Telekomi i Kosovës ka lidhur një kontratë në vlerë prej 145,000.00 euro me kompaninë Integratouch LLC, përmes procedurës së negocimit, pa publikim të njoftimit për kontratë, shkruan Demokracia.com.
Telekomi i Kosovës ka lidhur kontrata me Integratouch LLC përmes procedurës së negocimit, pa publikim të njoftimit për kontratë. Kjo formë e prokurimit kufizon konkurrencën dhe transparencën, duke përjashtuar operatorët e tjerë ekonomikë nga mundësia për të ofruar shërbimet e tyre.
Kompania Integratouch LLC është një kompani amerikane që ka bashkëpunuar me Telekomin e Kosovës në projekte të lidhura me mirëmbajtjen dhe përmirësimin e sistemeve të faturimit, siç është platforma SYMPHONY_TAP.
Tenderi ka të bëjë me përmirësimin (upgrade) të modulit RoamerIN (Symphony_TAP), pjesë e sistemit të faturimit për shërbimet roaming, që bëhet i domosdoshëm pas modernizimit të rrjetit mobil të VALA-s. Këto ndryshime teknike kanë përfshirë ndryshimin e kodit të shtetit për rrjetin mobil (MCC), kodit të rrjetit (MNC) dhe kodit TADIG, si dhe rritjen e ndjeshme të numrit të përdoruesve që përdorin roaming (RoamerIN), sidomos gjatë sezonit veror.
Për shkak të kësaj rritjeje është shtuar edhe volumi i të dhënave të gjeneruara nga rrjeti (CDRs – Call Detail Records), çka ka bërë të domosdoshme përditësimin e bazës së të dhënave RoamerIN dhe adaptimin e sistemit të faturimit për funksionim të dyfishtë me dy rrjedha TAP (TAP streams) gjatë periudhës kalimtare.
Sipas dokumenteve zyrtare, sistemi që do të përditësohet SYMPHONY_TAP është instaluar që nga viti 2012 dhe nuk është përmirësuar që atëherë, pavarësisht zhvillimeve në rrjet dhe rritjes së kërkesave teknike. Projekti parasheh edhe garantimin e funksionimit të marrëveshjeve për roaming me operatorët ndërkombëtarë gjatë dhe pas kalimit në kodin e ri të rrjetit.
Pavarësisht natyrës komplekse të projektit dhe vlerës relativisht të lartë të kontratës, Telekomi ka zgjedhur të mos e hap procesin për konkurrencë të hapur, duke i besuar punën vetëm një kompanie Integratouch LLC përmes procedurës së negocimit të drejtpërdrejtë, pa publikim të njoftimit për kontratë. /Demokracia.com/