Telekomi i Kosovës po përpiqet prej rreth dy vitesh të hyjë në tregun e IPTV-së (Internet Protocol Television), por përparimi ka qenë tepër i ngadaltë. Së fundmi, kompania ka ndërmarrë një tjetër hap në këtë drejtim, shkruan Demokracia.com.
Pavarësisht vonesave dhe sfidave është tashmë e qartë se Telekomi i Kosovës po synon të zgjerojë shërbimet e saj përtej telefonisë tradicionale dhe të ofrojë shërbime të televizionit përmes IPTV-së. Kjo platformë u mundëson përdoruesve të shohin përmbajtje televizive përmes internetit, duke përfshirë një gamë të gjerë kanalesh dhe programesh televizive, si pjesë e një pakete të integruar me shërbime të tjera si telefoni dhe interneti.
Telekomi po synon të diversifikojë ofertat e tij dhe të konkurrojë në tregun e argëtimit dhe përmbajtjes dixhitale, me qëllim që të rrisë të ardhurat dhe të përmirësojë pozitën e tij në tregun e brendshëm, ku përballet me konkurrencë nga kompani të tjera të telekomunikacionit dhe ofrues të IPTV-së.
Në këtë përpjekje, Telekomi ka hyrë në procedura të negociuara për blerjen e përmbajtjes televizive nga Tring TV, një kompani shqiptare me bazë në Shqipëri. Tenderi me titullin “Blerja e kontentit të IPTV-së nga TRING TV” përfshin negociata ku Tring TV është rekomanduar për të fituar kontratën.
Fillimisht, Telekomi kishte vendosur një shumë prej 720,000.00 eurosh për blerjen e këtyre shërbimeve, por Tring nuk e pranoi këtë ofertë. Pas negociatave, u arrit një marrëveshje që kontrata trevjeçare të ketë një vlerë prej 900 mijë eurosh, shkruan Demokracia.com.
Megjithëse nuk është caktuar ende një datë e saktë për fillimin e ofrimit të këtyre shërbimeve, Telekomi i Kosovës ka lidhur gjithashtu një marrëveshje me DigitAlb dhe është në proces të zgjerimit të infrastrukturës së rrjetit për të ofruar këto shërbime sa më shpejt.
Telekomi pritet të përdorë këto marrëveshje për të forcuar pozicionin e tij në treg dhe për të ofruar shërbime më të sofistikuara dhe të plota. /Demokracia.com/