Benevento të dielën bëri befasinë më të madhe duke e mundur Juventusin në “Allianz Stadium” me rezultatin minimal 0:1.
Nëse për skuadrën e Filipo Inzaghit këto tri pikë vlenin vetëm shpresë për mbijetesën në Serie A, për skuadrën e Andrea Pirlos zero pikët konfirmojnë dështimin e radhës në një garë për titull, e cila sa herë që duket sikur rihapet, menjëherë shanset zbehen.
Por, çfarë është më e keqja, kjo shuplakë e marrë ka tronditur shumë ashpër themelet e “Maestros” në Torino, por në të njëjtën kohë edhe marrëdhënien e tij që dukej shumë e fortë me presidentin Andrea Agnelli. Sipas asaj që nënvizojnë media të ndryshme italiane në kor, në fund të ndeshjes të së shtunës, në dhomat e zhveshjes së Juventusit kanë fluturuar shumë gjëra në ajër, nga bluzat e grisura prej nervozizmit, deri te fjalët e rënda të protagonistëve bardhezinj.
Madje, ajo që raporton “Sportmediset”, por edhe e përditshmja “Repubblica”, është edhe më e fortë sesa kaq, pasi me sa duket, janë lëshuar edhe sharje dhe fraza të ashpra mes presidentit Andrea Agnelli dhe trajnerit Andrea Pirlo. E gjithë kjo, përpara syve të të gjithë pjesës tjetër të skuadrës, një skenë fare e pakëndshme dhe ndoshta që duhej shmangur, por e cila tregon qartë edhe momentin e vështirë në klubin bardhezi.
Sikur të mos mjaftonte kjo, dje ka pasur një tjetër mbledhje në qendrën stërvitore, “Kontinaza”, por ajo që duket se i ka hedhur edhe më shumë benzinë zjarrit ka qenë mungesa e Andrea Pirlos. Disa burime thonë se edhe trajneri ishte ftuar që të ishte i pranishëm në takimin kokë më kokë mes presidentit, zëvendësit të tij, Pavel Nedved, dhe drejtorit sportiv, Fabio Paratizi, por Pirlo ka munguar.
Se çfarë do të ndodhë me klubin e madh italian mbetet të shihet por situata nuk është aspak e mirë. /Demokracia.com