Lajme
Televizioni TV4: Avionët rusë me armë bërthamore kanë hyrë në territorin suedez
Demokracia
20:22 | 30 Mars 2022

Share:

Televizioni suedez, TV4 pretendon se avionët rusë të armatosur me armë bërthamore kanë hyrë në hapësirën ajrore suedeze, transmeton Demokracia.com.

Ngjarja, thonë ata, ka ndodhur më 2 mars. Katër avionë ushtarakë rusë fluturuan pranë ishullit suedez të Gotland, të cilin rusët shpesh e përvetësojnë. Bëhet fjalë për dy Sukhoi 24 dhe dy Sukhoi 27. Dy Sukhoi, sipas burimeve të këtij televizioni suedez, kishin armë bërthamore. Të katër avionët thuhet se janë ngritur nga enklava ruse e Kaliningradit.

Autoritetet ushtarake nuk pranuan të komentojnë mbi informacionin se avionët ishin të armatosur me armë bërthamore.

Ushtria suedeze ka dënuar shkeljen e hapësirës ajrore.

“Ne e vlerësojmë këtë si një veprim të vetëdijshëm. Është shumë serioz, veçanërisht nëse jeni një vend në luftë”, tha shefi i Forcave Ajrore, Carl-Johan Edstrom.

“Ne e kemi analizuar incidentin dhe është e qartë se nuk mund të përjashtojmë fluturimin e gabuar, por gjithçka tregon se ishte një veprim i qëllimshëm, se ata kaluan kufirin suedez”, shtoi ai.

Shkelja e rregullave të hapësirës ajrore ka zgjatur rreth një minutë. Suedia ngriti aeroplanin Gripen, i cili fotografoi rusët dhe sipas TV4, kështu u zbulua se ata kishin armë bërthamore.

“Është një strategji e qartë e Rusisë dhe një sinjal për Suedinë se ata kanë armë bërthamore dhe se mund të konsiderojnë përdorimin e tyre”, tha eksperti ushtarak Stefan Ring. /Demokracia.com/

Të ngjashme