Policia e Kosovës ka hapur një tender në vlerë 420 mijë euro për furnizim me skuterë elektrikë me bateri rimbushëse dhe biçikleta elektrike me bateri rimbushëse. Blerja e tyre po bëhet tani kur kemi hyrë në dimër.
20 skuterë elektrikë dhe 10 biçikleta eketrike me bateri rimbushëse po planifikon t’i blejë Policia e Kosovës.
Tenderi për blerjen e tyre është hapur tani dhe parashihet të mbyllet në fund të muajit dhjetor, shkruan Demokracia.com.
Procesi i blerjes së këtyre skuterëve e biçikletave po kryhet në sezonin e dimrit, deri sa përdorimi i tyre është më i vështirë për shkak të borës e shiut.
Pse kjo blerje po bëhet tani nuk është dhënë ndonjë arsye, vetëm është thënë se ‘Qëllimi i këtij aktiviteti të prokurimit është furnizim me skuter elektrik me bateri rimbushëse dhe biçikleta elektrike me bateri rimbushëse’.
Në njoftimin e shpallur është treguar se pranimi i ofertave nga kompanitë do të bëhet deri më datën 26 të muajit dhjetor.
“Furnizim me skuter elektrik me bateri rimbushëse dhe biçikleta elektrike me bateri rimbushëse. Vlera e parashikuar e kontratës: 420,000.00 euro. Afati i fundit për pranim të tenderëve / aplikacioneve: data 26.12.2024”.
Në dosjen e tenderit është thënë se motoçikletat duhet të jenë të prodhuara këtë vit dhe të kenë një vit garancion.
“Garancioni 1 vit dhe duhet të jetë i plotë, ku përfshihen edhe servisimet e rregullta si dhe servisimet e motoçikletave ku përfshihet mirëmbajtja e tyre dhe ndonjë defekt që mundet ta ketë gjatë kësaj periudhe, diskat gurtnet ose ndonjë nevojë kompjuterike. Po ashtu kompania fituese është e obliguar që të bëjë trajnimin e së paku dy mekanikëve të autoritetit kontraktues. Obligative motoçikletat skuter elektrik me rimbushje duhet të jenë sipas standardeve evropiane që përdoren në BE, viti i prodhimit duhet të jetë aktual me urdhër blerjen. Afati i liferimit 120 ditë”.
Kurse për biçikletat elektrike është thënë se duhet të jenë dy garancione, për trup të biçikletës duhet të jetë 5 vite, ndërsa për bateri së paku duhet të jetë 2 vite.
“Garancioni për trup të biçikletës duhet të jetë 5 vite, ndërsa për bateri se paku duhet të jetë 2 vite, për mekanizmin e shpejtësisë dhe frenat duhet të jetë 2 vite garancioni. Obligative Biçikletat Elektrike me ri-mbushje duhet të jenë sipas standardeve evropiane që përdoren në BE, viti i prodhimit duhet të jetë aktual me urdhërblerjen. Ofertuesit duhet të sjellin katalogun e biçikletës. Alumin i përshtatshëm për motor të mesit, bateria e integruar në trup, madhësi 45-50 mm Alumin me gjatësi 610-660 mm Mat i trajtuar për mbrojte të ngjyrës. Alumin Mat i trajtuar për mbrojte të ngjyrës. Të gomës 80-100 mm e djathta, e majta 110-140 mm”. /Demokracia.com/