkontraktuar atë nga ndonjë kompani tjetër, përfshirë edhe fluturimet komerciale të pasagjerëve. Si dëshmi, tenderi kërkon konfirmim të vulosur nga zyra ndërkombëtare e operatorit ekonomik, përgjegjëse për tregun e Kosovës.
Ky kriter ka ngjallur shqetësime, veçanërisht nga A.L. Dushi Sh.P.K., e cila më 17 janar 2025 ka paraqitur një kërkesë për rishqyrtim pranë MPJD-së, duke argumentuar se ky kriter është i padrejtë dhe favorizon vetëm një kompani në treg – 3P SHPK-DHL. Kjo kompani është e vetmja që mund të përmbushë kushtin e përcaktuar nga MPJD, ndërsa operatorët e tjerë nuk kanë alternativa të barabarta për konkurrim.
Pavarësisht ankesës, më 20 janar 2025, ministria e ka refuzuar kërkesën për rishqyrtim, duke argumentuar se përvoja e saj me A.L. Dushi Sh.P.K. ka qenë negative dhe se vendosja e këtij kriteri synon të shmangë problemet e mëparshme. Në vendimin e saj, ministria thekson se ky operator është konsideruar i papërgjegjshëm për shkak të moszbatimit të kontratës dhe, për këtë arsye, është vendosur një kriter më i rreptë për të garantuar përmbushjen e saktë të shërbimeve të kërkuara.
Në ankesën e saj të dytë, dorëzuar pranë Organit Shqyrtues të Prokurimit (OSHP) më 30 janar 2025, A.L. Dushi Sh.P.K. ka pretenduar se MPJD nuk ka ndjekur procedurat e rregullta për përjashtimin e një operatori nga garat e prokurimit, por në vend të kësaj ka vendosur kritere të personalizuara për të kufizuar pjesëmarrjen e saj. Sipas kompanisë, nëse MPJD vërtet e konsideron këtë operator të papërshtatshëm për shkak të përvojave të mëparshme, atëherë do të duhej të ndiqte procedurën ligjore për përjashtim nga prokurimi, në vend që të vendoste kritere që dëmtojnë konkurrencën.
Sipas Ligjit për Prokurimin Publik (LPP), ky veprim mund të jetë në kundërshtim me nenin 7, paragrafin 2, i cili ndalon çdo masë që redukton apo eliminon konkurrencën mes operatorëve ekonomikë dhe favorizon një kompani në mënyrë të padrejtë. Gjithashtu, neni 28, paragrafi 2, ndalon hartimin e specifikimeve teknike që krijojnë avantazh për një kompani të caktuar.
Konkretisht, ky kriter favorizon vetëm 3P SHPK-DHL, e cila është përfaqësuesja e vetme e DHL në Kosovë dhe ka flotën e saj të transportit. Duke qenë se vetëm tre kompani ndërkombëtare ofrojnë shërbime postare të shpejta në Kosovë (UPS, DHL dhe FedEx/TNT), vendosja e një kërkese specifike që vetëm njëra prej tyre mund ta përmbushë de facto e kthen këtë tender në një kontratë me burim të vetëm, duke kufizuar konkurrencën.
Demokracia.com ka gjetur se MPJD, përpara se të vendoste këtë kriter të ri, që duket qartë se synon të eliminojë një kompani specifike kishte bërë përpjekje për ta larguar A.L. Dushi Sh.P.K. përmes OSHP-së. Më 27 dhjetor 2024, ministria kishte kërkuar futjen e kësaj kompanie në “listën e zezë”, por Bordi i OSHP-së e refuzoi këtë kërkesë, duke argumentuar se nuk ka bazë të mjaftueshme ligjore për një masë të tillë. Në listën e zezë mund të përfshihen vetëm kompanitë që kanë ofertuar me dokumente të falsifikuara ose kanë kryer shkelje të rënda ligjore.
Pas dështimit për ta përjashtuar përmes OSHP-së, ministria vendosi kritere specifike në tender, me të cilat synon të eliminojë A.L. Dushi Sh.P.K., e cila ka ofruar çmime shumë më të ulëta se 3P SHPK-DHL, e cila ka dorëzuar një ofertë disa herë më të shtrenjtë. Për këtë arsye, se ministria duhej të drejtohej në Gjykatën Komerciale, pasi organet përkatëse të prokurimit nuk kanë gjetur bazë ligjore të mjaftueshme për përjashtimin e A.L. Dushi Sh.P.K. nga tenderët.
MPJD-ja është ‘bombarduar’ me kërkesa për pajisje të dokumenteve të udhëtimit nga diaspora. Lidhur më këtë Demorkacia.com ka raportuar që para katër muajve, ndërkohë që akoma nuk është lidhur kontratë e re.
Për ndryshe, në të kaluarën kompania A.L. Dushi Sh.P.K ka qenë thuajse kontraktor i rregullt i ministres Gërvalla.
Por, dukët se pas thyerjeve të raporteve në mes presidentes dhe ministres ka bërë që të acarohen raportet dhe më kompaninë.
Demorkacia.com kishte raportuar se, pronare e kësaj kompanie është Xhylizare Selimi-Dushi e cila është shoqe e afërt e Blinera Osmanit, motrës së të parës së shtetit, por ka miqësi edhe me vetë presidenten Osmani.
Në fotografitë që ka siguruar Demokracia.com, motra e Osmanit shihet nën shoqëri të afërt me Xhylizare Selimi-Dushi.
Po ashtu, me Selimi-Dushin ka fotografi të përbashkët edhe vetë presidentja Vjosa Osmani. Ato shihen duke pirë kafe e çaj nën shoqërinë e njëra-tjetrës. /Demokracia.com/