Pas publikimit të artikullit nga Demokracia.com lidhur me kontratat për teknologjinë 5G, Telekomi i Kosovës ka reaguar duke mohuar se ka pasur parregullsi në këtë proces. Në reagimin e tyre, ata thonë se marrëveshja me kompaninë kroate Ericsson Nikola Tesla është bërë në përputhje me Ligjin për Prokurimin Publik, për shkak të specifikave teknike që lidhen me përditësimin e platformave ekzistuese dhe shtimin e licencave për përdoruesit 5G. Telekomi gjithashtu ka kundërshtuar disa nga pohimet e raportit, duke i cilësuar si të pavërteta dhe të dëmshme për imazhin e kompanisë.
Reagimi Telekomit:
Subjekti: Kërkesë për publikimin e reagimit/demantit ndaj artikullit: “Telekomi i Kosovës vazhdon të derdhë miliona për 5G, pas kontratës 15 milionëshe me kompaninë kroate, nënshkruan edhe 1.3 milionë euro pa garë”, publikuar më 23.04.2025 në portalin tuaj Demokracia.com.
Të nderuar pronarë, redaktorë dhe gazetarë të Demokracia.com,
Në përputhje me të drejtën tonë për publikimin e reagimit, bazuar në dispozitat e legjislacionit për mediat dhe etikën profesionale, ju lutemi të publikoni reagimin tonë, në mediumin tuaj lidhur me trajtimin e temës në fjalë. Ne konsiderojmë se artikulli juaj nuk pasqyron në mënyrë të plotë faktet dhe ka vënë në dyshim integritetin e kompanisë sonë.
Për këtë arsye, Telekomi i Kosovës dëshiron të qartësojë për publikun se investimet në teknologjinë 5G janë pjesë e një strategjie të mirëpërcaktuar për modernizimin e infrastrukturës dhe përmirësimin e shërbimeve për konsumatorët. Ky proces zhvillohet në përputhje me praktikat më të mira të industrisë dhe është në interes të avancimit teknologjik të vendit.
Kontrata e fundit me kompaninë kroate Ericsson Nikola Tesla është rezultat i një nevoje teknike specifike, siç është e drejta për përditësimin e softuerit (marrja e versioneve të fundit) të platformave tona të blera nga Ericsson Nikola Tesla dhe blerja e 200 mijë licencave shtesë për përdoruesit 5G, nga 50 mijë sa i kishim deri tani. Licencat shtesë na duhen, sepse 50 mijë ekzistueset, të planifikuara kur ka filluar projekti para gati 3 vitesh, janë harxhuar. Këto shërbime nuk mund të ofrohen nga askush tjetër, pos nga vet prodhuesi. Për këtë arsye, procesi është zhvilluar përmes negocimit pa garë publike, siç lejohet nga ligji për prokurimin publik kur ekziston vetëm një ofrues i kualifikuar për një shërbim të caktuar.
Prandaj, konstatimi juaj se, “në rajonin e Ballkanit operojnë disa kompani të tjera që ofrojnë shërbime të ngjashme në ndërtimin dhe mirëmbajtjen e rrjeteve 5G…”, është qesharak lidhur me kërkesat e këtij tenderi, është dezinformim i publikut, dhe është dëmtim i qëllimshëm i imazhit të Telekomit të Kosovës. Ju paralajmërojmë se dëmtimet e qëllimshme të imazhit të një biznesi mund të kuantifikohen në dëme financiare.
Po ashtu, konstatimi juaj se, “Marrëveshja vjen në kohën kur Telekomi ka nisur zbatimin e fazës së parë të projektit 5G, përmes instalimit të 10 stacioneve bazë dhe kalimit në kodin ndërkombëtar 383”, është tërësisht i pavërtetë. Për ta kuptuar të vërtetën, qoftë të fazave të projektit 5G apo numrit të stacioneve bazë, ju ftojmë të na drejtoheni me pyetje, siç i ka hije një mediumi serioz.
Sa i përket vlerës së kontratës, Telekomi i Kosovës thekson se ndryshimi i kostos nuk është rezultat i ndonjë rritjeje artificiale, siç pretendohet në artikull. Para shpalljes së tenderit, pavarësisht nga procedura e prokurimit që aplikohet, Autoriteti Kontraktues – në këtë rast Telekomi – publikon edhe shumën e planifikuar për kontraktimin e shërbimeve ose pajisjeve. Por, ofertat e operatorëve ekonomikë nuk vijnë gjithmonë brenda buxhetit të planifikuar.
Pas pranimit të ofertave, nëse ofertat janë mbi vlerën e parashikuar, kryhen analiza të brendshme për të vlerësuar nëse përsëritja e procedurës së tenderimit mund të sjellë oferta me çmime më të ulëta, ose nëse duhet rritur buxheti dhe kontraktimi të bëhet me procedurën aktuale.
