Lajme
Tenderi 16.5 milionësh për mbeturinat bllokohet në OSHP, akuzat për kritere diskriminuese
Demokracia
18:05 | 26 Dhjetor 2024

Share:

Komuna e Prishtinës ka shpallur një tender për menaxhimin e mbeturinave për një periudhë trevjeçare, me vlerë prej 16.5 milionë euro, të ndarë në 6 lote. Ky tender ka ngjallur reagime të forta për shkak të disa specifikave teknike të përfshira në dosjen e tij, të cilat, sipas operatorëve ekonomikë, kufizojnë konkurrencën. Këto përfshijnë përcaktime për llojin e kamionëve dhe kërkesën që vetëm një operator mund të fitojë çdo lot, shkruan Demokracia.com.

Procesi është komplikuar më tej pasi tenderi ka përfunduar në Organin Shqyrtues të Prokurimit (OSHP), ndërsa Kompania Regjionale “Pastrimi” ka kontratë me komunën vetëm deri më 31 dhjetor 2024. Vendimi për tender ka shkaktuar reagime të ashpra nga “Pastrimi”, që e ka cilësuar procesin si të padrejtë dhe kufizues. Gjithashtu, disa kompani të tjera kanë ngritur shqetësime për kriteret që i konsiderojnë diskriminuese.

Por, më 09.12.2024, operatori ekonomik “GSG” Sh.P.K ka dorëzuar kërkesë për rishqyrtim pranë Autoritetit Kontraktues (AK), e cila u refuzua më 18.12.2024 si e pabazuar. Sipas “GSG” Sh.P.K, AK ka shkelur disa nene të Ligjit për Prokurimin Publik (LPP), duke vendosur kritere diskriminuese që kufizojnë konkurrencën.

Një nga kriteret më të kontestuara është kërkesa që të gjithë kamionët të jenë të pajisur me sistem RFID të integruar me softuerin C-Trace, i cili duhet të verifikohet nga komisioni në fazën e vlerësimit. Sipas “GSG” Sh.P.K, kjo kërkesë diskriminon operatorët që nuk posedojnë pajisjet në pronësi dhe planifikojnë t’i marrin me qira pas përzgjedhjes. Kjo ul konkurrencën dhe ndikon negativisht në çmimet e ofertave.

Një tjetër kërkesë problematike është ajo për pajisje teknike në vendpunishte brenda Kosovës për verifikim, e cila favorizon operatorët me pajisje në pronësi dhe diskriminon ata që i marrin me qira ose janë të huaj. Sipas “GSG” Sh.P.K, këto kritere bien ndesh me Nenin 71 të LPP-së dhe pamundësojnë pjesëmarrjen e barabartë të operatorëve.

Në ankesën e saj drejtuar OSHP-së, “GSG” Sh.P.K ka kërkuar ndërhyrjen e autoriteteve për të siguruar një proces të drejtë dhe transparent në prokurimin e Komunës së Prishtinës. Kjo situatë ka ngritur shqetësime serioze mbi ndikimin që këto kritere të kontestuara mund të kenë në konkurrencën dhe në buxhetin komunal.

Sipas analizës së Demokracia.com, duket se është shumë e vështirë që Ndërmarrja “Pastrimi” të konkurrojë si operator i vetëm për këtë tender. Arsyeja kryesore lidhet me kërkesat për kamionët që ndërmarrja nuk i posedon, si dhe specifikimet teknike që favorizojnë operatorë të tjerë.

Në dokumentet e tenderit është specifikuar që kamionët duhet të plotësojnë standardin Euro 6 për emisionet e gazrave. Një kompani ka këkruar sqarime shtesë. Në këtë kërkesë, kompania thekson se kërkesa për standardin Euro 6 është kufizuese dhe sugjeron që të lejohet edhe përdorimi i kamionëve me standarde më të ulëta, si Euro 3, Euro 4 ose Euro 5, që janë të pajisur me teknologji për reduktimin e ndotjes.

“Kërkesa për Standardin Euro 6 për Kamionët. Në dokumentet e tenderit është specifikuar që kamionët duhet të përmbushin standardin Euro 6 për emisionet. Duke u bazuar në ligjet dhe rregulloret në fuqi në Kosovë, si dhe në praktikën e përdorimit të mjeteve të ndryshme në qytet, kërkojmë që kërkesa për standardin Euro 6 të largohet si kërkesë e detyrueshme për këtë tender. Kjo kërkesë mund të jetë në kontradiktë me parimet e barazisë dhe të qasjes së drejtë për të gjithë operatorët e mundshëm, duke pasur parasysh se shumë kamionë të klasave të tjera, si Euro 3, Euro 4 dhe Euro 5, janë të pajisur me teknologji të avancuara që u mundësojnë atyre të reduktojnë ndotjen dhe të përmbushin normat e ndotjes të kërkuara nga ligji. Për këtë arsye, kërkojmë që kërkesa për Euro 6 të largohet dhe të mundësohet përdorimi i kamionëve që përmbushin normat e kërkuara për emisionet dhe mbrojtjen e mjedisit”, thuhet në kërkesën për sqarime të një operatori, përcjell Demokracia.com.

Komuna e Prishtinës ka mbrojtur kriterin për standardin Euro 6, duke argumentuar se është pjesë e “Planit Lokal për Cilësinë e Ajrit”, i cili synon reduktimin e ndotjes së ajrit në qytet.

“Standardi Euro 6 është shumë i rëndësishëm dhe një hap i domosdoshëm për uljen e ndotjes së ajrit në kryeqytet. Kjo është një nga masat që kemi ndërmarrë për përmirësimin e cilësisë së ajrit, krahas reformave në trafikun urban dhe shërbimeve të tjera”.

Megjithatë, analiza e Demokracia.com ka zbuluar një mospërputhje në kriteret e përcaktuara. Për tri lotet e para të tenderit (1, 2 dhe 3), kërkohet standardi Euro 6, ndërsa për lotet 4, 5 dhe 6, është kërkuar standardi më i ulët, Euro 4. Kjo e bën përgjigjen e komunës kontradiktore dhe ngrit dyshime për trajtimin e pabarabartë të loteve.

Ndërkaq, vlera monetare e loteve ka nxjerrë në pah një tjetër çështje. Loti 1 ka vlerën më të lartë të parashikuar, ndjekur nga lotet 2 dhe 3, ndërsa lotet 4, 5 dhe 6 kanë vlera shumë më të vogla. Ky fakt shton dyshimet se kriteret e përcaktuara për lotet e para mund të jenë krijuar për të favorizuar operatorë të caktuar, ndërsa në lotet më pak fitimprurëse, kriteret janë më të lehta.

Përveç kërkesave për ndryshimin e standardit Euro 6, operatorët ekonomikë kanë kërkuar edhe sqarime për disa specifikime të tjera teknike në tender.

Ndërkohë që Komuna e Prishtinës mbron kërkesën për standardin Euro 6 si një hap për uljen e ndotjes, kjo po shihet si një mënyrë për të përjashtuar konkurrencën. /Demokracia.com/

Lexo edhe:

Të ngjashme