Lajme
Temat e luftës: Partitë po përdorin fushata negative për t’i dëmtuar rivalët
Demokracia
21:16 | 07 Shkurt 2021

Share:

Ushtria Çlirimtare e Kosovës gjithmonë është temë debati në fushatat zgjedhore. As kampanja e fundit nuk dallon.

Partitë e dala nga ky formacion ushtarak po zotohen se do t’i mbrojnë vlerat e luftës. Por, në garën politike, subjektet po lansojnë edhe akuza kundër njëri-tjetrit, që lidhen me këtë periudhë.

Nisma Socialdemokrate ka zgjedhur sloganin që përfaqëson luftën e UÇK-së. Ndërsa përmes video-kampanjave po jep mesazh se kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj, ka qenë kundër luftës çlirimtare, raproton Klan Kosova.

Në anën tjetër, PDK-së nuk i mungojnë asnjëherë simbolet e UÇK-së në tubimet me qytetarë, ndërsa fushatën e ka koncentruar edhe me dy ish-themeluesit e partisë e të Ushtrisë Çlirimtare, Hashim Thaçin e Kadri Veselin.

Ndërkaq Enver Hoxhaj e bënë lidhjen e pashkëputshme të partisë së tij me luftën e fundit.

“ADN-ja e PDK-së është UÇK. Sa herë që na sulmojnë, ne nuk e ngritim flamurin e bardhë, por të UÇK-së”, tha ai në njërin nga tubimet e fushatës.

Ramush Haradinaj i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, tani po synon të bëhet komandant suprem i ushtrisë së shtetit të Kosovës. Si president i vendit, ky thotë se do të jetë kundërshtar i fortë në tavolinë kundër presidentit serb, Aleksandër Vuçiq.

Në këtë garë, kundërkandidate e Haradinajt është Vjosa Osmani nga lista e Vetëvendosjes. I pari ka zgjedhur ta sulmojë rivalen përmes videove, për ta shfaqur si të dobët Osmanin në bisedime.

Ushtruesja aktuale e detyrës së presidentes, këtë formë propagande e quajti të patolerueshme.

“Unë kurrë nuk do ta thosha një gjë të tillë për një shqiptar të shtetit tim”, deklaroi Osmani në Rubikon.

Forma që përdorin politikanët për t’i dëmtuar rivalët në kohë të caktuara quhet fushatë negative.

Të ngjashme