Është e pamundur të parashikohet me saktësi se me çfarë shume do të vijnë ofertat e operatorëve ekonomikë në një procedurë tenderimi, aq më tepër kur planifikimi i buxhetit për një projekt të caktuar bëhet në vitin paraprak për vitin vijues. Ndërkohë, lëvizja e çmimeve në treg ndryshon vazhdimisht, veçanërisht për shërbimet dhe pajisjet që lidhen me teknologjinë.
Telekomi i Kosovës mbetet i përkushtuar për të informuar publikun mbi çdo zhvillim që lidhet me projektet e rëndësishme teknologjike dhe siguron se të gjitha investimet në rrjetin 5G janë bërë në përputhje me nevojat teknike dhe procedurat ligjore.
Për çdo pyetje apo shqetësim, Telekomi i Kosovës është i hapur për komunikim të drejtpërdrejtë me palët e interesuara dhe garanton transparencë në të gjitha proceset e investimeve.
Ju falënderojmë për bashkëpunimin dhe presim që reagimi ynë të publikohet, në një hapësirë dhe kohë të barasvlefshme me publikimin e juaj, në përputhje me standardet e profesionalizmit, transparencës dhe informimit korrekt të publikut.
Sqarim i Demokracia.com lidhur me reagimin e Telekomit të Kosovës
Portali Demokracia.com ka pranuar një reagim zyrtar nga Telekomi i Kosovës në lidhje me artikullin e publikuar më 23 prill 2025, me titull: “Telekomi i Kosovës vazhdon të derdhë miliona për 5G, pas kontratës 15 milionëshe me kompaninë kroate, nënshkruan edhe 1.3 milionë euro pa garë”.
Duke respektuar të drejtën e secilës palë për të reaguar, në përputhje me standardet etike të raportimit, portali Demokracia.com e ka publikuar reagimin e plotë të Telekomit.
Megjithatë, dëshirojmë të theksojmë disa çështje:
Raportimi i Demokracia.com është mbështetur në dokumente publike të prokurimit, përfshirë kontratën dhe procedurën e ndjekur. Përdorimi i procedurës së negocimit pa publikim është fakt i dokumentuar dhe është theksuar pikërisht për të ngritur pyetje të ligjshme mbi mungesën e konkurrencës, çështje që prekin interesin publik.
Sa i përket pretendimit për “dezinformim” lidhur me kompanitë e tjera në rajon, sqarojmë se referenca në shkrim ka të bëjë me faktin që ekzistojnë operatorë të shumtë në Ballkan që ofrojnë zgjidhje për teknologjinë 5G një pohim i qëndrueshëm në raportimet ndërkombëtare dhe analiza të industrisë. Shkrimi nuk ka pretenduar se ata janë të zëvendësueshëm në licenca specifike, por ka ngritur pikëpyetje të ligjshme për varësinë e njëanshme nga një kompani e vetme.
Sa i përket numrit të stacioneve bazë dhe fazës së projektit, informatat janë marrë nga dokumente operative të Telekomit. Nëse Telekomi ka të dhëna zyrtare që i kundërshtojnë këto informata, portali mbetet i hapur për t’i shqyrtuar dhe pasqyruar ato, sipas interesit të publikut për transparencë.
Vlerësimi i çmimit dhe ngritja e kostos në marrëveshjen e fundit nuk janë karakterizuar si veprime të kundërligjshme, por janë vënë në kontekst të mungesës së konkurrencës dhe mungesës së komunikimit publik, çka është në përputhje me rolin e gazetarisë hulumtuese për të kërkuar transparencë dhe llogaridhënie.
Megjithëse Telekomi i Kosovës ka dhënë shpjegime të detajuara lidhur me faktin se pse pas negocimit çmimi i kontratës është rritur nga 1,170,740.00 euro në 1,381,473.20 euro, një rritje prej mbi 200 mijë eurosh. Kjo mungesë e arsyetimit është veçanërisht domethënëse, duke pasur parasysh se negocimi, në praktikë, supozohet të çojë drejt kushteve më të favorshme për autoritetin kontraktues.
Gjuha e përdorur në reagimin e Telekomit, veçanërisht referencat ndaj “dezinformimit”, “qesharakërisë”, apo paralajmërimet për dëme financiare, nuk përkon me standardet e komunikimit profesional institucional. Demokracia.com mbetet e përkushtuar që të ruajë raportimin korrekt, pavarësinë editoriale dhe të drejtat themelore të informimit të publikut.
Në përfundim, ftojmë Telekomin e Kosovës që, përveç reagimeve publike, të jetë gjithmonë i hapur për t’u përgjigjur në kohë dhe me transparencë pyetjeve të gazetarëve tanë, duke përforcuar kështu besimin dhe bashkëpunimin ndërmjet institucioneve publike dhe medias. /Demokracia.com/
Shkrimi plotë i Demokracia.com: