Se kjo situatë mund t’i ndodh Prishtinës dhe atë në 100-vjetorin e themelimit të klubit, askush nuk e kishte besuar, shkruan Demokracia.com.
Skuadra bardhekaltër jo që është në luftë për titull, ose ka siguruar një vend në garat ndërkombëtare, por ajo po lufton për mbijetesë në Superligë, gjë e cila i ka zhgënjyer tifozët e saj.
Sesa telashe ka Prishtina sivjet me financa, dëshmon edhe lajmi i fundit ku skuadra bardhekaltër nuk është licencuar për garat ndërkombëtare, kjo për shkak të borxhit ndaj lojtarëve, dhe çuditrisht klubi fajin mundohet ta lë te FFK-ja.
Lajmi është bërë i ditur nga vetë Prishtina përmes një postimi në Facebook.
Njoftimi i FC Prishtina:
Prishtina nuk licencohet për garat evropiane, FFK kontribuon duke mos pranuar shtyrje të afatit
FC Prishtina nuk ka arritur që të licencohet për garat evropiane për edicionin 2021/22.
Klubi “bardhekaltër” në muajt e fundit është përballur me probleme financiare, fakte të cilat nuk i ka fshehur për opinionin e për këtë arsye disa ish-futbollistë kanë kërkuar përmes Federatës së Futbollit të Kosovës të kryhen obligimet financiare ndaj tyre.
FC Prishtina ka kërkuar nga FFK që të shtyhet afati për licencim në mënyrë që të plotësohen kërkesat ndaj futbollistëve, mirëpo FFK nuk ka pranuar dhe në këtë mënyrë, klubi nuk ka arritur që të licencohet për garat evropiane ani pse në këtë edicion nuk kemi arritur që për herë të parë të sigurojmë “biletë” për Evropë. /Demokracia.com